Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka vizituar sot Komunën e Fushë Kosovës, duke theksuar përkushtimin e qeverisë dhe Lëvizjes për zhvillim dhe shërbim ndaj qytetarëve.

Durmishi u prit nga kryetari i komunës, Valon Prebreza, nënkryetari Shpend Bardiqi dhe drejtori për Infrastrukturë, Arianit Tërmkolli.


Ministri u shpreh i kënaqur me pritjen dhe theksoi rëndësinë e projekteve infrastrukturore që presin Fushë Kosovën, përcjell Telegrafi.

“Është një ndjenjë e vërtetë krenarie të shohësh aktivistët e Lëvizjes në qeverisje dhe në shërbim të qytetarëve. Fushë Kosovën e presin shumë projekte infrastrukturore, ndërsa neve na pret shumë punë, punë për të cilën jemi të gatshëm dhe që veçse e kemi filluar”, ka shkruar Durmishi.

Vizita vjen në kuadër të monitorimit të zhvillimeve lokale dhe për të ndjekur nga afër avancimin e projekteve infrastrukturore në komunë. /Telegrafi/