Pedro Pascal ka reaguar me sinqeritet ndaj kritikëve që e cilësojnë si “shumë të vjetër” për rolin e tij të ri si Reed Richards në filmin “The Fantastic Four: First Steps”, që do të shfaqet në kinema më 25 korrik.

Aktori hollivudian, i cili ka mbushur pesëdhjetë vjeç, tha se është i vetëdijshëm për pritshmëritë e publikut, por beson se kjo periudhë e jetës së tij është më e mira deri tani.


“Është koha më e mirë e jetës sime”, u shpreh ai për AP News, duke shtuar: “Po kaloj një periudhë të mrekullueshme. Mendoj se dashuria e njerëzve për këta personazhe është e madhe dhe e ndjej presionin për ta nderuar atë”, shkruan DailyMail.

Ai pranoi se komentet negative ndonjëherë e prekin, por përpiqet të fokusohet te puna dhe pasioni që e lidh me aktrimin.

Në tapetin e kuq të një eventi në Londër, aktori i njohur nga “The Last of Us” dhe “Narcos” tha se do t’i japë rolit gjithë përkushtimin dhe energjinë e tij.

“E vetmja mënyrë për të përmbushur pritjet është t’i jap zemrën dhe shpirtin tim këtij roli”, u shpreh ai.

Pas publikimit të trailerit, fansat e Marvel u shfaqën entuziastë, duke vlerësuar atmosferën retro dhe qasjen ndryshe të filmit.

Përkrah Pascal-it do të shfaqen emra si Vanessa Kirby, Joseph Quinn, Julia Garner dhe John Malkovich, në një rikthim të shumëpritur të “Fantastic Four” në ekranin e madh.

Reagimet e publikut tregojnë se, pavarësisht moshës, Pedro Pascal është më i gatshëm se kurrë të sjellë një interpretim dinjitoz të një prej superheronjve më ikonikë të Marvel-it. /Telegrafi/