Ekitike: Ndjej se jam duke u përmirësuar

Hugo Ekitike ka vlerësuar periudhën e tij te Liverpooli deri tani dhe ka folur për objektivat që synon në vazhdim.
Sulmuesi 23-vjeçar u shpreh se ndjen përmirësim të vazhdueshëm, pavarësisht se muajin e fundit nuk ka qenë aq produktiv sa i përket golave.
“Ndjej se jam duke u përmirësuar. Edhe pse muajin e fundit nuk shënova shumë, kam rritur disa elementë të tjerë të lojës sime. Gjithçka ka të bëjë me progresin, dhe besoj se jam në rrugën e duhur. Jam i sigurt se gjërat do të funksionojnë”, ka thënë fillimisht Ekitike.

Ekitike komentoi gjithashtu emocionet e përjetuara pas golit të tij të parë me kombëtaren e Francës.
“Ndjehem krenar, është një ndjesi vërtet e mirë”, tha numri 22 i Liverpoolit.
“Është diçka për të cilën kam ëndërruar që fëmijë. Ishte një grumbullim shumë pozitiv me kombëtaren dhe tani jam i lumtur që jam rikthyer”.

Ai shtoi se pas golit kishte marrë një sasi të madhe mesazhesh urimi.
“Mora shumë mesazhe. Sinqerisht, nuk arrita t’i hap të gjitha, por dua të falënderoj të gjithë për mbështetjen dhe dashurinë”, përfundoi sulmuesi francez. /Telegrafi/



















































