Drilon Hajrizi akuzon FBK-në për padrejtësi, thotë se e meritoi çmimin e më të mirit të vitit

Basketbolliti i Trepçës Drilon Hajrizi ka akuzuar Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) për zgjedhjen e më të mirit, që e fitoi Dardan Berisha.
Sipas Hajrizit, ai e meritoi çmimin “Basketbollisti i Vitit 2025”, por FBK-ja i ka bërë padrejtësi.
Ai përmendi punën e madhe që ka bërë për Trepçën, që e fitoi titullin kampion sezonin e kaluar.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
“Dashamirë,
Injorimi që më bëri Federata e Basketbollit të Kosovës është më shumë se fyerje. Nuk shkruajta dhe nuk e kisha ne plan të shkruaja asgjë sepse tingëllonte si një lloj oportunizmi, por ajo që më nxiti të shkruaja është modeli që po e lëmë pas. Pa modesti, vitin e kaluar isha model i mirë, më i miri!
Nga salla e operacionit, e me fasha në kokë direkt shkova në Minatori. E dija që nuk mundem të futem menjëherë në lojë, por përçova shpirtin tim luftarak aty. Shpirtin, djersën dhe zemrën e dhurova për Trepçë kampion!
Kjo që bëri Federata e Basketbollit të Kosovës sot më fyu gjakun, djersën dhe rezultatet. Sido që të jetë ata e fyen veten! Unë nuk ndalem kurrë! Do të luftoj deri sa të shtjerrem i tëri për Kosovë, për Mitrovicën, për Trepçën!
Dardan Berisha është lojtar emblematik i Kosovës. Ai është ikonë e Kosovës dhe lojtari më i sukseshëm shqiptar në arenën ndëkombëtare. Vitin e kaluar unë isha më i miri në Superligën e Kosovës”, shkroi ai./Telegrafi/
















































