LAJMI I FUNDIT:

E keqtrajtuar, e përbuzur dhe e harruar: Mallkimi që ndjek Artemisia Gentileschin!

E keqtrajtuar, e përbuzur dhe e harruar: Mallkimi që ndjek Artemisia Gentileschin!
Artemisia Gentileschi (autoportret)

Katër shekuj janë kohë e gjatë për të pritur drejtësinë, por Artemisia Gentileschi ende s’e ka marrë atë. Çfarë loje e tmerrshme, pasi u sulmua dhe u çnderua gjatë jetës, u harrua gjatë shekujve, e pastaj u injorua nga snobët e artit… artistja më e madhe, më revolucionare para kohërave moderne, tani është viktimë kulturore e koronavirusit, shkruan Jonathan Jones, transmeton Telegrafi.

“E shoh dhembjen në sytë e saj”
Lexo po ashtu “E shoh dhembjen në sytë e saj”

Galeria Kombëtare në Londër ka shtyrë ekspozitën “Artemisia”. Nuk kishte zgjidhje tjetër për veprat që do të vinin nga Italia e mbyllur. Kjo është gjë e keqe për këdo që dëshiron të shohë tek rregullohet një gabim. Dhe, kjo ekspozitë premtoi se do ta bënte këtë. Kohë më parë, gjatë verës së kaluar, e takova kuratoren vizionare Letizia Treves, për të zbuluar se çfarë planifikonte të përfshinte. U emocionova nga ajo që dëgjova.

Ekspozita do të përfshinte veprën e saj të mrekullueshme nga adoleshenca, “Suzana dhe pleqtë”, të cilën e nënshkroi më 1610, në moshë 17-vjeçare. Është realizuar mirë – babai i saj mburrej me saktësinë dhe se ajo tashmë mund të tejkalonte profesionistët kryesorë burra – megjithëse është një makth i pikturuar. Të dy pleqtë nuk e spiunojnë nga distanca Suzanën e zhveshur, në këtë skenë të ndriçuar me shkëlqim që ka arealen e De Chiricos. Ata zvarriten drejt saj; nuk i japin ndonjë hapësirë për të marrë frymë.

Kjo vepër pasqyron përvojën e vetë artistes që u abuzua nga dy burra. Më 1612, babai i saj Orazio Gentileschi ngriti akuzë kundër piktorit Agostino Tassi, për përdhunimin e së bijës së tij. Ishte një çështje gjyqësore në të cilën emri i Artemisias u nxi nga Tassi dhe dëshmitarët e tij mbrojtës, për çka iu nënshtrua torturave. Galeria Kombëtare planifikoi të përfshijë transkriptimin origjinal nga arkivat e Romës.

Më tronditi interpretimi i dokumentit për një biografi të re të Artemisia Gentileschit. Tassi pretendoi se ishte mësuesi i saj i artit, por e vërteta ishte shumë më e keqe. Në një situatë të ngjashme me atë që ajo e tregon te “Suzana dhe pleqtë”, Tassi dhe një zyrtar papal i quajtur Cosimo Quorli e ngacmuan dhe i bënin me muaj presion. Ky ishte një komplot kundër një gruaje të re që vepronte në zemër të Romës së papëve.

Ekspozita e Galerisë Kombëtare duhej ta shfaqte saktë këtë. Aty duhej të shfaqej piktura që besoj se u krijua në kulmin e këtyre ngjarjeve: “Judita pret kokën e Holofernesit”, që do të huazohej nga Muzeu Capodimonte në Napoli. Në të, Artemisia e çnderuar e pikturon një plan për vrasje. Dy gra të reja e sulmojnë një burrë. Por, si mund ta bëjnë? Me punë ekipore. Njëra ka hipur në shtrat për ta mbajtur, ndërkohë që tjetra – Judita, ose më mirë Artemisia – ia këput kokën. Ai është i vetëdijshëm, por nuk mund të bëjë asgjë. Gjaku i derdhet anës shtratit.

Por, si ishte si artiste? Mendoj se të gjithë pajtohen për madhështinë e saj, pasi do ta shihnin këtë ekspozitë. Kjo do të përfshinte “Juditën dhe shërbëtoren e saj nga” nga Pallati Pitti në Firence, në të cilën dueti vrastar shikojnë me kujdes natën; pastaj nudoja e “Kleopatras”; autoportretet e saj të zbuluara së fundi; dhe, “Alegoria e pikturës” nga Koleksioni Mbretëror.

Fjala është për një artiste të mallkuar. Artemisia Gentileschi duhej të luftonte ashpër për t’u njohur gjatë jetës së saj. Ajo e mbijetoi përdhunimin dhe sharjen publike. Letrat e saj të jashtëzakonshme për dashnorin, të gjetura në vitin 2011 dhe që duhej të shfaqeshin në këtë ekspozitë, zbulojnë se ajo gjithashtu e duroi një burrë të papunë, vdekjen e fëmijëve të saj, borxhin dhe prishjen me babanë e saj. Ajo u ndoq nga fat i keq: jo shumë kohë pasi gjete strehë të sigurt në oborrin anglez, patroni i saj Mbreti Charles i I-rë e nisi luftën me Parlamentin, për çka koka i pritet. Prerje kokash kudo që shihte. Duke ikur në Napoli, ndjeu erën e një revolucion tjetër të përgjakshëm. Ajo vdiq atje, me siguri më 1654. Varri i saj është i humbur.

Ashtu si Caravaggio, të cilin ajo ndoshta e takoi kur ishte fëmijë, drita dhe errësira e të cilit e frymëzoi, ajo u harrua në shekujt XVIII dhe XIX. Të dy ato u rizbuluan nga historiani i italian i artit, Roberto Longhi, gjatë shekullit XX. Gruaja e tij Anna Banti, e shkroi një roman të quajtur “Artemisia”, që është një klasik i neorealizmit. Por, teksa fama e Caravaggios u rrit, Artemisia ngeci deri vonë.

Të shpresojmë se nuk do të pres edhe shumë… /Telegrafi/