LAJMI I FUNDIT:

E thurur si bejte në poezi e rimë, ky është për zgjedhje opinioni im!

Për hajër na qoftë o milet, edhe pse jo sivjet, zgjedhjet e përgjithshme do të na mbahen shumë shpejtë.

Të kërkuara shpeshherë nga opozita, si dhe shoqëria civile përplot dëshpërime, po na vjen momenti i përshtatshëm, që sado pak të bëjmë ndryshime.

Andaj, fare nuk është me rëndësi se, a do të jenë ato të kohëshme, të parakohshme, zakonshme apo të jashtëzakonshme, kryesorja në këtë kohë për ne, janë më se të nevojshme.

Edhe nëse gjithnjë si hiç, në fund asgjë nuk do të del nga kjo punë, së paku, do të gëzohemi me premtime, mjaft prerje shiritash dhe inaugurime.

Për çdo shehër të Kosovës, pa dyshim, do të ketë miliona investime, nuk do të mungojnë as mbjellje fidanesh dhe gjelbërime. (edhe pse në atë zezonë është dimër dhe mund të ketë borë)

Nga të gjitha këto që i thash në rimë, kureshtjen time nga TA, patjetër do ta rris edhe një premtim. A thua, si në Prizren, edhe sa të tjera qytete, do të hapen në të ardhmen këso universitete?! Me rektor vendor apo të huaj – kjo fare s’ka rrëndësi, kryesorja se në çdo skutë dhe lagje, fëmijët tanë do marrim dijeni.

Nëpër: çerdhe, lokale, fabrika, shpija dhe uzina, politikanët tanë, tash e tutje rregullisht do të na vizitojnë. Nuk do t’i harrojnë invalidë të luftës dhe ushtarët (UÇK-së) trima, lot krokodili do të derdhen për skamnorët dhe jetima.

Përveç në gazeta, radio dhe televizion, imazhet me portretet e tyre, do ta pasurojnë kudo të përditshmen tonë. Do të ketë në to, sllogane të mërzitshme me lajka pa shije, sigurisht bashkimi i Mitrovicës, kujt më në mënd nuk do t’i bie.

E, mos t’i harrojmë premtimet për tolerancën zero ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, besa përmes arrestimeve ndërkohë, disa prej tyre EULEK-si, seriozisht ka për t’i befasuar.

Andaj, t’i hapim sytë o popull, e mos të biem pre e karremave të tyre të shkreta, sepse ata kurrë nuk mendojnë për ne, veçse për xhepa të veta. Sepse, ne jemi forcë, këtë herë armatë e të pakënaqurve si fuqi, të cilët gjithnjë të paluhatshëm, kemi besuar në liri.

Votën tonë të qëlluar, këtë herë t’ia hullim atij, që sinqerisht lufton për drejtat tona kombëtare dhe demokraci.