Rreth 300 pjesëtarë të sigurisë do të angazhohen për mbarëvajtjen e ndeshjes mes Rayo Vallecanos dhe Dritës së Gjilanit, që zhvillohet të enjten mbrëma në Madrid, në kuadër të xhiros së gjashtë të Ligës së Konferencës.

Autoritetet spanjolle kanë bërë të ditur se operacioni i sigurisë do të përfshijë edhe monitorimin e zonave përreth stadiumit “Campo de Fútbol de Vallecas”, ndërsa do të angazhohen njësi të ndryshme të rendit dhe sigurisë.


Drita pritet të ketë përkrahje nga një grup tifozësh në kryeqytetin spanjoll. Pas udhëtimeve në Finlandë dhe Irlandë, kampionia e Kosovës ka mbërritur në Madrid për ta zhvilluar ndeshjen e fundit të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.


Për shkak të nivelit të ligës dhe përvojës, Rayo Vallecano konsiderohet favorite ndaj skuadrës nga Gjilani. Ekipi spanjoll aktualisht është i shtati në fazën e ligës me 10 pikë dhe synon fitore për të siguruar avancimin direkt në një të tetën e finales.

Në La Liga, Rayo renditet në vendin e 13-të me 18 pikë, ndërsa së fundi barazoi pa gola me Real Betisin.

Te Rayo Vallecano aktivizohet edhe mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Ivan Balliu, i cili këtë sezon ka shtatë paraqitje në kampionat.

Rayo Vallecano

Drita, nga ana tjetër, renditet e 19-ta në fazën e ligës me 8 pikë dhe është në pozitë solide për të avancuar në fazën nokaut.

Skuadra gjilanase ka arritur për herë të parë në këtë fazë të garave evropiane, duke regjistruar dy fitore, dy barazime dhe një humbje.

Pas barazimeve me KuPS-in dhe Omonian, fitoreve ndaj Shelbourne dhe Shkëndijës, Drita u mposht 3-0 nga AZ Alkmaari në xhiron e kaluar, por mbetet në garë për kualifikim.

FC Drita

Pas përfundimit të fazës së ligës, tetë skuadrat e para avancojnë direkt në një të tetën e finales, ndërsa ekipet nga vendi i nëntë deri në të 24-të shkojnë në play-off të fazës nokaut.

Takimi luhet të enjten nga ora 21:00, në stadiumin “Vallecas”, i cili ka kapacitet prej 14.708 ulësesh. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app