LAJMI I FUNDIT:

Edi Hila, për censurën dhe artin e rilindur

Edi Hila, për censurën dhe artin e rilindur

“Edi Hila, Piktori i Transformimit”, quhet ekspozita e parë retrospektive e piktorit të njohur, që në Galerinë Kombëtare të Arteve merr një dritë të veçantë. Ekspozita vjen në Tiranë, pasi u hap në Muzeun e Artit Modern në Varshavë, në Poloni, me titullin “Edi Hila Monograhpy”, ku u cilësua nga kritika si “piktori i transformimit”. Edi Hila këto vepra i ka lidhur me problematikën e Shqipërisë së dikurshme (përfshirë kohën kur ishte internetuar për punë të detyrueshme në një pulari), pa e humbur lidhjen me ndryshimet e sotme. Pikturat e Hilës në këtë ekspozitë kanë dramë, ironi, dhimbje, por mund të shihen qartë si dëshmi vizuale e një Shqipërie që qëndron në një gjendje të përhershme të tranzicionit. “Në pikturat e tij Hila eksploron fenomene të rëndësishme të jetës dhe të historsië globale”, është shprehur kuratorja Kathrin Rhomberg.

Suksesi i ekspozitës në Varshavë…?


Puna ime retrospektivë u ekspozua në Varshavë dhe atje ishte shumë më lehtë të prezantoja vetveten, sesa në Shqipëri. Këtu vihem në pozitë, se i kam të gjithë miqtë e mi. I gjithë aktiviteti është një kompleks emocional dhe përgjegjësia për atë që prezantoj përmes pikturës për publikun shqiptar është shumë herë më e madhe. Kjo është retrospektivë që tregon në mënyrë të reduktuar një krijimtari që nuk është e lidhur vetëm me pikturën, por edhe me ndryshimet sociale dhe politike që ka pasur Shqipëria gjatë trancizionit. Gama dhe realiteti i veprës sime dhe mesazhi asaj që kërkoj është më e gjerë dhe nuk është vetëm çështje piktorike. Por, sigurisht dhe për mënyrën sesi e kam kërkuar artin brenda vetes sime, asnjëherë nuk e kam shkëputur preokupimin për zanatin, profesionin. Problemet e jetës nuk janë shkëputur asnjëherë nga problemet e profesionit, sepse unë vetëm pikturoj, nuk mund të bëjë asnjë punë tjetër.

Jemi përballë pikturës suaj (“Mbjellja e pemëve”) që ka qenë një nga më të përfolurat vitet e fundit, për shkak se u krijua në një kohë që kërkohej të ndiqej një metodë e caktuar e socrealizmit. Duam të dimë se cili ka qenë qëndrimi juaj emocional dhe mental, ndërkohë që ishit duke krijuar këtë vepër?

U krijua në vitin 1970, por përfundoi në vitin 1972. Siç e dini pati një shpërthim të artistëve për të krijuar në mënyrë të pavarur dhe personale. Në këtë kuptim ne çuam deri në fund iluzionin tonë për të bërë një art siç e mendonim. Doli dhe “Mbjellja e pemëve” si rezultat i kësaj fryme. Dhe unë e kam pikturuar lirshëm dhe nuk kanë kaluar më shumë se dy javë për t’u realizuar kjo pikturë. Kjo ka çliruar edhe atë entuziazëm krijues, por ky entuziazëm nuk zgjati shumë. Më në fund dolën edhe studentët me kritikat e tyre se “po largohen artistët nga vlerat e artit kombëtar”, se “po shihen në piktura gjurmë të artit perëndimor” etj. Për mua kjo është një pikturë optimiste. S’ke ç’i thua për optimizëm, por ky optimizëm nuk ishte sipas kërkesave të realizmit socialist. Me sa duket, optimizmi human nuk ishte deri në fund optimizëm revolucionar. Patjetër kanë ndikuar edhe ata që nuk e kanë pëlqyer faktin që doli një artist i afirmuar, sepse kishte dhe artistë të popullit e me tituj të tjerë, dhe të gjitha këto ndikuan që kjo vepër pati fatin e keq që u censurua, por dhe fatin e mirë. Them patën edhe fatin e mirë, sepse u mbyllën në një dhomë të errët, ku çelësat i mbante Ministria e Arsimit, dhe për shkak sepse u harruan për 50 vjet në atë dhomë të errët, së bashku me pikturën e Edison Gjergos, “Epika e yjeve të mëngjesit”, të cilat u kritikuan së bashku, arritën të ruheshin mjaft mirë.

Çfarë ndodhi me drejtimin tuaj artistik, me stilin, pas kësaj goditjeje që t’u bë pikërisht për thelbin tënd krijues?

Ajo që ndodhi më pastaj ishte sigurisht rezultati i kritikave që u shoqëruan edhe me kritika të tjera në festivalin e 11-të, kur unë bëra dekorin e këtij festivali. U kritikova se për herë të parë në Shqipëri nuk u vu kazma dhe pushka. Dhe, këto kritika vijuan edhe kur u bë një plenum i posaçëm i Partisë për të frenuar tendencat moderne në krijimtarinë artistike. Nga ana tjetër, kjo periudhë ka qenë frymëzuese dhe nxitëse në lidhje me qëndrimin tim artistik, në afirmimin e eksperiencave të komunikimit dhe transmetimin e mesazhit krijues, jo vetëm në përmbajtje, por edhe në format artistike. Unë për të bërë një vepër mbështetem tek e vërteta jetësore, duke ruajtur lirinë e shprehjes artistike.

Janë disa tablo që i përkasin së njëjtës tematikë në këtë ekspozitë…!

Unë e ndjej se jam në pozicionin e duhur pas një periudhe të gjatë pune. Për të kuptuar se çfarë mendoj unë, punoj me seri. Unë realizoj për një ide 7-8 tablo dhe gjej mundësi për ta shprehur atë ide në forma të ndryshme. Pastaj për të dalë në aspektin estetik, dua të dalë që në atë pikë që kur e nxjerr pikturën në publik, kushdo që e sheh, të kuptojë e të thotë se kjo është piktura ime.

Ja këtu kemi Bulevardin e Tiranës…

-Ky është një subjekt tepër i njohur, që të gjithë e kemi konsumuar në rininë tonë në gjenerata të ndryshme. Dhe ne ishim të rinj, vajza dhe djem që dilnim në këtë bulevard dhe e kishin harruar faktin që anash tij kishte edhe roje me automatik. Dhe, përsëri bulevardi mbetet skena dhe platforma ku janë zhvilluar dhe zhvillohen të gjitha ngjarjet, me manifestime, me protesta. Është një monument i rrallë, dhe ne do të kuptojmë se Tirana ka një bulevard me një fizionomi të vetën dhe mënyra sesi do ta transmentojë këtë ndjesi, aspekti artistik të shtyn drejt racionalitetit. Në atë bulevard jemi përplasur me historinë që ka prodhuar politika gjatë viteve: parakalimet madhështore ushtarake, festat e komanduara nga diktatura komuniste, e të tjera demonstrime. Ky bulevard arriti ta zmadhojë imazhin e qytetit në nivelin e metropolit.

Hija e rëndë që transmetojnë fasadat e ndërtesave të kohës së fashizmit, si ajo e Kryeministrisë, ndërtesa e Komitetit Qendror të dikurshëm, Universiteti përballë, e të tjera, të krijojnë ndjesinë e misterit që e bën unikë këtë bulevard. Të gjitha këto ndjesi kanë qenë shtysat kryesore në punën time me këto tablo. Por, këtu krijohet edhe një marrëdhënie me arkitekturën, ndaj gjatë pikturimit të tablove unë jam orientuar kryesisht nga estetika racionale që të drejton te konceptimi formal i kësaj pikture. Shpesh ne harrojmë se temat që duhen trajtuar janë shumë pranë nesh, e ne vetë jemi pjesë e tyre, jemi të përfshirë dhe nuk e dallojmë shpesh atë të veçantë që e kemi brenda këtij kryeqyteti ku jetojmë.

Kështu ka ndodhur me bulevardin, në të cilin kemi kaluar rininë e jetën tonë. Aty jemi njohur e dashuruar, dhe kur kthehemi tek ky bulevard, përjetimi i asaj që shohim si rreptësia e formave dhe volumeve, hapësira ndërmjet tyre, mendoj se do t’i shërbenin më mirë atmosferës së tendosur që ka shoqëruar gjatë viteve marrëdhënien e qytetarëve me të, dhe atë të shumë brezave që kanë përjetime me këtë bulevard. Kam dashur ta pikturojë bulevardin pikërisht nga ky këndvështrimi.

Kjo grua e moshuar që me stërmundim përpiqet të drejtojë pultin për të ndjekur televizorin….

Është nëna ime. Është në momentet e fundit të jetës. Ishte e sëmurë dhe në momentet e fundit ajo të vetmin lehtësim për të ikur nga kjo botë kishte ekranin e televizorit. Është një portret shumë i dashur, pjesë e imja.

Interesante tendat…

Emigracioni shqiptarëve është një temë që më ka prekur, në fakt ndihen pasojat gjithandej. Kjo është një temë që e trajtova edhe në “Dokumeta 14” në Athinë, Tenda mbi çatinë e makinës tërhoqi vëmendjen kritikës, dhe pas kësaj erdhi edhe ekspozita e Varshavës. Atëherë ideja lindi fare thjesht; që nga ai momenti i blerjes së një tende që përdoret në turizmin e egër dhe ideja e montimit të saj mbi makinë ishin simbole shumë provokuese dhe domethënëse për mua – duke u nisur nga marrëdhënia e ngushtë që ka tenda me arkitekturën. Kjo punë erdhi si rezultat i përjetimeve të sinqerta të realitetit në të cilin jetoj.

Çadra është një zgjidhje e menjëhershme për mbijetesë që mbart misterin e vet. Ajo të nxitë në ikje, në izolim. Garanton qetësi, por në të njëjtën kohë është një siluetë e lëvizshme dhe kërcënuese. Sigurisht e gjithë kjo u vendos në kontekstin e ekspozitës së Athinës dhe Athina vetë është një nga portat kryesore që pret emigrantët nga deti. Tablotë e mija përqendrohen pikërisht rreth kësaj teme. Ato shprehin me sa munden aventurën dramatike njerëzore te kohëve moderne. Por, meqenëse tenda vjen nga antikiteti në formën e mendimit poetik, estetika e re nuk mund te jetë asgjë veçse ajo e makinës.

Se unë vetë pushimet e verës i bëj me çadër, dhe kam blerë një çadër që montohet mbi çatinë e makinës. Në këtë seri unë nuk kam qenë aspak indiferent; kam pasur një tërheqje mjaft serioze ndaj tematikës për të dhënë krahasimin me emigracionin. Makina është sinteze e një kohe të re, fryme të re, është arsyeja, është estetika, është poezi është arkitekturë, dhe pa dyshim, është histori, ndërsa tenda nuk është gjë tjetër veçse ndalesë e shpejtë dhe zhvendosje nga një destinacion në tjetrin.

Tani jemi tek vizatimet e shumë viteve më parë…

Kryesisht këto vizatime i takojnë kohës kur kam punuar në pularinë e qytetit, në të cilën kam kryer një masë riedukimi pranë klasës punëtore, siç quhej atëkohë. Aty ka qenë një personazh interesant që bluante sojën. Nuk e di nëse e përfytyroni, por ishte një punë e rëndë që të zinte frymën. Kishte shumë fëmijë dhe punonin në këtë punë të vështirë se paguhej pak më tepër. S’kam për ta harruar kur më tha me një humor të hollë: “Po kur të kanë sjellë për të dënuar ty, edhe ne që punojmë qenkemi të dënuar”! Unë isha vendosur në këtë realitet si një vazhdues i heshtur duke rënë në kontakt shumë të afërt me një realitet të cilin nuk e kisha njohur më parë, dhe me trysninë psikologjike që kisha prej faktit se isha duke kryer një dënim, sidomos në një regjim diktatorial kaq të egër, ndaj reagimi im ka qenë kompleks dhe është shprehur përmes këtyre vizatimeve. /Dhurata Hamzai/Shqiptarja/