LAJMI I FUNDIT:

DumDum Fitness Water nga ‘Bibita’ fitues i dy kategorive në panairin “Gulfood Innovation Awards”

DumDum Fitness Water nga ‘Bibita’ fitues i dy kategorive në panairin “Gulfood Innovation Awards”

Produktet e DumDum Fitness Water nga Kompania “Bibita” nga Peja janë shpallur fituese në dy kategori në panairin “Gulfood” në Dubai. Kategoritë në të cilat kanë fituar produktet e kësaj kompanie janë: pija më e mirë dhe dizajni më i mirë i paketimit.

Ceremonia finale e shpalljes së më të mirëve të “Gulfood Innovation Awards” është mbajtur më 28 shkurt në “Dubai World Trade Center”.


Drejtori i kompanisë “Bibita”, Labinot Gruda, ka thënë se është hera e parë në histori të këtij panairi, që një produkt të zgjidhet fitues në dy kategori.

Sipas tij, fitimi i këtij çmimi dëshmon për cilësi të lartë dhe kreativitet të produkteve.

“Kjo dëshmon se kreativiteti dhe përkushtimi ndaj kualitetit janë fokus kryesor i kompanisë sonë duke na motivuar që të punojmë edhe më shumë drejt sfidave të radhës. Njëkohësisht këtë e konsiderojmë edhe si sukses të Kosovës, si shtet që krijon ambient për kampion të cilët mund t’i konkurrojnë edhe kompanitë më të fuqishme në botë me buxhet multimilionëshe për marketing, inovacion dhe prodhim”, ka thënë Gruda.

Ai ka treguar se pas marrjes së këtyre çmimeve, veçse kanë filluar kontaktet e parave për nënshkrimin e kontratave të reja.

Gruda thotë se produktet DrumDrum Fitness Water aktualisht janë në 36 shtete.

“Këto dy shpërblime kanë ndikuar që interesimi për bashkëpunim me distributorë për shtete të shumta në të gjitha kontinentet të rritet maksimalisht dhe në javët vijuese priten të lidhen kontrata të rëndësishme të cilat do ta zgjerojnë numrin e shteteve ku gjinden produktet tona, nga 36 sa janë aktualisht në 44”, ka thënë Labinot Gruda drejtor i Kompanisë “Bibita”.

Në panairin ndërkombëtar “Gulfood” në Dubai kanë marr pjesë mbi 5000 prodhues nga 120 shtete, duke përfshirë prodhuesit me renome botërore, si dhe ata nga Evropa dhe Amerika. /Telegrafi/