Egla Ceno u bën thirrje vajzave të BBVA 5 të mos ndjekin pritshmëritë e publikut: Ata duan vajza të buta që dashurohen, forca duam fituese

Në prag të nisjes së edicionit të pestë të Big Brother Vip Albania, fituesja e sezonit të tretë, Egla Ceno, ka publikuar një mesazh të fuqishëm për vajzat që do të hyjnë këtë vit në shtëpinë më të famshme në vend.
Egla, e njohur si një nga banoret më të forta, më të qëndrueshme dhe më të papërkulura që ka pasur ndonjëherë formati, thekson se ajo vetë nuk u dorëzua asnjë ditë, pavarësisht sfidave dhe presioneve.
Në postimin e saj, Ceno i kujton konkurrentet femra se publiku shpesh pret prej tyre të jenë të përmbajtura, të qëndrojnë “brenda vijave të bardha” të një mentaliteti patriarkal dhe të ruajnë pozicionin që “i takon një gruaje”, duke qëndruar një hap pas burrit e dy hapa larg trofeut.

Megjithatë, Egla thekson se përvoja e saj në BBVA3 tregoi se ajo që triumfon në fund është forca, autenticiteti dhe shpirti i lojës: “Në fund shpërblehen forca, vlerat njerëzore dhe shpirti i lojës”, shkruan ajo.
Aktorja u kujton vajzave të mos e shohin veten si dekor apo si plotësim boshllëqesh: “Forca, duam një fituese këtë vit”, përfundon ajo me stilin e saj karakteristik të drejtpërdrejtë dhe plot sarkazëm.
Egla mbyll mesazhin me urimin: “Sarkazma dhe shpirti i lojës qoftë me ju”.
Postimi i plotë:
Në vigjilje të BBVA5 për gocat pjesëmarrëse:
Goca mos harroni: publiku ynë i dashur i do gocat që “dashurohen” në BBV, që nuk dalin jashtë vetes po rrinë aty brenda vijave të bardha si parkim i rregullt në mentalitetin patriarkal. I do edhe ato që mbajnë vendin “që i takon një gruaje”, dmth një hap pas burrit, dy hapa larg trofeut. Ama në fund shpërblen forcën, vlerat njerëzore dhe shpirtin e lojës.
Mos harro: ti nuk je as dekor, as perde rozë, as plotësim boshllëku. Forca, duam një fituese këtë vit.
Sarkazma dhe shpirti i lojës qoftë me ju. /Telegrafi/



























































