DragonFire, arma e re laserike e ushtrisë britanike – mund të godasë me saktësi monedhën 1 funtëshe nga një distancë prej një kilometri

Një video e deklasifikuar nga qeveria britanike, shfaq armën e re laserike të ushtrisë britanike.
Ishte ministria britanike e Mbrojtjes e cila “shfaqi fuqinë e armës laserike”, që mund të godet objektivin me shpejtësinë e dritës, transmeton Telegrafi.
Grant Shapps, Sekretari britanik i Mbrojtjes tha se vendi i tij i ka kaluar disa vite duke zhvilluar armën e re të quajtur DragonFire, që është një armë e re laserike.
Në janar të këtij viti, ministria britanike e Mbrojtjes pati njoftuar se ka kryer me sukses testin e parë të armës laserike.
Rrezja e veprimit e DragonFire është sekret, ndërsa nga qeveria britanike kanë bërë të ditur se ajo mund të rrëzojë çfarëdo droni që gjendet në ajër.
Saktësia e armës është aq e madhe, sa që mund të godet monedhën 1 funtëshe nga një distancë prej rreth një kilometër.
E testet e armës së re janë kryer në veriperëndim të Skocisë, ku ushtria dhe marina e këtij vendi bashkuan forcat për të testuar teknologjinë e të ardhmes, kur bëhet fjalë për kapacitetet e mbrojtjes ajrore. /Telegrafi/

















































