Eksperti i mjedisit qetëson qytetarët, Makolli: Mangani në ujin e Badovcit nuk paraqet rrezik shëndetësor në nivelet e raportuara

Pas raportimeve se uji i liqenit të Badovcit ka kaluar vlerat e lejuara të manganit sipas standardeve të reja evropiane, eksperti i mjedisit, Sami Makolli, ka sqaruar se situata nuk duhet të shkaktojë panik, pasi niveli i manganit të raportuar nuk paraqet rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve.
Makolli theksoi se mangani nuk është një problem i ri për Kosovën dhe se për dekada me radhë uji është konsumuar pa shqetësime të tilla. Ai kujtoi se me udhëzimin administrativ të fundit, kufiri i pranueshëm është vendosur në 0.05 mg/L, i cili sipas tij është një standard estetik dhe jo toksikologjik.
“Ky kufi nuk është kufi shëndetësor. Për çështje të shëndetit, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon 0.08 mg/L, ndërsa në SHBA kufiri shëndetësor është edhe më i lartë – 0.3 mg/L për ekspozim afatgjatë. Pra, standardet tona janë më të rrepta se sa në shumë vende tjera”, tha Makolli, përcjell Telegrafi.
Ai sqaroi se mangani është element i domosdoshëm për trupin e njeriut, i cili merret kryesisht përmes ushqimit si drithërat, frutat, arrat dhe çaji, ku një person mesatarisht konsumon rreth 3 mg në ditë. Një gotë ujë me përmbajtje 0.08 mg/L, sipas tij, përmban vetëm 0.02 mg mangan, shumë më pak krahasuar me sasinë e marrë përmes ushqimit.
Makolli dha edhe disa rekomandime praktike për qytetarët: "Përdorimi i ujit për larje dhe pastrim është i sigurt; Uji mund të konsumohet pa frikë, përjashtuar rastet e foshnjave që kërkojnë kujdes të veçantë; Institucionet duhet të japin sqarime profesionale e të sakta, në mënyrë që të shmanget paniku i panevojshëm tek qytetarët".
Sipas tij, transparenca dhe komunikimi i drejtë janë çelësi për të ruajtur qetësinë dhe për të siguruar besimin e publikut në menaxhimin e situatave të tilla. /Telegrafi/


















































