Edukimi dhe e ardhmja e pyjeve në Kosovë, thirrje për më shumë investim në profesionistët e rinj të pylltarisë

Në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi - FAO me mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Suedia, është publikuar episodi i tretë i serisë së podcasteve “Duaj e Ruaj Pyjet”.
Edukimi i të rinjve në fushën e pylltarisë mbetet një nga faktorët kyç për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe përballjen me ndryshimet klimatike në Kosovë.
Kështu vlerëson prof. Faruk Bojaxhi nga Universiteti i Prizrenit, i cili ishte mysafir në episodin e radhës të podcastit mbi rezultatet e programit për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve.
Sipas Bojaxhit, sektori i pylltarisë është strategjik për vendin, duke pasur parasysh se rreth 44.7 për qind e territorit të Kosovës është i mbuluar me pyje dhe toka pyjore, ndërsa menaxhimi i tyre kërkon kuadro të përgatitur profesionalisht.
“Pylltaria është një nga sektorët pa të cilët nuk mund të flasim për jetë, ajër të pastër dhe stabilitet mjedisor. Për ta menaxhuar këtë pasuri, Kosova ka nevojë për të rinj të edukuar dhe të motivuar,” thekson Bojaxhi shkruan Telegrafi.
- YouTube www.youtube.com
Profesori vlerëson se ekziston interes i qëndrueshëm i të rinjve për studime në Shkencat e Pyjeve, por problemi kryesor mbetet punësimi pas diplomimit, pavarësisht nevojave reale në institucione publike.
“Ne kemi diplomuar dhjetëra studentë, ndërsa institucionet publike kanë punësuar vetëm dy. Në anën tjetër, agjencitë dhe drejtoritë pyjore vuajnë nga mungesa e inxhinierëve,” shprehet ai.
Sipas tij, ligjet ekzistuese dhe kërkesa për përvojë pune paraprake po i penalizojnë të rinjtë, duke i demotivuar ata që të orientohen drejt kësaj fushe, pavarësisht rëndësisë së saj.

Një element që Bojaxhi e veçon si përparësi të edukimit pyjor është kombinimi i teorisë me praktikën në terren.
Sipas tij studentët zhvillojnë praktika profesionale në pyje, laboratorë dhe institucione publike, duke u përgatitur për sfidat reale të profesionit.
“Nuk ka pylltari pa terren. Studentët tanë dalin në pyje, bëjnë matje, vlerësime dhe mësojnë drejtpërdrejt se si menaxhohet një pasuri natyrore,” thotë ai.
Sipas profesorit, teknologjia moderne ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën e menaxhimit të pyjeve – nga inventarizimi digjital, përdorimi i GPS-it dhe softuerëve analitikë, deri te mekanizimi i punëve të rënda në terren.
Po ashtu, studentët e pylltarisë kanë mundësi të përfshihen në shkëmbime ndërkombëtare, përmes programeve si Erasmus+, si dhe në projekte kërkimore të mbështetura nga Bashkimi Evropian.
“Sot studentët tanë kanë dhjetëfish më shumë mundësi se gjeneratat e mëparshme – çështja është sa janë të gatshëm t’i shfrytëzojnë ato,” thekson Bojaxhi.
Në fund, profesori apelon që pylltaria të shihet jo vetëm si profesion, por si mision për të ardhmen e vendit dhe të planetit.
“Kush dëshiron të kontribuojë për Kosovën, për fëmijët e tij dhe për të ardhmen e planetit, duhet ta konsiderojë seriozisht edukimin në pylltari. Pa pyje nuk ka jetë,” përfundon ai.

Ky podcast është pjesë e serisë së podcasteve të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO).
Video është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Suedisë. Përmbajtja e saj nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe Suedisë./Telegrafi/.









































