Dy politikanë në një trup

Në politikën kosovare ka pasur figura të kundërta, të forta, të moderuara apo impulsive, por rrallë ka pasur një fenomen kaq të çuditshëm, ose nuk mbahet fare mend, si rasti i Albin Kurtit. Në diskursin e tij publik, në veprimet e tij qeverisëse dhe në pasojat për Kosovën, dalin në pah dy persona të ndryshëm: Albini që foli dhe Kurti që bëri. Midis tyre, hendeku është aq i madh sa shoqëria po e përjeton si zhgënjimin më të thellë politik që kur mbahet mend.
1. Prej flamurtarit të bashkimit te ftohja më e madhe me Shqipërinë: Kur Albini hyri në politikë, tema e bashkimit kombëtar ishte simboli i tij qendror. Ai fliste hapur për bashkim me Shqipërinë, për një projekt të përbashkët politik dhe kombëtar, për një të ardhme pa kufij shqiptarë. Tani, këtu nuk mund ta them nëse e dinte se a ka mundësi apo jo, por sapo u bë kryeministër, ky ideal u zhduk si të mos kishte ekzistuar kurrë. Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri ranë në pikën më të ulët që nga vitet ’90 të shekullit XX, duke lënë pas vetëm zhgënjim. Bashkimi u shndërrua në një fjali të harruar, ndërsa kombëtarizmi i dikurshëm u tret brenda retorikës së ditës.
2. Prej luftës kundër korrupsionit tek krijimi i një korrupsioni të ri: Pak politikanë kanë akuzuar kaq shumë për korrupsion sa Albini. Për vite, ai e ngriti veten si simbol të pastërtisë. Megjithatë, qeverisja e tij solli raste të njëpasnjëshme të dyshimeve të rënda: nga skandali Martin Berishaj te aferat me tenderë e me ushqime, ku u ngrit aktakuzë edhe për zyrtarin e dritave e edhe për Rozetën e qeverisë. Ky ishte korrupsioni i ri, me ngjyrë partiake, i strukturuar me mënyra të reja, por me qëllime të vjetra. Qindra tenderë njëburimorë etj. Premtimi i pastrimit të shtetit përfundoi në përfoljen e qeverisë për shkelje të reja. Madje, Albini nuk ngurron dhe jo se e refuzon shkuarjen e tij për tu intervistuar për rastin korruptiv te ekipit Rozeta, por edhe ua tregon muskujt drejtësisë: Unë guxoj të mos ju vij, e ju nëse guxoni - ejani më merrni?
3: Prej refuzimit të dialogut te nënshkrimi i marrëveshjeve më të dëmshme: Albini i viteve të opozitës ishte kategorik: “Kosova nuk ka çfarë të bisedojë me Serbinë”, Ai e quante çdo marrëveshje të mëparshme të dëmshme, madje tradhti. Por, Kurti në pushtet nënshkroi marrëveshje në Bruksel dhe aneksin në Ohër që me të drejtë konsiderohen ndër më të pafavorshmet që ka parë Kosova. Asociacioni u legalizua, de facto, ose asociacion plus, ku obligimet u pranuan pa nënshkrim formal, ndërsa Kosova mbeti e zhveshur në arenën diplomatike. Kritiku më i madh i dialogut u bë nënshkruesi më i dobët i tij.
4. Nga thirrjet për unitet te përçarja më e thellë shoqërore: Një prej premtimeve të Kurtit ishte bashkimi i shoqërisë kundër padrejtësive. Por, ajo që ndodhi ishte e kundërta: polarizim i thellë, armiqësi politike, gjuhë përjashtuese dhe ngritje e tensioneve të panevojshme, deri te etiketimet se jeni me Listën Serbe, madje edhe atyre që humben familjarë luftë, e deri edhe heronjve të gjallë. Sot, Kosova është më e ndarë se kurrë. E vetmja gjë që bashkon qytetarët është lodhja nga përçarja.
5. Nga premtimi për profesionistë te pushteti i amatorëve: Kurti premtoi qeverisje nga profesionistët, ekspertët, njerëzit me kompetencë. Por, nëpër Ministri u ulën figura pa përvojë, aktivistë partiakë dhe emra që nuk kanë asnjë lidhje me fushat që drejtojnë. Prej dentistit - ministër i Brendshëm, deri te kryediplomatja me shkollim të mesëm. Shumë vendime u morën për marketing politik, jo për interes të vendit. Rezultati është një administratë e dobët, me vendimmarrje të paaftë dhe me kosto të larta për qytetarët.
6. Albini kundër luftës, Kurti që kërkon luftë pas Rambujesë: Albini dikur fliste kundër luftës, thoshte se ai kurrë nuk do ta merrte pushën. Zatën edhe nuk e more sa ishte lufta. Por, pas luftës, ai u shndërrua në një figurë që e kërkonte vazhdimin e konfliktit me forma të reja politike. Tensionet e panevojshme me Serbinë, të krijuara në momente të çuditshme, e dobësuan shtetin pa prodhuar asnjë fitore strategjike. Natyrisht me fitore populiste për të partinë e tij.
Sot pyetja thelbësore nuk është më nëse Kurti ka gabuar në disa vendime, pasi që kjo është e qartë. Pyetja është: A ekziston ende Albini? Ai idealist i viteve të vështira? Apo ka mbetur vetëm Kurti i pushtetit dhe me xhipa të zinj? Ky kontrast i thellë ka krijuar një ndarje të fortë në opinion. Nga njëra anë është kujtimi i Albin Kurtit si simbol i shpresës, nga ana tjetër realiteti i Kurtit si kryeministër i kontradiktave, i korrupsionit të ri, i marrëveshjeve të dëmshme dhe i përçarjes shoqërore. Në fund, mbetet përshtypja se Kosova sot nuk qeveriset nga ai që u votua, por nga një tjetër që lindi rrugës për te pushteti, një version i ri, i larguar nga idealet, i ngurtë, konfliktual, populist dhe shpesh i pakontrolluar.
Dhe, krejt për fund, sot qytetari ka mbetur me pyetjen: Kë deshëm dhe kë morëm: Albinin apo Kurtin?
Kosova meriton përgjigje. Kosova meriton transparencë. Dhe, Kosova meriton lidership të vërtetë, jo dy figura të kundërta në një trup të vetëm.



















































