Drejtori sportiv zbulon negociatat e Barcelonës për Alexander Isak

Barcelona është dashur të veprojë me mençuri në tregun e transferimeve gjatë pesë viteve të fundit për shkak të problemeve të tyre financiare. Të nënshkruarit me lojtarë ‘para kohe’ është bërë thelbësore, dhe pikërisht këtë kanë bërë me Pedrin.
Mesfushori, i cili është zhvilluar në njërin nga më të mirët në botë në pozitën e tij, u transferua në vitin 2020 si një 17-vjeçar.
Ishte një rrezik në atë kohë, por një rrezik që është shpërblyer me sukses. Vendimi për ta sjellë atë në klub u mor nga atëherë drejtori sportiv, Ramon Planes, i cili foli për mesfushorin e kombëtares së Spanjës gjatë një interviste për Sport.
“Më folën për një lojtar të ri te Las Palmas, niveli i të cilit ishte dukshëm më i lartë se ai i bashkëlojtarëve të tij. E ndoqëm për tre ndeshje dhe kjo mjaftoi, e kuptuam menjëherë. Vendosëm ta transferonim, edhe pse rrallë shkojmë pas lojtarëve kaq të rinj. Ai lojtar ishte Pedri. Unë dhe ekipi im thjesht i besuam instinktit tonë”.
Planes, i cili ishte pjesë e Barcelonës nga viti 2018 deri në vitin 2021, zbuloi gjithashtu se Alexander Isak, që aktualisht po kërkohet nga Liverpool në një marrëveshje me Newcastle United me vlerë mbi 120 milionë euro, mund të ishte transferuar në ‘Spotify Camp Nou’ kur ende ishte pjesë e Real Sociedad.
“Kishim kohë që po kërkonim zëvendësues për një pozitë kaq të vështirë. Tani më duket interesante kur flitet për Isak, i cili është në negociata dhe me një ofertë shumë të rëndësishme nga Liverpool”.
“Ai ishte një lojtar me të cilin kishim nisur bisedimet përmes agjentit të tij. Ishte te Sociedadi dhe ideja jonë ishte ta transferonim si zëvendësues për Luis Suarezin, fillimisht si lojtar skuadre, për ta bërë më pas titullar të rregullt”, përfundoi ai./Telegrafi/




















































