Edhe në Pejë nisin hetimet për manipulim të votave

Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me procesin e numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike.
Sipas njoftimit, autorizimi i parë për fillimin e veprimeve hetimore është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj.
Ndërkohë, veprimet e mëtejshme po zhvillohen me autorizimet e prokurorëve të caktuar nga Kryeprokurorja, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë.
Nga dita e sotme ka nisur procesi i intervistimit të komisionarëve, lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike. Ky proces, sipas Prokurorisë, ka për qëllim sqarimin dhe zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që lidhen me rastin.
Prokuroria Themelore në Pejë bën të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës.
Po ashtu, është bërë e ditur se Prokuroria Themelore në Pejë do ta mbajë të informuar opinionin publik për të gjitha zhvillimet e mëtejshme që lidhen me këtë proces hetimor. /Telegrafi/
















































