Dren Gërguri: Në ‘Zoom’ po zhvillohen takime ku ‘shefi’ është deepfake

Në “Përballje Podcast”, ligjëruesi i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Dren Gërguri, ka folur për mënyrën se si teknologjia e deepfake po përdoret tashmë në kohë reale, duke krijuar mashtrime të sofistikuara edhe në takime online.
Sipas Gërgurit, niveli i zhvillimit të kësaj teknologjie ka arritur në një pikë ku manipulimet nuk janë më vetëm video të montuara, por transmetime “live” të rreme që mund të mashtrojnë edhe profesionistë apo institucione të mëdha.
“Ka vende në Azi dhe në Amerikë ku tashmë ka deepfake live – që është mashtrim, por ndodh aty për aty. Deri këtu ka arritur teknologjia.”
Ai tregoi se janë raportuar raste ku punonjës janë mashtruar në takime virtuale, duke menduar se po flisnin me eprorin e tyre, ndërsa në fakt ai ishte një imazh i krijuar nga inteligjenca artificiale.
“Ti ke një takim në Zoom brenda një kompanie dhe eprori është deepfake. Ai thotë që për këtë kompaninë X do të bëjmë këtë shumë parash, dhe ti – sepse po flet me ‘shefin’ – veç e çon tutje porosinë. Ka raporte që tregojnë se mijëra dollarë vidhen duke u përdorur kjo teknologji”, ka deklaruar ai.
Gërguri theksoi se kjo tregon sesa i avancuar është bërë manipulimi digjital dhe se kujdesi në komunikimin online duhet të jetë më i madh se kurrë.
“Nëse më herët deepfake ishin video të montuara me programe, tash kemi arritur në nivelin ku manipulimi ndodh ‘live’. Kjo duhet të na bëjë shumë më të kujdesshëm në çdo komunikim virtual.”
- YouTube www.youtube.com
Diskutimi u zhvillua në kuadër të serisë “Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë” të “Përballje Podcast”, që trajton ndikimin e teknologjisë, dezinformimit dhe sigurisë kibernetike në shoqërinë moderne. /Telegrafi/











































