Drejtori i Fordit: Nuk duhet t'i lejojmë prodhuesit kinezë të veturave të hyjnë në tregun amerikanë

Prodhuesit amerikanë të automjeteve kanë vendosur të përballen me prodhuesit kinezë me një metodë të thjeshtë – ndalimin e shitjes!
Në disa raste, drejtori i Fordit, Jim Farley, ka lavdëruar automjetet kineze (BYD dhe Xiaomi), por dëshiron t’i mbajë sa më larg tregut amerikan, sepse ka frikë se markat amerikane nuk do të ishin konkurruese në një përballje të drejtpërdrejtë.
Megjithëse aktualisht në fuqi është një tarifë doganore 100 për qind për automjetet kineze në SHBA, ato po zgjerohen në vendet fqinje.
Në Meksikë, BYD ka një fabrikë, Kanadaja ka lejuar shitjen e automjeteve kineze pa tarifa të konsiderueshme, ndërsa Stellantis po shqyrton prodhimin e veturave elektrike të bazuara në modelin kinez Leapmotor në një ish-fabrikë të Jeep-it.

Markat kineze prej vitesh marrin miliarda euro subvencione nga qeveria në Pekin, gjë që e bën garën me prodhuesit e tjerë të pabarabartë. Kjo u mundëson markave kineze të shesin automjete me çmime që konkurrentët perëndimorë nuk mund t’i përballojnë.
“Nuk duhet t’i lejojmë të hyjnë në vendin tonë”, tha Farley për Fox News, duke iu referuar prodhuesve kinezë.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump po i përmbahet ligjit të vendosur gjatë kohës së Joe Biden-it.
Ky ligj ndalon softuerin nga Kina në automjete duke filluar nga viti 2027 dhe harduerin nga viti 2028. Pra, në praktikë, shitja e automjeteve kineze do të ndalohet. /Telegrafi/



















































