Duket se Trumpi është zmbrapsur sërish pas kthesës 180 shkallë për Grenlandën, dhe mendoj se e di pse ...

Burimi: The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com
Epo, Donald, çfarë të shtyri të ndryshosh mendje? Gjatë mburrjes së vazhdueshme dhe monotone - të pazakontë edhe sipas standardeve të tij - presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të paktën na dha një lajm të madh për obsesionin e tij me aneksimin e Grenlandës: “Nuk kam pse të përdor forcë. Nuk dua të përdor forcë. Nuk do të përdor forcë”.
Pastaj, disa orë më vonë, morëm një tjetër lajm. Donaldi u tërhoq tërësisht nga kërcënimet e tij më të fundit për tarifa, pasi arriti “kuadrin e një marrëveshjeje të ardhshme” mbi Grenlandën, vetëm disa orë pas dhënies së atij fjalimi të zjarrtë.
Pëshpërima lehtësimi mund të dëgjoheshin nga Rrethi Arktik deri në qendrën e konferencës.
Edhe pse padyshim është i zgjuar në lidhje me mediat, Trumpi madje bëri një batutë për konfuzionin e pritshmërisë, vetëm për të nënvizuar zbythjen. Ai nuk përmendi kërcënimin për tarifa ndëshkuese për të arritur qëllimin e tij - teorikisht ato pritet të nisin më 1 shkurt - dhe i ka kufizuar kërkesat e tij të tanishme në “negociata të menjëhershme”, ndonëse duke ripërsëritur qëllimin e tij përfundimtar të “përvetësimit” të kësaj “cope akulli”.
Është një tjetër rast i “Taco”-s [Trump Always Chickens Out / Trumpi gjithmonë zmbrapset], dhe nuk është e vështirë të kuptohet pse. “Taco” - mund ta mbani mend - ishte term i shpikur nga një operator i zgjuar në tregjet financiare, pasi Trumpi më 2 prill të vitit të kaluar shkaktoi kaos. Ishte dita kur Trumpi njoftoi oraret e tij të palogjikshme për tarifa “reciproke” ndaj pjesës tjetër të botës.
Sipas Trumpit, kjo ishte “Dita e Pavarësisë”. Ishte ironike, sepse reagimi i fuqishëm i partnerëve të mëdhenj tregtarë, si Kina, dhe tregjet e bonove dhe aksioneve, vetëm sa vërtetuan se sa e varur është ShBA-ja nga kapitali i huaj për të vazhduar tutje.
Epo, kur tregjet amerikane u rihapën pas Ditës së Martin Luther King Jr.-it, të hënën, ato ranë me rreth dy për qind menjëherë - dita më e keqe që nga tetori, dhe një qortim i qartë për kërcënimet ushtarake dhe ekonomike të Trumpit ndaj aleatëve të NATO-s. Ishte paralajmërim i qartë dhe i tillë që Trumpi mund ta kuptonte, nuk mund ta kundërshtonte, dhe nuk mund të përdorte taktika frikësuese për ta mundur. Nuk ishte as faktori i vetëm në lojë.
Trumpi duhet ta ndjejë vyshkjen e forcës së armës së tij të tarifave teksa afrohet vendimi i Gjykatës së Lartë për to. Thashethemet e ekspertëve - ekziston një gjë e tillë - parashikojnë që të paktën disa nga ato të vendosura mbi importet, vitin e kaluar, do të shpallen të paligjshme dhe Trumpi do të duhet të pajtohet - megjithëse ankohet se kjo do të shkaktojë kaos.
Gjyqtarët nuk kanë nevojë ta theksojnë, por do të jetë tërësisht faji i tij për veprim të paligjshëm. Kështu që tani kërcënimet e tij për, le të themi, 200 për qind taksa importi mbi verërat franceze nuk kanë më të njëjtën frikë për Emmanuel Macronin dhe vreshtat e Francës.
Lidhur me këtë është rezistenca në rritje në shtyllën tjetër të supozuar të qeverisë amerikane - Kongresi. Sërish, thashethemet kanë qenë të forta që senatorët republikanë, përndryshe besnikë, do ishin të gatshëm ta shkarkonin [impeachment] Trumpin nëse ai do të pushtonte Grenlandën, sepse kështu do ta shpërbënte NATO-n. Disa madje folën kundër tij - një sinjal i qartë i rrezikut në një parti kaq të frikësuar.
Vendosmëria e re e senatorëve mund të jetë forcuar vetëm nga mënyra se si aleatët e tjerë të NATO-s kanë vepruar gjatë krizës së Grenlandës. Nga njëra anë, Danimarka dhe të tjerët kanë theksuar se traktati ekzistues i vitit 1951 i lejon Amerikës të stacionojë sa të dëshirojë trupa, raketa dhe pajisje të tjera në Grenlandë - që do të përfshinin edhe sistemet Kupola e Artë [Golden Dome].
Vendet nordike dhe Kanadaja u angazhuan të forcojnë mbrojtjen në Veri të largët. Të gjithë ranë dakord që Rusia dhe Kina janë kërcënime. Qëndrimi ishte pozitiv - por, me një teh. Kësaj radhe, gjuha e drejtuar ndaj Trumpit ishte më e vendosur, dhe ata po kthenin kërcënimin, përfshirë me atë që Macroni e quajti “bazuka” e BE-së - ndëshkim shkatërrues ndaj Amerikës, duke përfshirë madje shitjen e sasisë së madhe të borxhit të qeverisë amerikane.
Edhe Keir Starmer i tha Parlamentit se Trumpi po përpiqej ta vinte nën presion, por “nuk do të dorëzohem”. Trumpi me të vërtetë nuk e priste një kundërpërgjigje të tillë.
As, sipas sondazheve, opinioni publik amerikan nuk ishte i prirur ndaj idesë. Po të kishte arritur Trumpi disi të aneksonte Grenlandën këtë javë, kjo ndoshta do ta kishte ulur edhe më shumë vlerësimin e tij. Grenlanda është e parëndësishme për krizën e kushteve për jetesë dhe Trumpi e di këtë.
Gjithçka ka të bëjë me “trashëgiminë” e tij. Ndoshta disa nga gjeneralët e ngarkuar me planifikimin e një pushtimi gjithashtu kishin dyshime për ligjshmërinë e operacionit, dhe kështu për thyerjen e betimeve të tyre ndaj Kushtetutës (një mbrojtje ende në fuqi; Trumpi ende nuk ka provuar të kërkojë betim besnikërie personale ndaj tij).
Kështu që kriza është shkrirë pak a shumë si kapaku i akullit në verë dhe Grenlanda me gjasë do të zbehet si çështje teksa afrohen zgjedhjet afatmesme. Një luftë tregtare, një luftë e vogël e vërtetë në Grenlandë dhe një luftë e ftohtë me aleatët e ShBA-së do ta bënin Amerikën më pak të sigurt dhe do t’i bënin amerikanët më të varfër. Kjo nuk është mënyra për të fituar vende në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat. Në fund të fundit, është harta e brendshme politike ajo që ka rëndësi. /Telegrafi/



















































