Shteti gjerman i Bavarisë ka negociuar një “kontratë paraprake” për të marrë 2.5 milionë doza të vaksinës ruse Sputnik V, njoftoi të mërkurën udhëheqësi rajonal.

Sputnik V është ende subjekt i miratimit nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).

Kjo “kontratë paraprake është nënshkruar sot” tha Ministri-Presidenti, Markus Soder, një politikan konservator. Ai shtoi se “nëse Sputnik miratohet në Evropë, atëherë shteti i Bavarisë do të marrë doza shtesë të vaksinës”, raporton euronews.

R-Pharm Germany, një degë e gjigantit rus të prodhimit të ilaçeve R-Pharm, ka një linjë prodhimi në qytetin bavarez të Illertissen dhe është në një pozicion për të prodhuar vaksinën ruse, sipas disa mediave gjermane.

Shpërndarja e vaksinimeve në Bashkimin Evropian është kritikuar pasi po bëhet ngadalë dhe vendet e tjera anëtare – përkatësisht Austria dhe Sllovakia – kanë njoftuar tashmë se do të negociojnë për vaksinën ruse.

Hungaria aktualisht është e vetmja anëtare e BE-së që vaksinon qytetarët me Sputnik V. /Telegrafi/