Dy yjet e Manchester United po kërkojnë largimin nga klubi

Dy lojtarë të Manchester United thuhet se dëshirojnë të largohen nga klubi për shkak të mungesës së minutave në këtë sezon.
United largoi një numër lojtarësh gjatë afatit kalimtar të verës, përfshirë Andre Onana, Alejandro Garnacho, Antony, Rasmus Hojlund, Victor Lindelof, Marcus Rashford dhe Jadon Sancho.
Megjithatë, mund të ketë edhe dy largime të tjera në janar, pasi dy anëtarë të skuadrës së Ruben Amorim raportohet se janë të pakënaqur me situatën e tyre në ‘Old Trafford’.
Kobbie Mainoo ishte i lidhur ngushtë me një largim nga United gjatë verës, pavarësisht se thuhet se ai vetë kishte shprehur dëshirën për t’u huazuar në një takim me drejtuesit e klubit.
United nuk pranoi kërkesën e tij, me trajnerin Amorim që i bëri thirrje reprezentuesit anglez të luftojë për vendin e tij, ndonëse pranoi se ai është në konkurrencë direkte me kapitenin Bruno Fernandes për një vend në mesfushë.
Sidoqoftë, 20-vjeçari nuk ka arritur të sigurojë një vend titullari, duke mos nisur asnjë ndeshje në Ligën Premier dhe për pasojë ka humbur edhe vendin në kombëtaren e Anglisë.

Sipas raportimeve të fundit nga Sasha Tavolieri i Sky Sports, Napoli, që kishte shprehur interes edhe në verë, mbetet në kontakt me përfaqësuesit e Mainoo dhe mund të bëjë një ofertë për huazim në afatin e janarit.
Në një situatë të ngjashme është edhe Joshua Zirkzee, i cili ka pasur shumë pak minuta këtë sezon. Vetëm mbrojtësit e rinj Ayden Heaven dhe Tyler Fredericson kanë pasur më pak minuta sesa Zirkzee, i cili ka qenë zëvendësues i paaktivizuar në katër nga shtatë ndeshjet e Ligës Premier.
Sipas Daily Mail, Zirkzee është ndjerë "thellësisht i zhgënjyer" për faktin se ka humbur vendin në skuadër, veçanërisht pasi nuk u përfshi në listën e fundit të Ronald Koeman për kombëtaren holandeze.
Thuhet se tashmë ai po kërkon largimin nga United, pasi kishte tërhequr interes nga Napoli edhe në verë, përpara se këta të fundit të siguronin huazimin me detyrim blerje të Hojlund./Telegrafi/


















































