Ekipet e KRM “Pastrimi” pastrojnë nënkalimin në Komoran

Në kuadër të angazhimit për mjedis të pastër dhe në shërbim të qytetarëve, ekipet e KRM “Pastrimi” kanë ndërhyrë sërish për pastrimin e plotë të nënkalimit në Komoran, hapësirë e cila ishte shndërruar në vatër mbeturinash dhe kishte krijuar shqetësim për banorët e zonës.
Edhe pse mirëmbajtja e këtij nënkalimi është përgjegjësi e Departamentit të Rrugëve në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, ndërhyrja është realizuar nga KRM “Pastrimi” me qëllim ruajtjen e pastërtisë publike dhe mirëqenies së qytetarëve, përcjell Telegrafi.
Nga kompania theksohet se kjo nuk është hera e parë që ndërhyhet në këtë lokacion, pavarësisht se nuk është nën përgjegjësinë e saj të drejtpërdrejtë, duke dëshmuar përkushtimin për të reaguar në çdo rast ku paraqitet nevoja.
Ky veprim, sipas komunës, reflekton angazhimin e vazhdueshëm për mbrojtjen e mjedisit dhe kujdesin ndaj hapësirave publike, në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët. /Telegrafi/



















































