LAJMI I FUNDIT:

Draft-statuti i Asociacionit, Osmani para deputetëve: Komentet e shqetësimet tona t’i dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese

Draft-statuti i Asociacionit, Osmani para deputetëve: Komentet e shqetësimet tona t’i dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë adresimit para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Osmani para ligjvënësve të Kosovës tha se institucioni që duhet të bëjë vlerësimin e draft-statutit se a është në përputhje me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës.


“Siç e dini, të nderuar deputetë së fundi Kosovës i është dorëzuar një propozim, draft-statut për një Asociacion të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët tanë.

Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me Kushtetutën, dua të ritheksoj se institucioni që do të duhej ta bëjë këtë vlerësim duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi dhe bashkërisht të përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese kurdo që ky draft do të dorëzohet para këtij institucioni”, ka thënë Osman, raporton Telegrafi.

Presidentja Osmani: Kosova nuk zmbrapset, nuk thyhet dhe do t'i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht
Lexo po ashtu Presidentja Osmani: Kosova nuk zmbrapset, nuk thyhet dhe do t'i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht

E para e shtetit tha më tej se qëllimi i përbashkët duhet të jetë që të sigurohet përputhshmëri e plotë me Kushtetutën e Kosovës.

“…Dhe të mos lejojmë një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë”, u shpreh Osmani.

Ajo bëri të ditur se ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare në mënyrë që për këtë temë siç tha ajo sfiduese të ndërtohet një qëndrim i unifikuar.

“Në mënyrë që qëllimet tona të përbashkëta të përkthehen edhe në veprime të përbashkëta, përveç konsultimeve të vazhdueshme me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit, kam ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare në mënyrë që këtë temë sfiduese të ndërtojmë një qëndrim të unifikuar  në mbrojtje të funksionimit të republikës sonë”, tha ndër të tjera presidentja e shtetit. /Telegrafi/