Dy shoferë ndëshkohen për gara shpejtësie në Ferizaj, kapen me 136 km/h në zonë 60

Policia e Rajonit të Ferizajt ka ndaluar dy shoferë që po zhvillonin gara shpejtësie në rrugën Gërlicë–Varosh, një veprim i cili rrezikoi seriozisht sigurinë rrugore.
Sipas Policisë, incidenti ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, më 8 nëntor, rreth orës 23:50, kur Njësia e Komunikacionit Rrugor ka ndaluar dy drejtues automjetesh që po lëviznin me 136 km/h në një zonë ku kufizimi i lejuar është 60 km/h.
Shoferët e identifikuar me inicialet Sh.L. (25 vjeç), që drejtonte një BMW 318, dhe N.H. (64 vjeç), me veturë VW Golf me targa vendore, janë kapur në flagrancë duke marrë pjesë në gara shpejtësie, përcjell Telegrafi.
Për kundërvajtjet e rënda të kryera, atyre u janë shqiptuar gjoba prej 500 euro, 5 pikë negative, si dhe masa mbrojtëse e ndalimit të së drejtës së vozitjes për 12 muaj.
Policia e Ferizajt u ka bërë thirrje të gjithë shoferëve që të shmangin garat e shpejtësisë dhe sjelljet e rrezikshme në trafik, duke paralajmëruar se kontrollet me radarë do të intensifikohen në të gjitha rrugët e rajonit.
Qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo shkelje të trafikut në numrat: 192, 0290/326-250, 0290/322-406, ose përmes platformës "Lajmëro Policinë", duke garantuar konfidencialitet të plotë për secilin informacion. /Telegrafi/

















































