Një valë e re sulmesh me dronë goditi mbrëmë disa pjesë të Federatës Ruse, duke shkaktuar zjarre masive në rafineri nafte dhe uzina kimike në më shumë se dhjetë rajone të vendit.

Sipas burimeve të hapura dhe kanaleve të monitorimit, një nga objektivat kryesore ishte rafineria NS-Oil në rajonin e Uljanovskit, e specializuar në përpunimin dhe përgatitjen e naftës për rafinim.


Me një kapacitet prodhimi prej rreth 30 mijë tonë naftë në vit, uzina është një nga pikat strategjike të furnizimit energjetik lokal.

Ndërkohë, në Republikën Mari El, dronët goditën Rafinerinë Mari në fshatin Tabashino. Ky objekt industrial prodhon benzinë të papërpunuar, naftë, karburant detar dhe mazut, duke mbuluar deri në 70 për qind të tregtisë së jashtme të republikës. Pamje të shpërndara në rrjete tregojnë re të mëdha tymi dhe flakë që përfshijnë zonën industriale.

Një tjetër objektiv i rëndësishëm ishte uzina kimike Stavrolen në Budennovsk, rajoni i Stavropolit.

Fabrika është ndër prodhuesit më të mëdhenj të polietilenit dhe polipropilenit në Rusi. Raportohet për dëme të konsiderueshme materiale, por ende nuk ka informacion zyrtar për viktima.

Këto sulme konsiderohen ndër më të përhapurat e ditëve të fundit, duke vënë sërish në shënjestër infrastrukturën energjetike dhe industriale të Rusisë. Autoritetet ruse nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar mbi shkallën e dëmeve apo origjinën e sulmeve. /Telegrafi/