Dushk për gogla
Askush deri tashti nuk e ka kontestuar qeverisjen multietnike në Bujanoc, ajo bile ka ekzistuar prej kohësh. Por, marrëveshja e arritur, këtyre ditëve, në mes subjekteve politike shqiptare dhe disa nga subjektet politike serbe, për një koalicion të zgjeruar qeverisës, është i vonuar. Kjo që është bërë para pak ditësh është dashur të bëhet menjëherë pas zgjedhjeve lokale të vitit 2008-të, ngjashëm si gjatë zgjedhjeve të 2002-ta e 2006.
Pse u desh të pritet më shumë se dy vjet për tu arritur një marrëveshje multietnike? E dinë ata që për dy vjet rresht nuk arritën të zgjidhin asnjë problem nga fushat me interes të ndjeshëm qytetar e kombëtar. Gjatë kësaj periudhe sa zgjatën bisedimet dhe angazhimet për t’i bindur serbët lokalë për t’u future në pushtet, Trupi Koordinues me ndihmën e Beogradit, i përçau shqiptarët i bëri pikë e pesë, ua zhveshi pushteteve lokale kompetencat dhe atyre ndërkombëtare ua zhvendosi në qytetin më të afërt të Vrajës. Koalicioni i deritashëm kur e pa se pa pushtet multietnik nuk mund të shkohet në Evropë nëpërmes Beogradit, i ra pishman qëndrimeve të mëparshme dhe lëshoi pe në favor të ndarjes së atij pak pushteti me vëllezërit fqinj. Krejt e natyrshme - kur s’mundesh me të fortin, atëherë bashkoju.
Dhe në emër të marrëveshjes epokale shqiptarët ua dhanë serbëve bibliotekën dhe barnatoren, dy ndërmarrjet më të ndjeshme të kësaj komune. Me një fjalë e dhanë librin (bibliotekën) për lopatën (infrastrukturën). Çka ju duhet shqiptarëve biblioteka, ata edhe ashtu janë të mençur, bile deri tashti as që e kanë shfrytëzuar. Drejtori i deritashëm mezi priti të bëhet kryetar i Këshillit Nacional për t’ia dhënë bibliotekën serbëve, të cilat në të kaluarën zhveshën këtë dritare të dijes nga librat shqip, duke i hedhur në rrugë sit ë rrezikshme. Me çka pushtetarët do ta mbrojnë identitetin e bashkëkombësve të vet me libër, apo me lopatë?!
Nejse, ku na ka sjellë kjo politikë klanore e denigruese e cila qysh moti e ka humbë kontrollin e kontinuitetit politikë të udhëheqjes, për të cilën populli ia ka besuar mandatin. Po me këtë marrëveshje a do të pushojnë vuajtjet e shqiptarëve, të cilët për ditë janë të përballur me probleme praktike. Faktet flasin se pushtetarët nuk janë ballafaquar për t’i zgjidhur problemet e shqiptareve por edhe me shumë i kane ngatërruar se më parë. Pra, ne kem mbete pa pushtet, pa dinjitet, pa të drejta elementare, pa autonomi dhe me keq se ne vitin 1992.
Përderisa në të kaluarën qytetarët e Bujanocit dhe Preshevës shërbimet i kanë kryer në komuna, tani falë politikës shkurtëpamëse të agallarëve dhe politikës së ‘posllanikut’ të vetëshpallur, komunat i kanë shndërruar në Bashkësi lokale, pa kompetenca dhe pa dinjitet. Sot, një qytetar për të marrë një dokument se nuk është nën hetime, për ta bërë ndonjë kontroll të thellë mjekësore, apo për të marrë ndonjë rrugë në Malësi, i dalin përpara një mijë telashe. Pra, për të marrë një rrugë për një dokument në Vrajë, qytetarit të Bujanocit i duhen edhe leku edhe byreku, ngase për të mos shkuar dy herë, ai, duhet të intervenoj. Janë mësuar shqiptarët të japin, ata kanë dhënë në monizëm po japin edhe në pluralizëm, kishin qenë të shkretit me shtatë lëkura.
Për t’i pakësuar këto mundime ne emër të një jete më të mirë qytetare e kombëtare, ta shohim si do të funksionoj kjo marrëveshje shumë e çmuar nga faktori vendor e ndërkombëtar. Shpresojmë që të mos i ngjajë asaj të vitit 2008, kur shqiptarët e ngatërruar në parlamentin lokal nuk arrinin t’i ndërronin drejtorët e ndërmarrjes publike, ku vet ishin themelues e të mos flasim për ndonjë projekt fundamental siç ishin dygjuhësia, simbolet kombëtare, çmilitarizimi i rajonit etj. Nuk ka tjetër koment t’i shtojmë këtij opinioni vetëm Koalicionit të ri multietnik t’i themi i PRIFTË E MBARA!


















































