Edhe një pyetësor për privatizuesit
Aksionari i vetëm aktual i ndërmarrjeve publike në Kosovë, qeveria e Kosovës ka vendosur që të fillojë privatizimin e shumë ndërmarrjeve të mëdha publike, përfshirë edhe atë më rentabile në Kosovë - PTK-në. Edhe pse menaxhmenti aktual i kësaj kompanie vazhdimisht krenohet me sukseset e arritura, qeveria mendon se megjithatë kjo dhe shumë kompani të tjera publike kanë nevojë për një performancë më të mirë operuese. E vetmja zgjidhje që aktualisht diskutohet nga qeveria për përmirësim të performancës së PTK-së është privatizimi i domosdoshëm i saj.
Ndonëse me një dozë rezerve rreth përshtatshmërisë së momentit të privatizimit dhe transparencës së këtij procesi, edhe faktori ndërkombëtar në frymën e marrëdhënieve reciproke konformiste që zhvillon me qeverinë e Kosovës, ka ofruar mbështetjen e vet për privatizimin e kësaj kompanie, duke vlerësuar se nga shitja e saj do të përfitojë shteti, ndërsa kompania do të lirohet nga ndikimi politik.
S’do mend se projekti i privatizimit të PTK-së dhe ndërmarrjeve tjera publike, nëse do të udhëhiqej në mënyrë profesionale e transparente dhe pa u ndikuar nga grupet e interesit do të krijonte një bazë të mirë për investime dhe një ambient të përshtatshëm për investitorët e mundshëm potencial dhe si i tillë do të sillte përfitime për të gjithë e sidomos për shtetin dhe qytetarët e vendit.
Megjithatë, përvoja relativisht e hidhur e deritanishme e procesit të privatizimit në Kosovë, mbase edhe në rajon, ka ndikuar që edhe çështja e privatizimit të PTK-së të bëhet objekt i një diskursi të nxehtë publik. Ekspertë të ekonomisë, sindikalistë dhe përfaqësues të sferave të ndryshme të shoqërisë civile kanë alarmuar për pasojat që mund të sjellë privatizimi i PTK-së në këtë moment dhe në rrethanat aktuale.
Pyetja më e shpeshtë e cila akoma nuk e ka marrë përgjigjen adekuate është se cili është interesi i vërtetë i shtetit që ta privatizojë PTK-në dhe ndërmarrjet tjera publike pikërisht në këtë moment, madje edhe atëherë kur ato janë të suksesshme e fitimprurëse. Pastaj, cilat janë garancitë se të gjitha hollat nga ky privatizim do të derdhen në buxhetin e Kosovës e nuk do të kenë fatin e fondit të deritashëm të privatizimit në shumë prej afro 400 milionë eurosh, të cilin qeveria ose nuk po mundet ose nuk po e sheh të arsyeshme që ta prekë fare. A mund faktori ndërkombëtar në Kosovë të na bind se asnjë cent nga ky privatizim nuk do të shpërndahet diku në Serbi ose diku tjetër në emër të shlyerjes së ndonjë obligimi të Serbisë ndaj ndonjë pale të tretë?
Sidoqoftë, nëse thuhet se të hyrat financiare në buxhetin e Kosovës janë arsyeja më e fortë e shitjes së PTK-së, atëherë pse të mos shqyrtohet si alternativë edhe mundësia që qeveria të vazhdojë edhe më tutje të arkëtojë të hyra nga afarizmi i PTK-së. Nëse lidershipi vendor i është bindur teorisë se menaxhimi privat është gjithsesi më cilësor se ai shtetëror, atëherë pse të mos shpallet një tender ndërkombëtar për një menaxhment profesional për PTK-në, kur dihet se në perëndim funksionon tregu i menaxherëve dhe i ekipeve menaxheriale, ku kompani të specializuara ofrojnë ekskluzivisht shërbime të menaxhimit të nivelit botëror.
Në këtë mënyrë, objektivat për shërbime publike më cilësore dhe ngritje të performancës së ndërmarrjeve publike do të realizoheshin, kurse qeveria do të vazhdonte që si aksionar i vetëm i këtyre ndërmarrjeve edhe më tutje të mblidhte të hyra madje edhe më të mëdha për buxhetin e Kosovës. Po ashtu, para se të bëhet privatizimi në kushtet e tanishme, duhet menduar mirë se a do të pësojnë qytetarët e Kosovës nga shtrenjtimet evnetuale të shërbimeve.
Në Shqipëri është privatizuar rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike nga kompania çeke CEZ, e cila e ka vënë në pozitë të palakmueshme qeverinë shqiptare duke paralajmëruar një shtrenjtim të energjisë elektrike prej hiq më pak se 44% për dy vitet e ardhshme. Në të kundërtën, kjo kompani ka kërkuar rreth 60 milionë euro nga qeveria shqiptare nëse kjo e fundit nuk e miraton kërkesën për shtrenjtim të rrymës.
Në situatë të ngjashme është edhe qeveria e Maqedonisë me kompaninë austriake EVN e cila shpërndan energjinë elektrike në këtë shtet. Mospërputhjet e tarifave të larta të kompanisë private EVN dhe atyre të përckatuara nga rregullatori shtetëror i energjisë ka bërë që kjo çështje të kalojë në gjykata. Pikërisht këto lajme për përplasjet e qeverisë shqiptare me kompaninë çeke si dhe ato mbi kontestet gjyqësore të qeverisë maqedonase me kompaninë austriake paraqesin pengesën kryesore të hyrjes së investimeve të huaja në këto shtete.
Për shkak të vëllimit të madh biznesor të PTK-së, shumë kompani vendore kanë përfituar nga bashkëpunimi me këtë ndërmarrje publike. Shtrohet pyetja se në çfarë mase do të pësojë afarizmi i këtyre kompanive me PTK-në pas privatizimit. Pos paqartësisë së shumës së të hyrave nga PTK-ja e privatizuar në buxhetin e Kosovës në shtigje të gjata dhe shqetësimit për reduktime të sponsorimve të ngjarjeve kulturore e sportive, nuk është për tu neglizhuar aspak as çështja e afro 3000 punëtorëve aktualë të PTK-së pas privatizimit.
Të shqetësuar për fatin e tyre, sindikalistët vazhdimisht insistojnë që vazhdimi eventual i privatizimit të bëhet vetëm pasi të kryhen analiza gjithpërfshirëse të procesit të deritanishëm të privatizimit si dhe të eliminohen dobësitë që janë manifestuan në këtë proces në të kaluarën.
Një çështje tjetër shumë me rëndësi, sidomos për buxhetin e Kosovës është çmimi i shitjes së PTK-së. Ekspertë të shumtë të ekonomisë kanë paralajmëruar se në kushtet e një krize ekonomike, investitorët për shkak të dobësimit të fuqisë së tyre blerëse nuk ndihen të sigurt për të zgjeruar bizneset e tyre, që do të thotë se ofertat e tyre nuk do të jenë të favorshme siç do të ishin në kohën para krizës apo pas saj. Me fjalë të tjera, çmimi i shitjes së PTK-së nuk do të ishte i favorshëm nëse privatizimi do të kryhej në këtë moment.
Kriza globale ekonomike nga e cila ende nuk kemi dalë, ka ndikuar në rënien e vlerës së aksioneve të korporatave të shumta. Vlera e aksioneve të korporatave telekomunikuese madje ka filluar të bie edhe para fillimit të krizës globale, kështu që rënia e mëtutjeshme e tyre gjatë periudhës së krizës nuk ka qenë edhe aq e theksuar. Këto fakte tregojnë se nuk është racionale shitja e aksioneve të këtyre korporatave në këtë kohë kur çmimi i tyre është shumë i ulët. Veprim më i mençur do të ishte që të pritej një konjunkturë në bursat botërore, pasi kompanitë telekomunikuese nuk janë të tilla që akumulojnë humbje, por janë ndër kompanitë më rentabile në ekonomitë nacionale.
Kuptohet, ky veprim do të vlerësohej si i mençur me kusht që qeverisë nuk i nevojiten urgjentisht të holla nga jashtë për qëllime të tjera më të rëndësishme, siç mund të jenë mbulimi i deficitit buxhetor, përfundimi i projekteve infrastrukturore, përmbushja e premtimeve parazgjedhore (subvencionimi i çdo gjëje), shlyerja e borxheve të akumuluara e qëllime të tjera. Me fjalë të tjera, urgjenca me të cilën qeveria i është qasur procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike të bën të dyshosh se asaj i nevojiten dëshpërimisht të holla me qëllim të kapërcimit të suksesshem të zgjedhjeve të ardhshme.
Kur jemi te çmimi i shitjes së PTK-së duhet qartësuar edhe një gjë. A do të kërkojë hise në këtë çmim edhe operatori virtual me të cilin PTK-ja ka nënshkruar kontratë të bashkëpunimit?
Privatizimi, ndonëse i dëshmuar shpesh si i suksesshëm, është vetëm një model i ristrukturimit të ndërmarrjeve publike. Në skenarin e një krize ekonomike kur nuk është formësuar ideja rreth çmimit të shitjes e as mënyra se si do bëhet privatizimi se a do të jetë i plotë, i pjesshëm apo dhënie me koncesion, ku mungon një infrastrukturë e mirëfilltë ligjore dhe ku mbretërojnë shumë paqartësi dhe rrethana të tjera të disfavorshme për interesin e përgjithshëm nacional, çdo vendim konkret dhe final për privatizim do të duhej të mendohej më shumë se tri herë.
Procesin e privatizimit në Kosovë deri në shpalljen e pavarësisë e kanë udhëhequr ndërkombëtarët e mandatuar, të cilët mund të mos e kenë marrë aq shumë pranë zemrës perspektivën e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Udhëheqësit e tashëm të procesit të privatizimit, si qytetarë të tashëm dhe të ardhshëm të Kosovës duhet të tregojnë një shkallë më të lartë të përgjegjësisë qytetare e kombëtare mbase pse jo edhe të patriotizmit racional sepse një gjë e tillë nuk e pengon integrimin e vendit tonë në strukturat veriatlantike.
Sllovenia, si vend i rajonit, është anëtarësuar me të drejta të barabarta në të gjitha këto strutkura ndërkombëtare, mirëpo me nivelin më të lartë të pjekurisë shtetërore është treguar tejet e kujdesshme ndaj shtyllave kombëtare të zhvillimit ekonomik. Një qasje dhe qëndrim të tillë duhet ta dëshmojë edhe elita politike kosovare, nëse synon ndjekjen e shembujve të suksesshëm të integrimeve ndërkombëtare.



































