Dy policë gjejnë 500 euro në Shtime, i kthejnë ato te qytetari

Zyrtarë të Policisë së Kosovës më 18.09.2025 rreth orës 17:00, gjatë patrullimit në këmbë në sheshin “Ahmet Shtimja” në Shtime, kanë gjetur në tokë një shumë parash: katër kartëmonedha nga 100 euro dhe dy kartëmonedha nga 50 euro, me vlerë totale prej 500 euro.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se paratë janë dërguar menjëherë në stacionin policor dhe është njoftuar menaxhmenti i stacionit.
“Nëpërmjet kamerave të sigurisë është identifikuar personi që i kishte humbur paratë, i cili ishte larguar me një automjet me targa të huaja. Pas verifikimit, është konstatuar se bëhet fjalë për një 32-vjeçar, L.R., nga komuna e Shtimes, i cili është paraqitur në polici dhe i janë kthyer paratë të humbura”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj falënderon dy pjesëtarët e policisë së stacionit në Shtime për gjestin e tyre human dhe shembullor, duke dëshmuar përkushtim në shërbim të qytetarëve dhe respektim të vlerave profesionale. /Telegrafi/



















































