Krejt çka mendojnë të rinjtë e pasluftës në Kosovë, është shpërngulja (nga ajo tokë e mallkuar, që e thonë prej zemrës së plastë). Pa kushte të mira ekonomike, pa shpresë që klasa politike dhe autoritetet tjera ndërkombëtare do të bëjnë ndonjë mrekulli logjike për ardhmërinë.

Do të ishte mirë me e fillu këtë shkrim me një shifër të saktë se sa ka shënuar ngritje numri i emigrantëve kosovarë, çështje që polimizohet vazhdimisht. Derisa shtetet si duhet, e dinë saktë edhe sa bagëti kanë në tokën e tyre, ngase i regjistrojnë me shifra identifikuese nëpër vesh, në Kosovë ende nuk është bërë as regjistri i popullsisë.

Kur flasim për dukurinë e emigracionit që ishte e pranishme para luftës, sidomos gjatw viteve 80-90, kur shumica e djemve kosovarë është dashur ta lëshojnë vendlindjen për të marrë rrugën e gurbetit, për të vetmen arsye që të mos bëheshin dhunshëm ushtarë në radhët e çetnikëve serbë të ish-Jugosllavisë. Ata sakrifikuan vetveten, familjen e tyre, arsimimin e lartë, një punë që e ëndërronin, lanë shtëpinë, shoqërinë, dikush të dashurën, nënën, gjuhën, çdo gjë që kishin, për të shtrenjtën gjë që e quajnë LIRI.

Nëse i referohemi Konventës për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive themelore, shohim se ata të rinj kosovarë që sot gjenden gjetiu nëpër botë, i kishin të privuara pothuajse të gjitha liritë e përcaktuara nga Këshilli Evropian. Si numërohen; e drejta për jetën, ndalimi i torturës, ndalimi i skllavërisë dhe punës së detyruar, e drejta për liri dhe siguri, e drejta për proces të rregullt gjyqësor, e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, liria e mendimit e ndërgjegjes dhe e fesë, liria e shprehjes, e drejta për tu martuar dhe zgjedhje efektive etj., Fatkeqësisht, disa nga këto të drejta privohen “me stil” edhe sot në shumë raste, të cilat Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë mundohet t`i arkivoj si dokumente faktike.

Është vërtetë çnjerëzore të mendohet e lëre më të ndodhë e të gjykohet që njeriun, të cilin Zoti e falë në tokë dhe vend të caktuar, që del në botë nga një nënë me kombësi dhe gjuhë të caktuar, e bardhë apo e zezë, e pasur apo e varfër, e hijshme apo jo, e që nuk është zonja e parë e vendit, të mos mund të qëndroj i qetë e i lumtur me arsyen absolute të ligjit natyrorë, që e ka konstruktu si të tillë.

Dëshirojmë të besojmë se jetojmë ne shoqëri demokratike, me vlera dhe të drejta të barabarta, ku sundon ligji, blla blla blla… Në të vërtetë bota sot jeton në shoqëri kapitalizmi dhe ku sundon “ i forti”.

***

Derisa prisja para Ambasadës Amerikane në Shkup, për marrjen e vizës, thosha me vete, po ta gjironte ndokush atë fotografi nënçmimi që shihja para zyrtarit policor (te cilit me qejf ia kisha pështyrë surratin), se ngërrvallej të mbante rendin dhe qetësinë sikur të ishim ne kafshë e jo njerëz. Pa kokërr dyshimi kjo histori kishte me dalë një dokumentar mbresëlënës edhe për Academy Award…Radha me metra e gjatë, që shtrihej pothuajse në rrugë (për arsye sigurie), me plot djem e vajza ambicioze për jetë, pleq e plaka, ku të gjithë me ankth prisnim përgjigje pozitive.

E kam në fiksim figurën e një njeriu afërsisht 65 vjeç, që më tha “ oj bi, nuk e kam pa djalin që 10 vjet” e iu mbushën sytë me lot, derisa polici me përbuzje iu drejtua me atë aksent të rreptë në gjuhen maqedonase; “a ke vesh me ndëgju ti, që them, vetëm gratë me fëmijë përpara”. Në atë moment, mu kujtuan radhët e gjatë në kampin e Stankovecit si refugjatë lufte, ku prisnim për ndihma e bukë. Ato fjalë që i shqiptoi ai nga ajo gojë e ndyrë i kuptova se ishin sllave, ani pse nuk e di maqedonishten, ngjasonin me serbishten që na është ngulitë në kokë, pa ndonjë përpjekje për mësimin e saj.

Me shumë kureshtje, udhëtimin tim veç gjërave të bukura e të reja që shikoja, e interesuar në veçanti për jetën e komunitetit shqiptar në Amerikë, vetveten e shoqëroja edhe me regjistrimet e ngjarjeve e rasteve të hidhura sikurse ky i A.M. 29 vjeç, nga Peja, i cili dy vjet më parë është detyruar të mërgoj në Kanada, për arsye se ishte i kërcënuar për vdekje, i rrahur dhe maltretuar nga një (grup mafioz) në Kosovë. I kishin kërkuar të shërbej në punët e tyre detyrimisht, pa vullnetin e tij. Raste si këto, fatkeqësisht dëgjohen e lexohen shpesh në mediat tona dhe ndërkombëtare, vrasjet enigmatike para, gjatë dhe pas luftës, ende vazhdojnë të mbeten gojëdhënë te populli, ku viktima thuhet se “shkoj si qeni n` rrush”… Heshtja flet, në vend se të flet gjykatësi dhe ligji në drejtësi!

Ajo që ndodhi në lumin Tisa, që sipas mediave në tentativë për të kaluar ilegalisht në Hungari, humbën jetën 15 kosovarë, shënon vulën e vështërsive social-ekonomike në vend. Grupet familjare, mësohet se u kanë paguar shuma të mëdha trafikantëve për të kaluar në vendet perëndimore. Por, e tërë shpresa për jetë më të mirë shndërrohet në tragjedi të madhe. Me dhembje pranoj informacione, që shumë të rinj shesin çdo gjë të vlefshme, bëjnë të pamundurën për ta paguar tiketën për një rrugë së cilës nuk ia dinë fundin. Kaq barriera të rënda duhet vënë për të shkuar në një cope toke tjetër, coftë edhe si vizitor?!!! Tek e fundit të gjithë jemi njerëz të një bote…

***
Si popull i lashtë ilir, krenohemi me vlera shekullore burrërie, luftëtar të dalluar për mbrojtje të atdheut, opus të gjerë kulturorë, me Kanun e me fe, krenar për male e kodra, fusha të gjëra me lule… që sot janë bërë thera, se s`ka mbet kush me kultivu lule, me kositë fusha, a me mbjell ara. Hiq se hiq, nuk imagjinohet daja Daut me dele nëpër livadhe, me kavall duke i këndu dashunisë. Se shumë Dautë janë bërë sheherli, në vend të kavallit i bijnë korrupsionit, disa janë bërë “shaci” që jetojnë e thyejnë kurrizin në Perëndim e Amerikë me kontribua për vatan, e ma e keqja ju ndodhë shumë Dautëve që shkarraviten se “ska valla punë”.

Krejt çka mendojnë të rinjtë e pasluftës në Kosovë, është shpërngulja (nga ajo tokë e mallkuar, që e thonë prej zemrës së plastë). Pa kushte të mira ekonomike, pa shpresë që klasa politike dhe autoritetet tjera ndërkombëtare do të bëjnë ndonjë mrekulli logjike për ardhmërinë. Së paku këto far çudira magjike, nuk priten të ndodhin as përgjatë 20 vjetëve të ardhshme. Edhe nëse ndodhin dikur, atëherë rinia na shkon poshtë thotë populli, se pas 20 vjetëve ne do të plakemi dyfish, të thinjurat ndoshta dikush si përjeton, se prej gazepit i binë flokët, e do të ndjehet si 60 vjeç edhe po t`i ketë dyzet.

Kur ndodheni përtej kufijve të artë shtetëror, veç makiatos së përditshme, llafeve poshtë e përpjetë, se besoj së do të keni mallë për vendin e punës, (ku pronari si respekton të drejtat e punëtorit), as për pagën e ulët që e keni pasë hak. S`do të keni mallë për serialet latine, as për grimin e Thaçit e Sejdiut nëpër televizione, për lajmet që s`don me i dëgju më, për afera e dukuri të mbrapshta që gjykohen çdo ditë në të përditshmet e Kosovës Republikë.

Dikur, kujton dhe vazhdon të habitesh me optimizmin e lodhur që e shfaqin njerëzit nga klisheja e jetës me plot monotoni, që për keqardhje ushqim shpirtërorë kanë veç shprehjet; “shuni se ka edhe ma zi”, “do t`bëhet mirë edhe 100 vjet e ardhshme”, “shëndosh të jemi se krejt bëhen”, etj etj, e kush gjëmon kështu se? Njeriu dhëmbëprishur, ngase s`ka buxhet e as sigurime shëndetësore për me investua së pari në gojë të vet, e lëre më të mendoj për investime në ndonjë biznes të vogël, se ato të mëdhatë i fshinë ” i madhi”, që me siguri ka dhëmb dukati për shmek!!!

***

Thuaja rini këngës më të bukur që di, janë vargje të njohura nëpër breza. Po dal aty ku duhet, që rinia jonë e mrekullueshme, duhet të luftoj për të drejtat e mohuara. Duhet të bashkëngjitet në lëvizje studentore me qëllime unike. Duhet të luftoj së pari për vetveten, për shtëpinë, familjen, shtetin e identitetin e vet. Luftë për një punë, ta kërkoj atë me mish e me shpirt. Se, nuk është turp me pastru afër shtëpisë, nëse punonjësit përgjegjës për pastërtinë e rrugëve nuk e bëjnë. Nuk është turp me mbjell një fidan, në vend se me këputë atë. S`është turp me punu tokën, arën, e me vozitë traktor në vend të ferrarit që e ëndërron me sy qel. S`është turp me kry çfarëdolloj pune të cilën në gyrbet e kishit punua pa problem, se s`ju sheh askush, e s`ke qare a po?!

Prapë kthehem e them, se ka vend në Kosovë për të rinj me motive të caktuara si Florie Kolshi 22, nga Prishtina, studente ambicioze në UP, e cila përveç se punon me orar të plotë, me përkushtim ka fituar edhe bursën e Universitetit, dhe gjen kohë për argëtim, me shpresë për një të ardhme më të ndritur. Personalisht, njoh edhe shumë të rinj tjerë të suksesshëm, të cilët investojnë së pari në arsimim të lartë si element i domosdoshëm për ndërtimin e ditëve të mira, dhe mund ti marrim shembull për së mbari.

E po, të mirat nuk vijnë në kokërr të shpinës, duke e lutë Babadimrin për Vit të Ri me na e sjellë një kutull lira prej ari, si në njëfarë anekdote që e kam dëgju në vegjëli.

Kudo që ndodheni bëjeni krenar veten, familjen, kombin, duke promovua vlera pune e njerëzore.
S’kemi faj që na ka shkru Zoti me pasë mëmëdhe Kosovën. Të lumturohemi me këtë fakt!!!

(Autorja është në përfundim të studimeve Master për Komunikim dhe Gazetari)