Përfituesit për renovim të shtëpive nga komuniteti ashkali në Ferizaj prej dy vitesh kanë kërkuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal t’ia rinovojnë shtëpitë e tyre sipas vendimeve të lëshuara nga ky institucion. Por, pas raportimit të Telegrafit lidhur me këtë çështje, të martën, institucionet përkatëse të nivelit qendror i kanë transferuar mjetet për renovim të shtëpive nëpër xhirollogari të përfituesve.

Jeton Kryeziu nga komuniteti ashkali që është përfitues për renovim të shtëpisë, dy orë pas raportimit të Telegrafit, e ka konfirmuar se niveli qendror e kanë kontaktuar për transferim të mjeteve.


“Pas raportimit në Telegraf më është konfirmuar se mjetet janë dalë në xhirollogari për renovim të shtëpisë. Kështu ka ndodh edhe për të tjerët përfitues. Tash u ktheva nga banka dhe i mora gjysmën e mjeteve, ndërkaq gjysmën tjetër mund t’i marrim pasi t’ia dërgojmë ministrisë faturat për nisjen e projektit për renovim. Jemi falënderues për mediumin Telegrafi që e përcjelli mesazhin tonë te institucionet dhe qytetarët, por falënderues edhe për MAPL-në për realizimin e projekteve tona”, ka thënë Kryeziu.

Po ashtu, edhe banori tjetër nëpërmjet një mesazhi në rrjetin social e ka konfirmuar alokimin e mjeteve nga MAPL-ja pas raportimit të Telegrafit.

“Faleminderit për intervistën, brenda dy orëve janë lëshuar paret. Urime përfituesve”, ka thënë  shkurt ai.

Telegrafi, gjatë ditës ka raportuar lidhur me shqetësimet e këtyre banorëve të komunitetit ashkali në Ferizaj, të cilët prej kohësh po i kërkojnë të drejtat e tyre për renovim të shtëpive sipas vendimeve të MAPL-së. Ndërkohë ky institucion pas pranimit të pyetjeve nga Telegrafi, nëpërmjet një përgjigje me shkrim pati thënë se këto mjete janë në proces dhe brenda kësaj jave do të bëhet alokimi i tyre. /Telegrafi/