Duhet të ndalojmë së adhuruari perëndinë e rreme të liderit të fortë

Nga: Archie Brown, politolog dhe historian, Profesor Emeritus në Universitetin e Oksfordit / Shkrim i botuar në mars 2016, në revistën digjitale Aeon
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Politikanët kalojnë shumë kohë duke u përpjekur që ta paraqesin si të dobët liderin të cilin ata e kundërshtojnë. Ata besojnë se kjo rezonon me publikun e gjerë. Nuk ndodhë vetëm në regjimet autoritare, por gjithashtu edhe në demokraci, kur mbizotëron ideja se na duhet një lider i fortë. Ajo që zakonisht nënkuptohet me këtë është një lider që përqendron një sasi të madhe pushteti në duart e tij (apo të saj), që dominon politikën publike, që ka fjalën e fundit në partinë politike dhe që merr të gjitha vendimet kryesore në qeveri.
Është një temë që përsëritet te republikanët në Shtetet e Bashkuara, sipas të cilëve presidenti Barack Obama është lider i dobët. Në rastin e Obamas, kjo shpesh lidhet me dështimin e tij për të përdorur forcën ushtarake amerikane në zona të largëta problematike, megjithëse përvoja fatkeqe e ShBA-së, nga Vietnami në Irak, vështirë që sugjeron se kujdesi i tij është i paarsyeshëm. Tërheqja ndaj dikujt që me vetëdije projekton imazhin e liderit të fortë është e dukshme në mbështetjen për kandidatin kryesor republikan, Donald Trump. Fakti që politikat e tij janë një përzierje aspiratash jashtëzakonisht jorealiste - si ndërtimi i një muri për të ndaluar meksikanët të hyjnë në ShBA dhe detyrimi i Meksikës për ta paguar atë - ka më pak rëndësi sesa aftësia e Trumpit për të bindur votuesit e zhgënjyer konservatorë se personaliteti i tij i fortë dhe mobilizimi i zemërimit të tyre - sipas fjalëve të fushatës së tij - disi do “ta bëjë Amerikën sërish të madhe!”
Megjithatë, qoftë kur flasim për regjime autoritare apo për demokraci, është thellësisht e dyshimtë ideja se lideri më i admirueshëm dhe i suksesshëm është ai që maksimizon fuqinë e vet personale. Në rastin e regjimeve totalitare dhe autoritare, është shumë e qartë se një udhëheqje më kolektive është një e keqe më e vogël sesa një diktaturë personale. Bashkimi Sovjetik, para liberalizimit dhe pluralizmit të sistemit gjatë perestrojkës së Mikhail Gorbachevit, nuk ishte kurrë më pak sesa një shtet autoritar. Por, BRSS-ja në vitet ‘20 të shekullit XX dhe në periudhën pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953, ishte një vend më pak vrastar sesa ishte gjatë viteve të diktaturës personale të Stalinit - e cila u bë absolute në fillim të viteve ’30 të shekullit XX. Në mënyrë të ngjashme, Kina në gjysmën e parë të viteve ‘50 të shekullit XX, ose në vitet pas vdekjes së Mao Zedongut në vitin 1976, ishte dhe mbetet autoritare, por dhjetëra miliona që vdiqën gjatë fushatës së Kërcimit të Madh Përpara dhe qindra-mijëra njerëz që u vranë gjatë Revolucionit Kulturor ishin viktima të obsesioneve personale të Maos dhe të pushtetit të tij në formën më të pakufizuar.
Natyrisht, liderët autoritarë brenda një sistemi demokratik, të etabluar siç duhet, mund të bëjnë më pak dëm sesa një Stalin apo një Mao. Megjithatë, pse duhet të dëgjojmë thirrjet për të forcuar dorën e kryeministrit dhe të Kryeministrisë [10 Downing Street[, në vend që të forcojmë udhëheqjen kolektive brenda Kabinetit dhe partisë politike? Mediat masive vazhdimisht i bëjnë thirrje kryeministrave dhe liderëve të partive që ta bëjnë këtë, atë apo tjetrën, duke përforcuar supozimin e çuditshëm se lideri ka të drejtën të ketë fjalën e fundit për gjithçka.
Është e çuditshme se pse ende mbizotëron ideja se sa më shumë pushtet t’i jepet kryeministrit apo presidentit në një demokraci, aq më mirë është. Ka ardhur koha të kundërshtohet ideja se lideri që duhet të admirojmë më së shumti është ai me bindje të palëkundshme që arrin të dominojë plotësisht partinë politike, kabinetin dhe procesin politik. Në parim, dominimi nga një person i vetëm është i padëshirueshëm në një demokraci dhe është fat i mirë që rrallëherë arrihet në praktikë - pavarësisht pretendimeve të liderëve.
Margaret Thatcher dhe Tony Blair - në kontrast me qeveritë më kolektive britanike të pasluftës së Dytë Botërore të udhëhequra nga Clement Attlee, Winston Churchill, Harold Macmillan, Harold Wilson dhe James Callaghan - kërkuan të dominojnë procesin e politikave. Përpjekjet e tyre për ta bërë këtë dështuan në mënyra të ndryshme.
Një faktor kryesor që kontribuoi në rënien e Thatcherit ishte shpërfillja e saj ndaj kundërshtimeve të Kancelarit të Thesarit, Nigel Lawson, për taksën mbi frymë [poll tax]. Me pasoja përfundimtare për vetën e saj, ajo bindi shumicën e kabinetit të miratonte këtë taksë jashtëzakonisht të papëlqyer. Blair, në kontrast, dështoi në përpjekjet e tij për ta futur Mbretërinë e Bashkuar në eurozonë. Ai në vitin 2000 tha: “Unë do të vendos për çështjen e bashkimit monetar”. Ish-sekretari i tij për Tregtinë dhe Industrinë, Alistair Darling, vërejti se - për të arritur këtë qëllim - Blair përfshiu Kabinetin në procesin e politikës më shumë sesa zakonisht. Në këtë rast, megjithatë triumfoi Kancelari i Thesarit, Gordon Brown. Brown, i cili ishte kundër hyrjes së Mbretërisë së Bashkuar në monedhën e përbashkët, e tejkaloi me lehtësi Blairin.
Politikanët që e shohin veten si liderë të fortë, ose që janë të etur të perceptohen si të tillë, mund të tundohen veçanërisht në aventura të jashtme. Dy vendimet më kundërproduktive të politikës së jashtme britanike, që nga Lufta e Dytë Botërore, ishin ndërhyrja ushtarake në Egjipt në vitin 1956, kur Britania bashkëpunoi me Francën dhe Izraelin, si dhe pushtimi i Irakut në vitin 2003 me Mbretërinë e Bashkuar si partnere e vogël e ShBA-së së George W. Bushit. Në të dy rastet - me Anthony Edenin në krye në rastin e parë dhe me Blairin në të dytin - kryeministri ishte lojtari dominues në angazhimin e trupave britanike në këto përzgjedhje luftërash. Në të dy rastet, ata nuk qenë plotësisht të sinqertë me kolegët e tyre të Kabinetit dhe i kushtuan pak vëmendje atyre në Ministrinë e Jashtme dhe jashtë qeverisë që dinin më shumë për Lindjen e Mesme.
Kryeministrat dhe liderët e partive - përveç nëse janë të qëndrueshëm si Stanley Baldwin apo Attlee - fitojnë një besim jorealist në cilësinë e jashtëzakonshme të gjykimit të tyre dhe të drejtën përkatëse për të pasur përparësi dhe për të përcaktuar politikën, gjithnjë të mbështetur nga rrethi i tyre dhe nga ambiciet e disa prej atyre që i rrethojnë. Nuk është krejtësisht befasuese që liderët bien pre e arrogancës dhe e bindjes se janë mbi partinë që i ngjiti në udhëheqje. Ajo që është më e habitshme është se kaq shumë prej nesh e nënvlerësojmë vendimmarrjen kolegjiale dhe kolektive. Liderët e partive dhe kryeministrat nuk janë zgjedhur sepse mendohej se kishin monopol mbi urtësinë. Ka ardhur koha të ndalojmë së adhuruari perëndinë e rreme të liderit të fortë individual. /Telegrafi/


















































