LAJMI I FUNDIT:

Edi Rama rreshton Tiranën me Beogradin e Athinën në krah të Gruevskit

Edi Rama rreshton Tiranën me Beogradin e Athinën në krah të Gruevskit

Kërcënimi i Edi Ramës se do ta bllokojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO është gafa më e madhe diplomatike e tij deri më tani. Me këtë deklaratë të Edi Ramës, Tirana bëhet aleati i 4-të i Gruevskit pas Beogradit, Athinës e Moskës.

Kur u krijuan shtetet autonome të Serbisë (1835) dhe Bullgarisë (1878) e më pas të pavarura (më 1878 Serbia e më 1908 Bullgaria), kufijtë etnikë mes tyre ishin të paqartë. Liturgjia greke në kishat dhe manastiret ortodokse nën Perandorinë Osmane e bënte jo relevante përkatësinë etnike deri në kohën kur filluan lëvizjet kombëtare në Ballkan.


Derisa nuk u krijuan kufijtë shtetërorë, po të niseshe nga Beogradi në Sofje apo anasjelltas, nuk mund të vëreje se ku mbaronin fshatrat serbe dhe ku fillonin fshatrat bullgare apo anasjelltas. Ky fakt e ashpërsoi betejën mes idesë kombëtare serbe dhe asaj bullgare saqë vetëm në një rast në histori sërbet e bullgarët u gjetën aleatë (Luftën e Parë Ballkanike), kurse në të gjithë luftërat tjera ishin armiqtë më të përbetuar të njëri tjetrit.

Maqedonia ishte territori për të cilin po luftonin të dyja palët për të shtrirë ndikimin e vet, përmes shkollave dhe priftërinjve. Rezultatin e kësaj beteje e shohim në statistikat osmane të fillim shekullit XX. Për të mos lodhur lexuesit me statistikat ekzakte që i paraqet në librin e tij profesori turko-amerikan Kemal Karpat, popullsia sllavo-folëse e qyteteve të Maqedonisë deklarohet bullgare në masën 90% ndërsa serbe në masën 10%.

Por, më 1912 në Luftën Ballkanike (Bullgaria, Greqia, Serbia e Mali i Zi kundër Perandorisë Osmane), Serbia e Greqia e tradhtojnë keq armikun e deridjeshëm dhe aleatin e tyre të momentit Bullgarinë dhe e marrin pothuaj komplet Maqedoninë. Serbia e mori Maqedoninë veriore. përfshirë qytetet më të rëndësishme: Shkupin, Ohrin e Manastirin, kurse Greqia atë jugore përfshirë Selanikun.
Me Luftën II Ballkanike (Serbia, Greqia, Rumunia e Perandoria Osmane kundër Bullgarisë) më 1913, Bullgaria humbi edhe atë pak territor që fitoi në luftën paraprake.

Pas luftërave ballkanike, Maqedonia e sotme u bë pjesë e Serbisë, dhe bullgarët e deridjeshëm u konsideruan për serbë.

Por, më 1914 shpërtheu Lufta e Parë Botërore dhe Bullgaria ia mori Serbisë Maqedoninë. Katër vite me radhë popullsia sllavo-folëse e Maqedonisë mësoi për identitetin e vet bullgar në shkollat laike dhe ato fetare.

Më 1918, Serbia e rimori Maqedoninë, vrau e preu elitën bullgare të saj, përmes shkollave dhe kishës, u përpoq t’i bindëte se nuk janë bullgarë por serbë të gjithë ata banorë që flisnin gjuhën sllave.

Megjithkëtë identiteti bullgar kishte lëshuar tashme rrënjë dhe rezistenca bullgare në Maqedoni ishte më e fuqishme se ajo shqiptare në Kosovë. Derisa akti më madhor i irredentizmit shqiptar në Kosovë ishte zënia peng e komandantit të xhandarmërisë serbe në Mitrovicë nga ana e Shote Galicës, irredentistët bullgarë të Maqedonisë vranë kryeministrin e Bullgarisë Aleksandar Stambolinskin më 1921 për shkakun që nënshkroi paqe me Beogradin duke i prerë dhe ekspozuar dorën me të cilën nënshkroi "aktin e tradhtisë". Ndërsa 1934 në Marsej të Francës irredentistët bullgarë të Maqedonisë, të organizatës VMRO vranë edhe vetë mbretin serb Aleksandar II Karagjorgjeviq.

Më 1941 Bullgaria ia rimerr Maqedoninë Serbisë. Shqipëria merr qytetet shqiptare të Maqedonisë, pos Shkupit e Kumanovës të cilat i mbesin Bullgarisë. Deri më 1945 funksionoi kisha bullgare dhe shkollat bullgare. Madje edhe ilegalët komunistë të asaj kohe në Maqedoni ishin të lidhur me Partinë Komuniste Bullgare. Partia Komuniste e Jugosllavisë mezi gjeti Llazar Kolishevskin për ta bërë për vete.

Më 1945 Serbia ia rimori Bullgarisë Maqedoninë. Terrori serb mbi eliten bullgare në Maqedoni ishte shumëfish më i madh se ndaj shqiptarëve në Kosovë. Mësuesit, nëpunësit, ushtarakët, xhandarët, priftërinjtë, e një fjalë e gjithë shtresa e lartë dhe e mesme u ekzekutua.

Megjithkëtë, pas gjithë asaj çfarë kishte ndodhur, Beogradi nuk pretendoi më serbizimin e bullgarëve, por doli me idenë e shpalljes së kombit maqedon dhe shpikjes se etnisë maqedone. Dmth, meqë nuk qenkenit serbë, atëherë nuk jeni as bullgarë. Nga ky fakt u traumatizuan edhe shqiptarët e Kosovës sa që edhe sot 70 vite më mbas, kur u permendet se tani shqiptarët e Kosovës janë komb në Kosovë, halucionojnë sikur dikush po u shpikë një etni të paqenë, sikur të qenët komb kosovar u dashka të thotë se më nuk je me etni shqiptar, edhe pse Ahtisaari me planin e tij komunitetin etnik shqiptar e sanksionon si komb.

Është interesante se në fjalorin e gjuhës shqipe as që ekziston fjala maqedon (përkatësi kombëtare si italian, gjerman etj ), por vetëm fjala maqedonas (përkatësi territoriale si tiranas, beratas etj).

Po perderisa lindja e një kombi të ri është një rezultat politik, shpikja e një etnie të paqenë kërkon shtrembërime të shkencës dhe sforcim të identitetit të stisur.

Megjithëkëtë ndjenja bullgare në Maqedoni sadoqë u venit nuk u shua kurr.

Më 1990 sapo paraqitet mundësia e pluralizmit politik në Maqedoni formohet partia me emrin historik VMRO dhe shtesen DPMNE, me logon me luanin me kurorë mbretërore që është simboli kombëtar bullgar.

Amerikanët tregohen të kujdesshëm dhe nuk ndihmojnë VMRO të vijë në pushtet për shkakun se kjo do të hapte vatren e luftës edhe në jug të Ballkanit, gjë që amerikanët do ta kishin më vështirë ta mbanin nën kontrollë situatën në Ballkan perderisa zjarri i luftës veç po fillonte në Slloveni, e pastaj Kroaci e kështu me radhë. Amerikanët ndihmuan të marrin pushtetin më liberalët në mesin e ish-komunistëve, përkatësisht më jo anti-bullgarët në mesin pro-serbëve: Presidentin Kiro Gligorov dhe kryeministrin Nikolla Klusev, për të realizuar pavarësimin e Maqedonisë pa luftë.

Por, pas problemeve që aleati i natyrshëm i Serbisë, Greqia, i paraqiti Maqedonisë, forcat proserbe ne krye me Cervenkovskin e LSDM e marrin pushtetin. Pasi merret qeveria e Maqedonisë nga proserbet, ato tentojnë ta marrin edhe Presidencën .

Më 1995 organizohet atentet ndaj Presidentit Kiro Gligorov, i cili nuk u zbardh kurr. Presidenti u plagos rëndë por shpëtoi.

Më 1998, po afrohej koha kur Perendimi duhej të intervenonte në Kosovë, dhe një regjim pro-serb në Maqedoni do t’ishte pengesë e madhe. Perendimi ndihmoi VMRO-DPMNE pro-bullgare në krye me Lubçe Georgievskin. Më 1999 Boris Trajkovski, poashtu nga VMRO-DPMNE, u zgjodh President i Maqedonisë.

Më 2004 avioni i Presidentit Trajkovski rrëzohet afër Mostarit në Bosnje dhe hetimet akoma vazhdojnë. Me gjasë të mëdha, një atentat i forcave pro-serbe, pasi vendin e tij e zuri Cervenkovski pro-serb.

Dhe derisa LSDM bie në dorë të pro-bullgarëve, pro-serbët e marrin VMRO-në. Natyrisht, politikanëve maqedonë nuk u shkruante në ballë se kush është pro-bullgar e kush pro-serb derisa ata nuk vinin në pushtet dhe e tregonin veten.

Fuqia e Gruevskit rritej për dy arsye: E para se udhëhiqte një parti që tradicionalisht ka qenë bullgare, dhe e dyta se gëzonte përkrahjen e armiqëve më të përbetuar të bullgarëve: serbëve dhe grekëve. Derisa në njërën anë nuk lëshonte pe asnjë milimeter ndaj kërkesave absurde të Greqisë për emrin, Greqia po bëhej eksportuesi më i madh në Maqedoni. Në kohën kur Perendimit i duhej që Maqedonia të jetë në NATO, Greqia në njërën anë e Gruevski duke mos lëshuar pe, i bënë qefin Rusisë. Nuk kishte asgjë jo patriotike që të pranohej emri Republika e Maqedonisë Veriore, por nuk e bente ngaqë donte pretekst për të mos hyrë në NATO. Hashim Thaçi, ta zëmë, ka bërë lëshim shumë më të madh kur lejoi që emrin ndërkombëtar i shtetit të Kosovës të jetë "Kosovo" e jo "Kosova".

Perëndimi e kuptoi se kush na qenka Gruevski tek kur u shfaq hapur si pro-rus, por ai tashmë ishte tepër i fuqishëm.

Në zgjedhjet e vitit 2014, të paktën institucioni i Presidentit kishte mundësi të merrej nga forcat pro-perendimore nëse shqiptarët do të votonin për kandidatin e LSDM, Stevo Pendarovski. Autori i këtyre rreshtave e ftoi në Prishtinë dhe paraqiti para studentëve kandidatin e LSDM për President të Maqedonisë Pendarovski vetëm 2 ditë perpara balotazhit dhe u bëri ftesë publike shqiptarëve të Maqedonisë ta votojnë atë. Të njëjtën gjë e bëri edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Duke e ditur që Gruevski do ta merrte sërish qeverinë, Ali Ahmeti e Menduh Thaçi nuk deshën ta dëgjojnë as Hashim Thaçin e as diplomatët perëndimorë dhe i mundësuan fitoren kandidatit pro-serb të bëhet president i Maqedonisë.

Tani kur Edi Rama paraqitet me retorikë nacionaliste përballë Maqedonisë, ai gëdhendë me sopatë në këmbë të Shqipërisë. Shteti maqedon është krijesë amerikane. Të luftosh kundër krijesës së aleatit tënd strategjik do të thotë të bësh vetëvrasje politike.

Nëse do të zhbëhej Maqedonia, territoret e saj më më shumë gjasë do t’i merrte Serbia se sa Bullgaria, Shqipëria apo Kosova. Kësaj të fundit, luftëtarët e saj më me eksperiencë iu zunë në grackë e i u kthynë në arkivole.

Nëse Edi Rama dëshiron të dëshmohet patriot, atëherë ai së bashku me Hashim Thaçin duhet t’i kërkojnë takim kryeministrit të Bullgarisë, Borisov, në mënyrë që të tretë së bashku ta takojnë Zoran Zaevin, dhe tu bëjnë thirrje bullgarëve/maqedonëve, shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve të Maqedonisë ta përkrahin Zaevin. Kësisoj t’i hapin rrugë Maqedonisë për NATO e BE dhe jo ta pengojnë atë në këtë rrugë