E mërkura “e zezë” në Shqipëri, katër aksidente rrugore me katër viktima brenda pak orëve

Katër të vdekur dhe tre të plagosur. Është ky bilanci i rëndë i aksidenteve rrugore në vend, gjatë kësaj të mërkure në Shqipëri
Një ngjarje tragjike u shënua në orët e pasdites në zonën e Qerekës, në Krujë, ku babai përplasi aksidentalisht me makinë të bijën e mitur, e cila ndërroi jetë në spital.
Ngjarja ndodhi në ambientet e biznesit të shtetasit A.S., i cili përplasi të bijën rreth 4 vjeçe.
Më herët, gjatë pasdites, një tjetër ngjarje tragjike u regjistrua në Bulqizë, duke u marrë jetën dy personave dhe plagosur një tjetër.
Të tre personat po ktheheshin nga puna në minierë, me një mjet tip “Nissan”, që ka dalë nga rruga, duke përfunduar 300 metra poshtë, e për pasojë u ka marrë jetën dy prej personave, ndërsa tjetri ndodhet në gjendje të rëndë te Spitali i Traumës, në kryeqytet.
Një tjetër aksident me të vdekur ndodhi po në orët e pasdites, në fshatin Hotesh të Dibrës.
Një grua u përplas aksidentalisht para shtëpisë së saj, teksa gjatë manovrave, drejtuesi i mjetit humbi kontrollin dhe bëri që makina të rrëshqasë jashtë oborrit. Pavarësisht përpjekjeve për ndihmë, gruaja ndërroi jetë nga dëmtimet e rënda.
Po ashtu, rreth orës 15:00, një aksident ndodhi në Dimal, në zonën e quajtur Parku i Qytetit, ku nga përplasja e dy makinave, mbetën të plagosur dy fëmijë që udhëtonin në njërin prej mjeteve.
Fëmijët 8 dhe 12 vjeç morën lëndime nga përplasja dhe u dërguan në Spitalin e Beratit, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.















































