Ekspertiza e FBI – Dheu nën çizme çoi në arrestimin e vëllezërve Viçentijeviq për sulmin terrorist në ‘Ibër Lepenc’

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Jovan Viçentijeviç, Dragisha Viçentijeviç dhe Igor Dimoviç në lidhje me sulmin terrorist me eksploziv në kanalin e ‘Ibër Lepencit’ më 29.11.2024.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Viçentijeviç janë personat që kanë shpërthyer kanalin e ‘Ibër Lepencit’ përmes vendosjes së një çante me eksploziv.
Në aktakuzën që ka siguruar KALLXO, mëson se Prokuroria Speciale në bashkëpunim me FBI kishte arritur që të gjente prova që do të conin në arrestimin e vëllezërve Viçentijeviç.
Sipas dosjes, në kohën kur ishin arrestuar ju kishin marrë për ekzaminim dheu i cili ndodhej në çizmet e të arrestuarve në atë kohë dhe ishte marrë si mostër dheu në oborrin e të dyshuarve gjithashtu për krahasim kishin marrë edhe dheun i cili ndodhej pranë kanalit të ‘Ibër Lepencit’.
Ngjashmëria e dheut, sipas PSRK vërteton se të akuzuarit kanë qenë prezent në vendin ku ka ndodhur shpërthimi dhe ata kanë qenë personat që e kanë shkatërruar një pjesë të kanalit.
Por, ky konstatim vjen nga një institucion ndërkombëtar, më saktësisht, konfirmimi i FBI thotë se dheu i gjetur në këpucët e të akuzuarve është i njëjti me dheun i cili ishte marrë për ekzaminim në vendin ku kishte shpërthyer kanali Ibër Lepenc.
“Dheu i çizmeve të sekuestruara në shtëpinë e vëllezërve Viçenjtijeviç dhe ajo në fshatin Përvlak të kësaj komune më datë 30.11.2024 së bashku me mostrat referente të dheut të siguruara nga ekspertët policor të Kosovës dhe “FBI” të marra në vendin e ngjarjes…Nga mostrat qartazi vërehet se në mes të dheut të marrë në çizmet e të pandehurve Jovan dhe Dragisha Viçentijeviç dhe mostrave të dheut të marra në vendin e ngjarjes, më konkretisht në kanalin “Ibër Lepenc” nuk ka dallueshmëri, … çka vërtetohet se të pandehurit kanë kryhet aktin terrorist.” – thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Sipas aktakuzës Jovan e Dragisha Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.
Kurse i akuzuari për spiunazh Jovan Viqentijeviq, sipas prokurorisë është pjesë e shërbimit informativ ushtarak të Serbisë, që sipas prokurorisë ka ndihmuar këtë shërbim duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara që t`i përdorë për aktivitetin e tij të kundërligjshëm në Kosovë.
Shpërthimi që ndodhi më 29.11.2024 në kanalin e ujit të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si “sulm terrorist”.
Kryeministri i Kosovës, tashmë në detyrë, Albin Kurti, kishte thënë se sulmi është kryer nga grupe terroriste.
“Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin. Por, unë e di një gjë, se elemente të tilla kriminale, qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile, Brigadës Civile, ata e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar.”- kishte thënë Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishte mohuar që Serbia ka lidhje me sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”.
Për sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kg, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonatorë mekanikë, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.
“Si pasojë e këtij sulmi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në kanalin e ‘Ibër-Lepencit’, si pasojë e të cilave është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shumë zona dhe lokalitete, si dhe duke rrezikuar tej mase edhe furnizimin me energji elektrike apo edhe rrezikun me pasoja më të rënda për avari në sistemin energjetik të Republikës së Kosovës.”- ishte shprehur drejtori i Polcisë, Gazmend Hoxha.
Pas shpërthimit, Këshilli i Sigurisë i Kosovës kishte mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme më 30.11.2024.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, ishte folur për ndërlidhjen e mundshme të rastit me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë që ishte kryer ditë më parë. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë për të zbutur pasojat e sulmit e për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR, dolën më 30.11.2024 në vendin ku ka ndodhur shpërthimi.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kishte njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e “Ibër-Lepencit”, kishin arritur që të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Këtë sulm e patën dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Arrestimet në lidhje me sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme, gjatë të cilave janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme e pajisje tjera, lidhur me rastin e ndodhur më 29.11.2024 në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, respektivisht në pjesën e kanalit të “Ibër-Lepencit”.
“Me këtë rast në Stacionin policor janë shoqëruar 10 persona të dyshuar për veprat penale: “rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga Neni 122; lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste” nga Neni 129 Par. 1 dhe Neni 128 Par. 1 Nënpar. 1.8 të KPRK; “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve” nga Neni 366 Par. 2 lidhur me Par. 1 të KPRK.”- thuhej në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, me veprimet e tij Viqentijeviq po dyshohet se kreu veprën penale të rrezikimit të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike. Gjatë bastisjes, në shtëpinë e tij, u gjetën edhe armë e municion, për çka Prokuroria po e ndjek edhe për – armëmbajtje pa leje.






















































