LAJMI I FUNDIT:

Dyshime nëse masat e reja mund t’i ulin rastet me COVID-19

Dyshime nëse masat e reja mund t’i ulin rastet me COVID-19

Më 19 korrik të këtij viti, në Kosovë u regjistruan vetëm tre raste të reja me COVID-19.

Por pas kësaj dite, numri filloi të rritet për të arritur në plot 1,128 raste të reja brenda 24 orëve më datë 13 gusht. Të premten janë regjistruar edhe tri viktima.


Si kundërpërgjigje e rritjes enorme të rasteve, Ministria e Shëndetësi, të enjten më 12 gusht, vendosi disa masa të reja në luftën kundër pandemisë së coronavirusit.

Me masat e reja, nga data 20 gusht deri më 10 shtator, kërkohet dëshmi për vaksinim kundër COVID-19, në mënyrë që të jetë e mundshme për të hyrë në klube të natës, diskoteka, dasma dhe ahengje të tjera familjare me mbi 100 persona.

Të pavaksinuarit obligohen që të prezantojnë test negativ, jo më i vjetër se 72 orë, test antigjen jo më të vjetër se 48 orë, ose dëshmi për tejkalim të coronavirusit brenda 180 ditëve të fundit.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa nga infektologët e Klinikës Infektive në Prishtinë, për t’i komentuar masat e reja të vendosura nga qeveria.

Disa prej tyre nuk janë lajmëruar e të tjerë, kanë thënë se nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, tha se “është Ministria e Shëndetësisë, ajo që është përgjegjëse për masat në aspektin efekt-pasojë”.

Vishaj tha se ata “ofrojnë vetëm shërbime nga ardhja e pacientit deri në shërim”.

Qytetarët nuk besojnë në masat e qeverisë

Genta Kadriu nga Prishtina thotë se është e shqetësuar me rritjen e numrit të rasteve me COVID-19 dhe sidomos me prezencën e variantit Delta.

Ajo thotë se masat e reja të vendosura nga qeveria, nuk janë garanci për të frenuar hovin që kanë marrë infektimet e reja.

“Jo, mendoj se fare nuk kanë me qenë efektive, për vet faktin se në hapësira publike kërkohej maskë e klubet e restorantet e dasmave po punojnë deri në ora tre të mëngjesit me 70 për qind të kapacitetit. Dihet se sa respektohen këto masa tek ne”, thotë Kadriu.

Kadriu thotë se muajve të fundit, nuk janë respektuar fare masat e vendosura nga qeveria në luftën kundër COVID-19.

Këto masa sipas saj është dashur të respektohen veçanërisht në vendet ku ka frekuentim të lartë.

As Arjeta Jaha nuk beson se qeveria është duke menaxhuar pandeminë siç duhet muajve të fundit.

Ajo thotë se është dashur më shumë kontroll në ahengjet familjare si dhe klubet e natës për të parë nëse po i respektojnë masat në fuqi.

“Rastet janë rritur për shkak të ahengjeve që janë organizuar, hapjes së diskotekave dhe se njerëzit kanë pasur shumë kontakt në një vend shumë të vogël”, thotë Jaha.

Gastronomët përkrahin masat e qeverisë

Në Shoqatën e Gastronomëve të Kosovës, thonë se masat e vendosura nga qeveria janë marrë në bashkëpunim me ta dhe se në këtë formë, nuk dëmtohet më shumë sektori në të cilin operojnë.

Arian Vranica nga kjo shoqatë, thotë masat e reja mund të jenë barrë për bizneset, por që sipas tij, vetëm përmes vaksinimit të popullatës, mund të evitohet ndonjë mbyllje eventuale.

“Kjo është edhe e menaxhueshme edhe e inspektueshme, ku menaxhimi duhet të bëhet në pajtueshmëri dhe në pajtim me sektorin privat dhe sektorin publik, e konkretisht duke i caktuar disa persona përgjegjës të lokaleve të natës, sallave të dasmave dhe festivaleve, që mund të mbahen dhe që personat përgjegjës, t’i kërkojnë dëshmitë nga të interesuarit për të hyrë apo marrë pjesë”, thotë Vranica.

Vendimi i fundit i qeverisë, nuk përfshinë edhe restorantet, baret, lokalet e ndryshme si dhe kafiteritë.

Qytetarët që frekuentojnë këto biznese, nuk do të jenë të obliguar që të dëshmojnë se janë të vaksinuar, se janë negativ e as që e kanë kaluar coronavirusin.

Mospërfshirja e këtyre bizneseve në kuadër të masave të reja, sipas Vranicës nga Shoqata e Gastronomeve të Kosovës, e lehtëson mundësinë e kontrolleve dhe monitorimit të zbatimit të tyre.

Kërkohet vaksinimi i studentëve

Muajve të fundit, në Kosovë është rritur numri i të rinjve që janë duke u vaksinuar kundër COVID-19.

Ka mbetur një muaj e gjysmë deri në fillimin e vitit të ri akademik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” si dhe kanë mbetur po ashtu pak ditë, deri në hapjen e konkursit për banim në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Drejtuesit e kësaj qendre thonë se duke parë ritmin e ngadaltë të vaksinimit, ende nuk dihet se sa do të jetë numri i studentëve që do të pranohen për të qëndruar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Fatmir Sfishta që drejton këtë qendër, thotë se para pandemisë kanë pranuar rreth 4,000 studentë, ndërkohë që sipas tij, këtë vit nuk përjashtohet mundësia që të pranohen vetëm 1,600, varësisht situatës epidemiologjike.

“Janë dy opsione, opsioni vitit të kaluar, pra vitit akademik që shkoi, pra një student një dhomë. Në rast se pandemia eskalon apo nuk ndalet dhe e kemi gjendjen siç është normale me 4,000 shtretër, siç është kapaciteti i përgjithshëm i konvikteve”, thotë Sfishta.

Sfishta u bënë thirrje studentëve që të vaksinohen pasi sipas tij po afrohet fillimi i vitit të ri akademik.

Hulumtimi gjen se vetëm 38.8% e kosovarëve janë të imunizuar

Javëve të fundit, janë pikërisht moshat e reja 10 deri 19 vjeç dhe 20 deri 29 vjeç më të prekurat nga infektimi me koronavirus.

Këtë e bëri të ditur në një konferencë për media, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, i cili tha se këto mosha janë më të takuarat nga varianti Delta.

Ramadani tha se Kosova është ende larg arritjes së imunitetit kolektiv.

“Në hulumtimin sero-epidemiologjik, rezultatet tregojnë se vetëm 38.8 për qind e popullatës kanë IGG pozitive, që do të thotë se rezultatet tregojnë qartë se akoma nuk është arritur imuniteti kolektiv i kënaqshëm, që duhet për tu mbrojtur në mënyrë natyrale nga pandemia COVID-19”, tha Ramadani.

Në të kaluarën, sipas Ramadanit, mosha më e prekur nga infektimi me coronavirus, ka qenë 30 deri 39 vjeç.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen pasi sipas tij, vaksinimi është mënyra më efektive për tu mbrojtur nga COVID-19. /rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Themelorja konfirmon aktakuzën ndaj Agron Mustafës, ngarkohet se i shkaktoi dëm afër 7 milionë euro Telekomit

Themelorja konfirmon aktakuzën ndaj Agron Mustafës, ngarkohet se i shkaktoi dëm afër 7 milionë euro Telekomit

Drejtësi
Kurti optimist, shpjegon se si do ta menaxhojë sfidën për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Kurti optimist, shpjegon se si do ta menaxhojë sfidën për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Lajme
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Plagosen dy persona në Ferizaj

Plagosen dy persona në Ferizaj

Kronika e Zezë
Takimi i Kurtit me Baerbock, Ministria e Jashtme Gjermane: U diskutua se si t’i hapet rruga anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës

Takimi i Kurtit me Baerbock, Ministria e Jashtme Gjermane: U diskutua se si t’i hapet rruga anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës

Lajme
Kalo në kategori