LAJMI I FUNDIT:

Ekspertët thonë se Kosova mund ta përdorë në bisedime çështjen e targave për fuqizim të marrëdhënieve me faktorin ndërkombëtar

Ekspertët thonë se Kosova mund ta përdorë në bisedime çështjen e targave për fuqizim të marrëdhënieve me faktorin ndërkombëtar
Foto: Arkiv

Çdo qytetar i Kosovës që hyn në Serbi, tash e 11 vjet, pajiset me një dokument, i cili përkohësisht zëvendëson dokumentet identifikuese të Kosovës që Serbia nuk i njeh, sikurse as shtetësinë e saj.

Reklama

Nga një gushti të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë, do të pajisen gjithashtu me një dokument të ngjashëm, pas vendimit të muajit të kaluar të qeverisë së Kosovës që të vendosë masën e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve personale.

Jeta Tela, këshilltare e lartë në ministrinë e Punëve të Brendshme, i tha Zërit të Amerikës se ky institucion ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe se nga data një gusht, qytetarët serbë do të pajisen me dokumentin për hyrje – dalje nga autoritetet e Kosovës.

“Ky dokument do të zëvendësojë dokumentin e identifikimit personal gjatë hyrjes dhe qarkullimit në territorin e Republikës së Kosovës. Gjithashtu dokumenti për hyrje-dalje do të përdoret edhe për marrjen e shërbimeve të ndryshme nga institucionet shtetërore të Kosovës. Dëshiroj të theksoj se ky dokument do të ketë vlefshmëri në afat prej 90 ditësh. Ndërsa të gjithë qytetarët që nuk posedojnë dokumente identifikimi për shkak që janë nën moshën 16 vjeçare, do të pajisen po ashtu me dokumentin për hyrje-dalje, vetëm me kusht që të kenë certifikatën e lindjes me fotografi”, tha ajo.

Vendimi i qeverisë së Kosovës ka nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit, zyrtarët e të cilit kanë thënë se kjo është goditje ndaj serbëve të Kosovës.

“Natyrisht që vendimi i tillë derivon edhe nga marrëveshjet me të cilat palët janë dakorduar në të kaluarën dhe një praktikë e tillë është përdorur vite me radhë nga ana e Serbisë, prandaj nuk ka asnjë arsye për zemërim sepse është vetëm zbatim i një mase proporcionale. Andaj këtu shfrytëzoj rastin t’ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të cilët mund të kenë paqartësi, pyetje shtesë apo nevojë për sqarime tjera të drejtohen në ministrinë e Punëve të Brendshme”, tha zonja Tela.

Jeta Tela

Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për hulumtimin e politikave, Naim Rashiti, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës, se vendimi i qeverisë së Kosovës është i ligjshëm dhe i bazuar në marrëveshjet ekzistuese ndërmjet dy palëve, por se duhet të ketë kujdes të posaçëm në zbatimin e tij meqë mund të nxisë tensione.

“Të ketë një fushatë, të kontrollohen kufijtë mirë, të kërkohet bashkëpunim edhe ndërkombëtar, pra mbështetje ndërkombëtare për këto nisma sepse qytetarët nuk janë të interesuar të jenë pjesë e problemit, por natyrisht janë instrumentet e shtetit në Serbi që fuqishëm do të provojnë të pengojnë zbatimin e këtyre marrëveshjeve, siç edhe është paralajmëruar. Gjithmonë në çdo fazë marrëveshjet kanë ardhur pas një sërë tensionesh, po na përsëritet prapë dhe do të jetë kështu”, tha zoti Rashiti.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka vlerësuar se vendimi i qeverisë së Kosovës mbështetet në marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel në vitet 2011 dhe 2016, duke theksuar se “liria e lëvizjes është një gurthemel i Bashkimit Evropian”.

Zoti Rashiti thotë se situata e krijuar me vendimin e muajit prill të qeverisë së Kosovës, ku përfshihet edhe kufizimi deri në fund të shtatorit i përdorimit aktual të targave të makinave që hyjnë nga Serbia apo janë të regjistruara në Serbi, do të çojë në një proces të ri bisedimesh të cilin Kosova mund ta shfrytëzojë për fuqizim të marrëdhënieve me faktorin ndërkombëtar.

Naim Rashiti

“Mësimi i këtij prilli është që, gjithmonë ka qenë në fakt kështu, në momentin e angazhimit dhe konstruktivitetit të palës së Kosovës, Serbia është tërhequr dhe në ato momente ka pasur mbështetje ndërkombëtare për veprimet e Kosovës, kështu ka ndodhur e kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen, dialogu është instrument për fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar”, tha ai.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011 dhe që atëherë janë arritur një varg marrëveshjesh, por zbatimi i tyre është ende një sfidë. Serbia e mbështetur nga Moska, kundërshton pavarësinë e Kosovës që është njohur nga vendet kryesore perëndimore./VoA

Në trend Lajme

Më shumë
Rashiq flet për prapaskenat e ngjarjeve në veri: Grupi i armatosur priti ndihmë, shpresuan në ndërhyrjen e KFOR-it

Rashiq flet për prapaskenat e ngjarjeve në veri: Grupi i armatosur priti ndihmë, shpresuan në ndërhyrjen e KFOR-it

Siguri
Kurti: Vuçiq më tha në Bruksel, Milan Radoiçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve të Kosovës

Kurti: Vuçiq më tha në Bruksel, Milan Radoiçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve të Kosovës

Lajme
Janjiq: Shumica e njerëzve në Beograd e pranojnë realitetin –  asgjë nuk mund të arrihet me forcë në Kosovë

Janjiq: Shumica e njerëzve në Beograd e pranojnë realitetin – asgjë nuk mund të arrihet me forcë në Kosovë

Lajme
Ish-ushtaraku i FSK-së analizon veprimet taktike të grupit terrorist në veri, ka dyshime se drejtues nuk ishte vetëm Radoiçiq

Ish-ushtaraku i FSK-së analizon veprimet taktike të grupit terrorist në veri, ka dyshime se drejtues nuk ishte vetëm Radoiçiq

Siguri
Rrëfimi i pelegrinëve në Manastirin e Banjskës: U plaçkitëm nga sulmuesit e armatosur - e çuditshme që KFOR-i i injoroi

Rrëfimi i pelegrinëve në Manastirin e Banjskës: U plaçkitëm nga sulmuesit e armatosur - e çuditshme që KFOR-i i injoroi

Lajme
Daçiq i del në mbrojtje terroristit, thotë se video ku shihet Radoiçiq nuk është e ditës kur ndodhi sulmi terrorist

Daçiq i del në mbrojtje terroristit, thotë se video ku shihet Radoiçiq nuk është e ditës kur ndodhi sulmi terrorist

Lajme
Kalo në kategori