LAJMI I FUNDIT:

Edhe sot në Shtërpcë protestë kundër ndërtimit të hidrocentralit

Edhe sot në Shtërpcë protestë kundër ndërtimit të hidrocentralit

Edhe sot, banorët e fshatit Biti të Shtërpcës kanë protestuar kundër ndërtimit të hidrocentralit në lumin Lepenc.

Në përkrahje të tyre ka dalë edhe Federata e Bjeshkatarëve “Alpinistët e Kosovës” ku bashkë me ta është parë edhe alpinistja Uta Ibrahimi.


Në këtë protestë është bërë sërish thirrje që të mos ndërtohet hidrocentrali në lumin Lepenc, për të cilin banorët thonë se do t’ua vështirësonte jetën.

Disa nga pankartat që protestuesit i kanë mbajtur në duar kanë qenë “Uji është jetë”, “Mos na e varrosni Lepencin” dhe të tjera, njofton Klan Kosova.

Ndryshe nga ajo që kishte ndodhur disa ditë më herët, kjo protestë ka përfunduar e qetë, pa ndërhyrje të Policisë dhe banorët tashmë kanë nisur të shpërndahen.

Ditë më parë, në protestën e banorëve të Bitisë së Poshtme të Shtërpcës kishte ndërhyrje të policisë ku ishte përdorur edhe gaz lotsjellës.

Protestuesit ishin përballur me rezistencë të forcave të policisë derisa ishin duke kundërshtuar punimet që po vazhdojnë për ndërtimin e hidrocentralit.

Protesta kaloi me përleshje ndërmjet banorëve dhe policisë, ku mes të lënduarve pati edhe fëmijë.

Banorët e këtij fshati të Shtërpcës i kanë shpeshtuar protestat gjatë muajve të fundit, kur rifilluan punimet – që kanë nisur tash e sa kohë – për ndërtimin e një hidrocentrali.