LAJMI I FUNDIT:

Ekspertët dhe politikëbërësit në Ballkanin Perëndimor bashkohen për të dekurajuar konsumin e duhanit dhe përmirësuar shëndetin publik

Ekspertët dhe politikëbërësit në Ballkanin Perëndimor bashkohen për të dekurajuar konsumin e duhanit dhe përmirësuar shëndetin publik

Ekspertë nga fushat e shëndetësisë dhe ekonomisë, politikëbërës dhe përfaqësues të medias nga vendet e Ballkanit Perëndimor u mblodhën të mërkurën në Tiranë për një workshop të organizuar nga DSA (Development Solutions Associates) nga Shqipëria dhe Johns Hopkins University nga Shtetet e Bashkuara. Ky aktivitet kishte për qëllim krijimin e urave të komunikimit ndërmjet ekspertëve, politikëbërësve dhe mediave, duke synuar promovimin e politikave më të mira që dekurajojnë konsumin e duhanit dhe përmirësojnë cilësinë e jetës në rajon.

I pranishëm në këtë event ishte edhe Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit të Ekonomisë në Kuvendin e Shqipërisë dhe Deputet i Partisë Socialiste. Në fjalën e tij për hapjen e punimeve, Shalsi theksoi angazhimin e mazhorancës socialiste për hartimin dhe promovimin e ligjeve që krijojnë një mjedis dekurajues për konsumin e duhanit. Ai vuri në dukje se, që nga ardhja e mazhorancës në pushtet në vitin 2013, Shqipëria ka zbatuar një politikë të ashpër kundër pirjes së duhanit në ambientet e mbyllura.

“Asokohe, kur duhani konsumohej në të gjitha ambientet e brendshme, askush nuk besonte se një ditë do të ndalohej. Të gjithë mendonin se ishte një fushatë e përkohshme, por sot kjo është një realitet. Politikat e ashpra të ndjekura nga Ministria e Shëndetësisë kanë sjellë rezultate konkrete në uljen e konsumit të duhanit,” tha Shalsi. Sipas studiuesve, kjo nismë ka ulur konsumin e duhanit me të paktën 30% ndër fëmijët dhe adoleshentët.


Zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Entela Ramosaco, gjithashtu mori pjesë në këtë tryezë, duke pasqyruar politikat e qeverisë në drejtim të ndërgjegjësimit dhe parandalimit të konsumit të duhanit që në moshë të hershme. Ajo solli të dhëna për personat që janë trajtuar për probleme të lidhura me duhanin dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve, ekspertëve dhe mediave për të ulur konsumin e tij.

Jeffrey Drope, përfaqësues i Johns Hopkins University, theksoi ngjashmëritë e sjelljes së duhanpirësve në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e studimeve për krijimin e politikave të suksesshme. “Një nga mjetet më të efektshme për të dekurajuar konsumin e duhanit është rritja e taksave. Kjo jo vetëm që ul konsumin, por gjithashtu ul koston e konsiderueshme që duhani ka mbi buxhetin e familjeve dhe të shtetit,” tha Drope. Ai gjithashtu nënvizoi rolin e medias në informimin e publikut për rreziqet e duhanit dhe rëndësinë e krijimit të një urë komunikimi mes studiuesve dhe medias për të ndihmuar në përmirësimin e jetës së popullsisë.

Studimet tregojnë se konsumi i duhanit në Ballkanin Perëndimor është ndër më të lartët në botë, duke shkaktuar pasoja serioze shëndetësore dhe ekonomike. Për shembull, në Shqipëri, të paktën 42% e meshkujve dhe 7% e femrave janë konsumatorë të duhanit, ndërsa në Serbi, konsumi i duhanit është përgjegjës për rreth 15,000 vdekje të parakohshme në vit.

Pjesëmarrësit ranë dakord që bashkëpunimi ndërmjet politikëbërësve, ekspertëve dhe medias është thelbësor për hartimin e politikave që dekurajojnë konsumin e duhanit dhe përmirësojnë cilësinë e jetës në Ballkanin Perëndimor.

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Studimet konfirmojnë: Nëse dhjetë minuta në ditë i bëni masazh kokës, do të përmirësoni punën e zemrës dhe do të rregulloni presionin e gjakut!

Studimet konfirmojnë: Nëse dhjetë minuta në ditë i bëni masazh kokës, do të përmirësoni punën e zemrës dhe do të rregulloni presionin e gjakut!

Shëndetësi
Kalo në kategori