Ekskluzive/ Mevlan Zeka ka gjetur strehë te Malisheva – ka bisedime me UTA Arad për marrëveshje transferimi

Rasti i Mevlan Zekës ka marr një kthesë të re, teksa sulmuesi i njohur ka marrëveshje me Malishevën, duke shprehur hapur dëshirën për të qëndruar në Kosovë.
Telegrafi mëson se Malisheva përmes menaxherit të Mevlan Zekës, është në bisedime me UTA Arad për të gjetur një zgjidhje, qoftë për huazim, qoftë për një marrëveshje të plotë që do t’i mundësonte 31-vjeçarit të rikthehej përfundimisht në vendlindje.
Zeka, golashënuesi më i mirë i Superligës së Kosovës sezonin e kaluar me 22 gola për FC Suharekën, u transferua këtë verë te UTA Arad si lojtar i lirë.
Mirëpo, pas kampit të parë stërvitor me klubin rumun, ai u kthye në Kosovë për arsye familjare dhe nuk u rikthye më në Rumani, duke ndërprerë çdo komunikim të drejtpërdrejtë me klubin.
Situata ka bërë që drejtuesit e UTA-s të paralajmërojnë se mund ta çojnë çështjen në FIFA për prishje të njëanshme kontrate, të cilën Zeka e kishte nënshkruar për dy vite.
Ndërkohë, Malisheva e sheh si prioritet afrimin e tij, pas largimit të Fatjon Bunjakut, duke qenë se edhe sulmuesi është stërvitur tashmë me skuadrën. Drejtuesit e klubit po kërkojnë një kompromis me palën rumune, në mënyrë që të shmanget çdo konflikt ligjor dhe që lojtari të mund të kontribuojë këtë sezon në Superligën e Kosovës.
Para transferimit në Rumani, Zeka kishte oferta të shumta nga klube të elitës vendore, por zgjodhi të luante jashtë vendit, por që nuk u përshtat. /Telegrafi/





















































