LAJMI I FUNDIT:

Drejtshkrimi fillon nga emri

Drejtshkrimi fillon nga emri
Ilustrim

Gjuha letrare shqipe, sot mësohet në më shumë se në dyzetë katedra të Albanologjisë, në universitetet më të njohura të botës. Dihet se nëpër ato katedra ligjërohet gjuha letrare e jo të folmet e mëhallëve a fiseve. Po të ishim përpjekur për përparimin e gjuhës, sot do të ishim tridhjetë vjet përpara, jo siç vepruam duke iu kthyer të folmeve lokale e fisnore. Nuk mbeti pa u sulmuar edhe vet Alfabeti shqip, e të mos flasim sa nuk përfillet norma letrare.

Nëse ti e unë sot kemi emra të huaj, nuk kemi kohë të gjykojmë historinë, por mund të punojmë që të mos i përsërisim gabimet. Fëmijët që lindin tash mund të pagëzohen me emra shqip, pa frikë. Kemi mjaft emra të bukur shqip. Ky fakt ka rëndësi parësore kur dihet se njeriu gjithë jetën bart një emër me të cilin e thërrasin dhe përgjigjet.


Drejtshkrimi është kulturë dhe atdhetari, që fillon nga emri ynë. Këtë mund ta dëshmoni çdo ditë.

Nëse nuk i dini veprat që shkroi Naim Frashëri, nuk është ndonjë tragjedi, por nëse shkruani gabimisht emrin tuaj është tragjedi e madhe që e shohin të gjithë. Aq më keq duket, nëse keni mbaruar shkollën fillore e nuk dini të shkruani një fjali të thjeshtë, pa gabime.

Dikur shkruanim dhe thoshim po shkruajmë shqip. Kishim alfabetin që mori udhë tepër vonë. E sot jo të gjithë ata që përdorin atë alfabet mund të thonë se shkruajnë shqip. Kur dikush nga ne nuk mund të shkruajë një fjali të thjeshtë pa gabime, ai nuk është tjetër veçse një analfabet më shumë në radhët tona. E ne, në në të katër anët shohim e lexojmë sesi këta “alfabetë” shkruajnë ashtu si duan, pa përfillur fare rregullat drejtshkrimore. Ndërkaq, në shumë botime aktuale shohim se edhe nëse kemi mësuar alfabetin, kjo nuk mjafton për të shkruar drejt.

Dikur kishte shumë qëndrime e propozime të ngurta, individuale, mospajtime e pajtime, por erdhi dita kur pararendësit tanë qenë pajtuar të miratojnë rregullat e drejtshkrimit. Sa kishim nevojë për alfabet, po aq ishte e domosdoshme të kemi edhe rregullat drejtshkrimore. Kështu, në një Kongres kombëtar, ku merrnin pjesë gjuhëtar të shquar nga të gjitha trevat shqiptare, rregullat e drejtshkrimit morën formë zyrtare: Së pari, çdo shqiptar është i obliguar (edhe moralisht) që të zbatojë rregullat drejtshkrimore; së dyti, të fillojë ligjërimi në gjuhën letrare në çdo shkollë dhe institucion publik.

Norma duhet të zbatohet së pari në librat e Amzës. Emrat tanë personal duhet të shkruhen sipas normës letrare. A mund ta merrni me mend se çka mund të përjetoni nëse keni një gabim në një dokument personal dhe jeni në një shtet tjetër për pushime apo për vizitë!? Kjo mund t’ju sjellë kokëçarje jo të vogla. Sado që iu duket e vogël dhe e parëndësishme një shkronjë (që në disa raste përcakton edhe gjininë), kur ajo nuk përputhet në ndonjë dokument, kërkon zgjidhje të menjëhershme. Kemi përjetuar këso rastesh gati secili prej nesh. Me atë gabim mund t’ju refuzohet hyrja jo vetëm në një shtet të huaj, por edhe në shtetin tuaj.

Kemi kaluar periudha të gjata pushtimi të huaj. Secili pushtues ka shkruar me alfabetin dhe normën e tij drejtshkrimore. Sot, në shumicën e vendeve të botës, një nga të drejtat elementare është shënimi i emrit në alfabetin dhe gjuhen amtare (nëse e keni?). Pas verifikimit të hollësishëm të biografisë suaj, nëse doni të bëheni shtetas i një vendi të caktuar, mund të zgjedhni emrin me të cilin do t’ju japin dokumentet e reja personale. Edhe në ketë rast, edhe nëse keni ndryshuar emrin e mbiemrin ligjërisht, duhet t’i përmbaheni drejtshkrimit në gjuhën e shtetit ku keni aplikuar.

Shumë njerëz me kokëfortësi vazhdojnë mospërfilljen e rregullave drejtshkrimore! Vazhdon me kokëfortësi moszbatimi i normës letrare. Në çdo fjalë apo fjali, në shkolla e fakultete, në mediat e shkruara dhe elektronike, në të folmen e përditshme, në çdo institucion publik, në vend që të flasim më mirë, në vend që të zbatojmë normën letrare, të folmet e mëhallëve mbushin ekranet e qindra televizioneve private dhe të shtypit ditor. Çka është më keq, drejtshkrimi jo vetëm që është harruar, por ai nuk po zbatohet me qëllim.

Mësimi i gjuhës shqipe është detyrë dhe nder për secilin nga ne. Nëse flisni pa gabime, do të shkruani pa gabime. Kur flisni pa gabime, dëshmoni atdhetari, atdhedashuri dhe kulturë, kurdo dhe në çdo rast. Por, sot, kur kemi çdo tekst të nevojshëm për të mësuar shqip, nuk përpiqemi të punojmë e të mësojmë, por rrënojmë.

Për fund, mund të numëroni shumë tipare të një kombi të formuar, por në çdo rast dhe çdo herë, gjuha është tipari i parë që ka ruajtur dhe e ruan akoma identitetin kombëtar.