Një zgjedhje elegante për pothuajse çdo rast, sidomos kur kombinohet me një fund të gjatë

Deri më tani, Amal Clooney ka prezantuar një sërë kombinimesh shumë tërheqëse, si për mbrëmjet gala dhe tapetin e kuq, ashtu edhe për shëtitjet e përditshme apo pasditet e qeta. Megjithatë, paraqitja e saj e fundit në Venecia tërhoqi veçanërisht vëmendjen, sepse arriti ta ngrinte një veshje bazë në një nivel krejt tjetër.


Gjatë fundjavës së zgjatur që kaloi në Venecia me bashkëshortin George Clooney, me rastin e Festivalit të Filmit në Venecia, avokatja nuk zgjodhi për pasditen e ngrohtë italiane një bluzë të thjeshtë të bardhë. Në vend të saj, ajo u përcaktua për një alternativë po aq praktike dhe të kombinueshme: një bluzë të zezë elegante me rripa. Pas kësaj paraqitjeje, është e qartë se ky model meriton një vend në garderobën e këtij sezoni.

Për t’i dhënë modelit klasik me dekolte të rrumbullakët një dozë shtesë elegance, Clooney e kombinoi fillimisht me një rrip në bel, ndërsa më pas shtoi një fund të gjatë me motiv gjarpri nga koleksioni i Elie Saab.

Fundi i tejdukshëm, me shtresa dhe një të çarë të lartë në kofshë, i dha kombinimit veror një pamje të çlirët, por njëkohësisht të sofistikuar. Për ta kompletuar veshjen, ajo zgjodhi këpucë lëkure me platformë në nuancë camel dhe një çantë Chloé në të njëjtën tonalitet, me detaje të arta që ngjanin me bizhuteri. Syzet e mëdha të diellit e përmbyllën të gjithë pamjen, transmeton Telegrafi.

Dallimi mes bluzës së bardhë klasike dhe asaj të zezë me rripa qëndron kryesisht te karakteri i tyre: e para është më klasike, ndërsa e dyta më e çlirët dhe më sensuale. Sigurisht, bluza e bardhë kombinohet në mënyrë të përsosur me xhinse vintage, por a mund të krijojmë me të një pamje mjaftueshëm elegante që funksionon pothuajse në çdo rast? Jo gjithmonë.

Bluza e zezë me rripa, e kombinuar me një fund të gjatë e të lehtë, siç sapo tregoi Amal Clooney, mund ta bëjë këtë pa vështirësi. E njëjta gjë vlen edhe kur kombinohet me një fund të bardhë në formë A-je ose me pantallona të zeza me bel të ulët.

Edhe pse deri më tani ka mbetur disi në hije mes pjesëve bazë të garderobës, pas kësaj paraqitjeje të Amal Clooneyt, vështirë se bluza e zezë me rripa do të vazhdojë të mbetet në plan të dytë.

/Telegrafi/