E theri për vdekje, Apeli lë në fuqi dënimin prej 14 vitesh për mitrovicasin - i dënuari kishte refuzuar të kryente marrëdhënie me viktimën

Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda dhe mbrojtësit së të akuzuarit K.M., duke e vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se Gjykata Themelore në Mitrovicë, departamenti për Krime të Rënda, të akuzuarin K.M. e ka shpallur fajtor për shkak të veprës penale vrasja duke i shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 14 vite.
“Në të cilin dënim i është llogaritur koha e kaluar nën masën e paraburgimit, dhe atë nga data 14.08.2023, e deri në përfundim të dënimit të shqiptuar. Të njëjtit i është vazhduar masa e paraburgimit nga data 20.02.2025, deri sa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar, ndërsa pala e dëmtuar në këtë çështje penale është udhëzuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike në kontest të rregullt civil juridik”, thuhet në njoftim
Tutje në njoftim thuhet se kolegji gjykues, ka vlerësuar pretendimet ankimore dhe ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe në shkeljet e pretenduara për të cilat përkujdeset edhe sipas detyrës zyrtare.
“Po ashtu, ka vërtetuar se gjykata e shkallës së parë ka proceduar me të gjitha provat personale dhe materiale, duke vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën është shpallur fajtor dhe të njëjtit i është shqiptuar dënimi përkatës ligjor”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 9 shtator 2024 kishte ngritur aktakuzë kundër Kemal Mustafës, të cilin e ngarkon se më 11 gusht 2023, rreth orës 23:29 deri në 23:45, në rrugën “UÇK” në lagjen Bair, Mitrovicë, brenda oborrit të spitalit rajonal, me qëllim që ta privojë nga jeta S.M., e goditi me thikë dhe i shkaktoi vdekjen.
Në aktakuzë thuhet se derisa i pandehuri Mustafa kishte qenë së bashku me djalin e tij të mitur A.K., duke mbledhur kanaçe nëpër kontejnerë të bërllokut, tani i ndjeri S.M., e kishte ndalur automjetin dhe e kishte thirrur të pandehurin Mustafa, dhe i kishte thënë që të shkojë në automjetin e tij për t’ia dhënë disa shishe dhe disa gjëra, ku më pas i pandehuri Mustafa kishte hyrë në automjet të tani të ndjerit S.M., dhe kishin shkuar në lagjen Bair dhe kishin hyrë në oborrin e spitalit, ndërsa i pandehuri Mustafa e kishte pyetur tani të ndjerin se pse e kishte dërguar aty, i njëjti thuhet se i kishte thënë që të zhvishet për të kryer marrëdhënie seksuale.
Sipas aktakuzës, thuhet se i pandehuri Mustafa kishte refuzuar të kryente marrëdhënie me tani të ndjerin, i cili kishte vazhduar të insistonte dhe e kishte goditur me grusht të pandehurin, ndërsa i pandehuri Mustafa e kishte sulmuar viktimën me thikë 33 herë në trup, duke i shkaktuar plagë si pasojë e të cilave kishte vdekur, në bazë të ekspertizës së autopsisë për tani të ndjerin.
Me këtë, Mustafa akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/




















































