Dy vite pas kësaj ngjarje historike Kosova vazhdon me sukses të faktorizohet në nivelin ndërkombëtar duke u pranuar nga 65 shtete të OKB-së. Kosova vazhdon të dëshmojë stabilitet në rajon dhe me sukses po e realizon integrimin e serbëve të Kosovës në strukturat e saj shtetërore. Pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet e kaluara lokale dëshmon një progres pozitiv në ketë drejtim.

Nganjëherë fitohet përshtypja se udhëheqësit e Kosovës me popullin e saj të mrekullueshëm të cilët ishin bartës të luftës për liri dhe demokraci i kanë humbur ndjenjat patriotike dhe liridashëse, për t’i zëvendësuar ato me interesat e tyre personale.


Garat për përfitime materiale të udhëhequra në emër të zhvillimit ekonomik, infrastrukturës, tregtisë energjetikes... , dhe lufta jo e pastër për pushtet janë duke ja nxjerrë ngjyrën të gjitha vlerave që ata i fituan gjate luftës për liri në të gjitha format.

Nëse Diaspora shqiptare dje dha ç’do gjë për liri, e paraja këtu ishte vetëm njëri nga elementet me të cilat zhvilluan luftën, ata janë harruar pothuajse fare, kurse sot përfaqësuesit tanë legjitim në pozitë dhe opozitë, luftën më të madhe e bëjnë për përfitime personale.

Tani ketë fenomen negativ të shoqërisë sonë për të cilin edhe nga qarqet e BE-së gjithnjë e më shumë po marrim vërejtje duhet ta luftojmë seriozisht, sepse ky fenomen po shndërrohet në një sëmundje kancerogjene të pa shërueshme.

Kosova ka potencial intelektualë të shkolluar brenda dhe jashtë vendit me kualifikime universitare nga Amerika, Gjermania ,Zvicra etj, dhe këtyre duhet tu jepet shansi që projektet e ngjashme si ”Kthimi i trurit” të bëhen realitet dhe mos të mbeten vetëm si projekt i hartuar në letër.

Ne nuk duhet vetëm të flasim apo të shkruajmë por edhe të veprojmë që fati ynë mos të ngelet vetëm në dore të individit apo qarqeve të ngushta. Mos ta shprehim pakënaqësinë dhe pesimizmin vetëm gjatë makiato-bisedave por të ofrojmë propozime dhe projekte për ndryshim.

Elitave politike duhet tu ofrohen projekte konkrete dhe përfaqësuesit legjitim në Kuvendin e Kosovës të mos kënaqen me pasivitetin e tyre absolut të cilët presin të marrin pagat e tyre të majme sipas motos “zgjate zot këtë situate”. Për ketë gjë nuk mund të fajësohet askush nga partitë politike, por ne si qytetar të cilët e zgjedhim përfaqësuesin tonë i cili duhet të mbroj interesat tona.

Normalisht që papunësia e madhe dhe pagat e ulëta për policinë, arsimin, shëndetësinë e shërbyesit civil janë faktor që shprehin pakënaqësi në shoqërinë tonë por ne nuk duhet të harrojmë se gjendemi në fazën e shtetndërtimit.

Diplomacia e Kosovës

Hapja e përfaqësive tona diplomatike në qendrat kryesore botërore dhe akreditimi i diplomateve tanë u bë realitet. Tani lind pyetja se cila është rruga e suksesit dhe çfarë duhet të jetë roli diplomatik i përfaqësuesve të Kosovës jashtë shtetit; Roli i diplomatit dhe i çdo qytetari të Kosovës, jashtë vendit mund të jetë shumë i rëndësishëm kur ata gjejnë mbështetjen dinjitoze të qeverisë.

Diaspora shqiptare e cila nuk është duke fituar respektin dhe vlerësimin e merituar nuk guxon të lihet anash sepse fundamenti i lirisë të cilën ne e gëzojmë sot ka një histori të përbashkët me popullin izraelit i cili me ndihmën materiale dhe organizimin e diasporës, bëri luftën për themelimin e shtetit komb të cilin ky popull nuk e kishin.

Këtij grupi të përzgjedhur njerëzish duhet ti garantohet përkrahja e sinqertë dhe trajtimi i tyre dinjitoz e mos te shërbejnë vetëm si mbledhës taksash.

Shtetet e vogla me numër të vogël të personelit diplomatik duhet t’i kushtojnë kujdes të posaçëm arsimimit të tyre profesional, që duhet të jetë medoemos interdisiplinar. Shtetet e vogla zakonisht duhet të kenë diplomaci profesionale si shprehje të nevojës sa i përket profesionalizmit dhe të dijeve të shumta specifike.

Në fakt, diplomacia është shkathtësi e prezantimit të shtetit, që reflektohet në praktikë në veprime të shumta e të ndryshme të nxitjes, ndërmjetësimit dhe të lidhjes së kontakteve në rrafshin ndërkombëtar, që nga vëzhgimi, studimi dhe raportimi objektiv.

Gjithashtu, janë të llojllojshme format e realizimit të detyrës së mbrojtjes së interesave të shtetit të vet dhe të shtetasve të tij. Kuptimi i gabuar i mesazhit të shtetit partner mund të shkaktojë padashur komplikimet ndërmjet shteteve.

Ndër karakteristikat e rëndësishme të diplomatit të mirë bën pjesë edhe ndjenja për masë të caktuar dhe aftësia për vetëpërmbajtje, aftësia e komunikimit me njerëz, lidhja e kontakteve personale dhe miqësive.

Provë për secilin diplomat janë pikërisht etapat kur gjërat ndërmjet dy shteteve nuk zhvillohen siç duhet dhe kur interesat e dy shteteve për disa çështje kyçe janë kundërshtuese si ne rastin e Kosovës me Serbinë.

Derisa Serbia në mënyrë kategorike de jure e refuzon shtetësinë e Kosovës duke dërguar rastin deri ne GJND por de fakto me eksportin e mallrave të destinuara për tregun e Kosovës në vlerë mbi 300 mln euro në vit e ka pranuar shtetin e Kosovës.

Diplomati atëherë duhet të jetë i vetëdijshëm se marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe qeverive mund të prishen lehtë, të zbriten në nivelin më të ulët, por është shumë e vështirë të përmirësohen këto marrëdhënie dhe zakonisht kjo kërkon shumë më shumë kohë dhe angazhim.

Diplomacia serbe në këtë rast është duke e zhvilluar një diplomaci mbijetese në rastin e eksportit me Kosovën por njëkohësisht zhvillon edhe diplomaci konfrontuese në stilin e sistemit bipolar.

Serbia tani gjendet para një sfide të madhe të përcaktimit te saj se kah do të shkojë! Oferta për integrime në NATO dhe BE e cila pas një konsultimi të brendshëm pritet të vendoset me referendum do ishte rruga e duhur për të por njëkohësisht kjo dmth. edhe divorcimi i saj me Rusinë e cila do pushoj të mbështet Serbinë në OKB dhe ndoshta në një të afërme të shpejtë ta pranojë Pavarësinë e Kosovës.

Kjo nuk do ishte ndonjë risi e madhe pasi që me integrimin e Serbisë në strukturat euroatlantike do realizohej edhe pranimi i Kosovës nga vet Serbia.

Sidoqoftë gjërat po lëvizin dhe për ti dhënë kësaj lëvizje një kah të mirë, sot më shumë se kurrë është e kërkuar një diplomaci profesionale e cila ndoshta Kosovës i mungon në formën e duhur.

(Autori vazhdon studimet master për shkencat politike në FernUniversität-Hagen, në Gjermani)