Instituti GAP ka njoftuar se në vitin 2025, Kosova ka eksportuar shërbime me vlerë prej rreth 3.9 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 15% krahasuar me vitin 2024.

Nga ana tjetër, importi i shërbimeve do të jetë afërsisht 1.7 miliardë euro, një rritje prej 6% në krahasim me një vit më parë. Kjo rezulton në një bilanc tregtar pozitiv prej rreth 2.2 miliardë euro vetëm në sektorin e shërbimeve.


GAP njofton se për çdo 1 euro të eksportuar në shërbime, Kosova importon vetëm 44 centë, duke treguar një avantazh të qartë tregtar në këtë fushë.

Megjithatë, sipas Institutit GAP, eksporti dhe importi janë më të përqendruara në rajon, ndërsa tregjet më të mëdha dhe më të zhvilluara mbeten ende sfidë për vendin.

Instituti thekson se vendet e zhvilluara fokusohen kryesisht në prodhimin e produkteve dhe ofrimin e shërbimeve me vlerë të shtuar, ndërsa Kosova dhe vendet e tjera në rajon vazhdojnë të importojnë kryesisht produkte dhe shërbime që kërkohen për përpunimin dhe përgatitjen e mallrave.

Grafiku i Institutit GAP pasqyron rritjen e eksportit dhe importit të shërbimeve në Kosovë gjatë periudhës 2015-2025, si dhe raportin e import-eksportit për vitin 2024 krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe Bashkimin Evropian.

Ky bilanc pozitiv tregon për një potencial në rritje të sektorit të shërbimeve në Kosovë dhe mundësi për zgjerim të mëtejshëm në tregjet ndërkombëtare. /Telegrafi/