LAJMI I FUNDIT:

Eksportet e Gjermanisë gjatë vitit të kaluar u rritën me 14 për qind

Eksportet e Gjermanisë gjatë vitit të kaluar u rritën me 14 për qind

Eksportet e Gjermanisë në vitin 2021 arritën në 1 trilion e 375 miliardë euro, duke u rikuperuar nga tronditja e pandemisë COVID-19, pavarësisht mungesave serioze të materialeve për prodhimin dhe ndërprerjes së zinxhirëve botëror të furnizimit.

Agjencia gjermane e Statistikave (Destatis) thotë se importet gjatë vitit të kaluar u regjistruan 1 trilion e 202 miliardë euro. Suficiti i jashtëm i vendit shënoi 173.3 miliardë euro.


Krahasuar me një vit më parë, eksportet e vendit të përshtatura sezonale dhe kalendarike u rritën me 14 për qind krahasuar me vitin 2020, viti i parë i pandemisë ku importet u rritën me 17.1 për qind.

Destatis theksoi se eksportet janë 3.6 për qind mbi nivelin e vitit 2019 para krizës së COVID-19, ndërsa importet ishin 8.9 për qind më të larta.

Ndërsa 747.3 miliardë euro nga eksportet e Gjermanisë vitin e kaluar ishin drejt vendeve të Bashkimit Evropian, 638.4 miliardë euro importe u bënë nga BE. Krahasuar me vitin 2020, ka pasur një rritje prej 17.6 për qind të eksporteve drejt vendeve të BE-së dhe 16.8 për qind të importeve.

Në vendet jashtë BE-së janë realizuar eksporte prej 628.1 miliardë euro dhe importe prej 563.7 miliardë euro. Eksportet e vendit në këtë kategori janë rritur me 10 për qind dhe importet me 14 për qind krahasuar me vitin 2020.

Kërkesa për produktet “Made in Germany”, veçanërisht nga SHBA-ja, është rritur vitin e kaluar. Eksportet drejt ekonomisë më të madhe në botë u rritën me 18 për qind në 122.1 miliardë euro. /Telegrafi/