Vizita e kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në nëntor të vitit 2025 në Gjilan, ku u prezantua prodhimi i dronëve ushtarakë “Made in Kosova”, ka rikthyer në vëmendje të opinionit publik çështjen e industrisë vendore të mbrojtjes, pas ngritjes së dyshimeve të fundit rreth këtyre projekteve.

Gjatë asaj vizite, Kurti kishte deklaruar se Kosova po ndërton themelet e industrisë së saj të mbrojtjes dhe po shndërrohet në vend prodhues të teknologjisë ushtarake. Ai kishte bërë të ditur se në Gjilan kishte vizituar kompani që, sipas tij, prodhojnë dronë ushtarakë “Skifteri”, si dhe dronë civilë nga “Future Minds Academy” dhe MIGA SkyShield MAR.


Sipas Kurtit, droni kamikaz “K1” arrin shpejtësi deri në 180 kilometra në orë dhe lartësi deri në 2,500 metra, ndërsa droni “Skifteri” operon në lartësi deri në 5,000 metra, me rreze operimi prej 20 kilometrash dhe shpejtësi deri në 270 kilometra në orë. Ai kishte theksuar gjithashtu se Kosova ka investuar në siguri duke blerë dronë Bayraktar TB-2, Puma dhe Skydagger, ndërsa prodhimi vendor i dronëve luftarakë ishte paraqitur si hap i ri strategjik.

Megjithatë, në janar të vitit 2026, këto pretendime janë vënë në pikëpyetje, duke nxitur reagime nga opozita dhe interesim të mediave.

Para disa ditësh, një person me emrin Rdivan Aliu, i cili prezantohet si pronar i kompanisë “Future Minds Academy”, publikoi dy video në profilin e tij në Facebook, ku pretendonte se kompania e tij, në bashkëpunim me partnerë, po prodhon dhe shet dronë ushtarakë, të cilët, sipas tij, janë testuar dhe kanë rezultuar shumë efikasë.

Por, sipas raportimeve të mëvonshme mediatike, videot e publikuara për testimin e dronëve rezultuan të jenë materiale të marra nga kompani kineze, ku shfaqeshin testime të dronëve të prodhuar nga ato kompani, e jo nga ndonjë prodhim vendor në Kosovë.

Në këtë kontekst, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka njoftuar se nuk ka qenë e përfshirë në asnjë testim të dronëve me emrin “Skifter K1”, apo të ndonjë droni tjetër.

Ministria ka bërë të ditur se, bazuar në njohuritë e saj, asnjë institucion i Kosovës nuk ka qenë pjesë e ndonjë testimi të tillë.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, duke e akuzuar për, siç u shpreh ai, “showbiz politik”.

Sipas Haradinajt, etja për promovim dhe paraqitje publike, pa bazë reale, është shndërruar në tipar të qeverisjes aktuale, duke e cilësuar rastin e prezantimit të dronëve si një tjetër skandal në radhë.

"Etja për foto dhe showbiz është mania e këtij pushteti. Skandali me foto e video të Kurtit me dronin imagjinar është veç njëri prej qindra rasteve të shpërfaqjes së fytyrës së vërtetë të këtij pushteti. Kur do të ndaleni një herë o të mjerë", shkroi Haradinaj./Telegrafi.