LAJMI I FUNDIT:

Edi, ku je?

Edi, ku je?

Në margjinat e agresionit rus në Ukrainë, po shpërfaqet hapur një përpjekje tjetër për hapjen e një fronti të ri të luftës.

Shteti që hapur përkrah pushtimin rus në Ukrainë – e bashkë me të edhe gjenocidin që po kryen ushtria e Vladimir Putinit (ashtu sikur bëri ushtria serbe në Bosnje dhe Kosovë në vitet 90-ta) – tash e sa kohë hapur ka proklamuar e, së fundmi, edhe po provokon konflikt në veri të Kosovës.


Një javë pasi raketat nga Kina zbarkuan në Serbi, për disa ditë rresht Policia e Kosovës u sulmua në veri të vendit tonë.

Kjo që po ndodhë në veri nuk është veç një alarm, por edhe një ogur i zi. Po ndodhë ajo për çfarë tash e disa muaj ishin të paralajmëruara institucionet tona, por edhe ato ndërkombëtare, se Rusia e Kina duan ta destabilizojnë Ballkanin.

E, për destabilizmin e Ballkanit, rusët e kinezët kanë dy “xhokerë” të fuqishëm në Ballkan, Aleksandar Vuçiqin e Millorad Dodikun.

Që nga përfundimi i luftës në qershor 1999, kur mbi lumin Ibër në Mitrovicë u vendos kufiri i ndarjes etnike, botërisht është ditur se në veri të vendit veprojnë struktura paralele serbe. Veriu është i kontrolluar nga struktura kriminale të shtetit të Vuçiqit. Së fundi po veprojnë hapur bandat kriminale serbe.

E gjithë kjo nuk po ndodhë rastësisht. Sulmet në veri vijnë pas një fushate të egër propagandistike të shërbimeve të Vuçiqit në Kosovë, përmes grafiteve pro-ruse dhe ndonjë “atakimi” në pronat dhe objektet fetare serbe.

Sulmet mbi pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhën pasi veriu i vendit tonë u “dekorua” me koreografi ruse, posterë të Putinit dhe simbolin “Z” të agresionit rus në Ukrainë.

Edhe para agresionit rus në Ukrainë, lufta gjithmonë ishte si kryefjalë kërcënimi ndaj Kosovës në fjalorin “diplomatik” të Vuçiqit dhe vartësve të tij.

Kërcënimi i fundit me mësymje ushtarake ndaj Kosovës erdhi në kulmin e pezmit serb për mos lejimin e mbajtjes së referendumit dhe zgjedhjeve serbe në Kosovë. Ky ishte momenti i duhur që Vuçiqi e Vulini të tregojnë se i kanë nën kontroll zyrtarët serbë me pozita të larta në Qeverinë, Kuvendin, gjyqësorin dhe Policinë e Kosovës.

Dhe, pasi të gjithë këta zyrtarë të lartë serbë të Kosovës iu rreshtuan Vuçiqit në takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që u mbajt në Beograd më 22 mars, mjaftoi suspendimi i kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë që zëri i Vuçiqit, Vulini, të dalë e të thotë se “ky është hapi i parë drejt përfshirjes së Serbisë në konfliktet e armatosura në Kosovë”.

E mbajti fjalën ministri serb i Policisë.

U bënë hapat e parë drejt provokimit të konfliktit të armatosur. Grupet kriminale sulmuan Policinë e Kosovës. Kjo zyrtarisht u bë e ditur tek në ditën e pestë kur mbi policinë u hodhën granata dhe u shtie me armë automatike. Ndaj këtij sulmi pati reagime të menjëhershme nga institucionet e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar në vendin tonë. Reagoi edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeparlamentarja e Shqipërisë, Lindita Nikolla, por jo edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Tri ditë para se të bëheshin publike sulmet mbi Policinë e Kosovës, kur liderë të vendeve të rajonit reaguan dhe po e shihnin me shqetësim arritjen në Serbi të raketave të sofistikuara kineze, Edi Rama doli në mbrojtje të Serbisë së Vuçiqit. Si një trim i vërtetë doli e tha “nuk jam i shqetësuar për armatimin serb. Nuk shoh se si një sistem mbrojtje nga raketat mund të jetë kërcënues”. As Vuçiqi e as Rama nuk treguan se nga kush dhe si po kërcënohet Serbia.

Ashtu, siç e di Vuçiqi, duhet ta dijë edhe Rama që, sikurse Rusia edhe Serbia, nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, kanë bërë luftëra pushtuese dhe asnjëherë mbrojtëse. Edit – që po provon të sillet si “baba i shqiptarisë” – aspak nuk i bënë përshtypje sulmet me kallashnikovë e bomba mbi policinë e Kosovës. Ai, madje nuk e mori mundin të reagojë as si një burrështetas i një vendi fqinj, apo edhe si Brukseli – të kërkojë vetëpërmbajtje … I ekzaltuar, pak ditë më parë e cilësoi inkurajues faktin se Serbia ka votuar pro dy vendimeve kundër Rusisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Cilat vendime, z. Rama?

Një rezolutë të cilën e votuan 140 vende për dënimin e agresionit rus dhe vendimin për pezullimin e Rusisë nga këshilli i të Drejtave e Njeriut të OKB. Rama, a duhej të vazhdonte Rusia e Putinit të jetë pjesë e një këshilli për të drejtat e njeriut, pas gjenocidit që po kryen në Ukrainë?

Vota serbe pro është veç një mashtrim, sepse e njëjta Serbi nuk do as të dëgjojë për sanksione ndaj Rusisë. Përkundrazi, Beogradi zyrtar dhe populli serb hapur janë rreshtuar pro agresionit dhe gjenocidit rus mbi popullin e Ukrainës. Dhe, në tërë këtë situatë, kur i tërbuari i Kremlinit po e kërcënon me luftë jo veç Ballkanin, por edhe Evropën, Edi vazhdon të ëndërrojë “Ballkanin e hapur”.

Pak ditë më parë i quajti përfaqësues të turbofolkut nacionalist ata që e kundërshtojnë nismën e tij dhe Vuçiqit për “Ballkanin e hapur”. Po z. Rama, Vuçiqi më shumë se ti është i interesuar për “Ballkanin e hapur”, si një mënyrë që ta rikthejë edhe njëherë Serbinë në Kosovë, por edhe në Shqipëri (sikurse e pat futur Enver Hoxha, Jugosllavinë e Titos – pas Luftës së Dytë Botërore – për t’ia eksploatuar pasuritë tokësore e nëntokësore shtetit shqiptar). Edi, “Ballkani i hapur” është një iluzion i juaji dhe një projekt ogurzi i Vuçiqit për detin e hapur, naftën shqiptare …

Apo, ndoshta përmes këtij projekti Edi do ta bëjë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, siç pati thënë më 26 nëntor të vitit 2021, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive shqiptare, se në një referendum paqësor për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, do të votonte hapur PRO. Dhe, pati thënë se kjo një ditë do të ndodhë.

Z. Rama, Serbia po e kërcënon Kosovën me luftë! Serbia nuk po armatoset për t’u mbrojtur, sepse s’po e kërcënon askush. Vuçiqi i Millosheviqit dhe Putinit po e kërcënon një shtet dhe një popull, mbi të cilin dy dekada më parë Serbia kreu gjenocid dhe deshi ta shfaroste. /Telegrafi/