LAJMI I FUNDIT:

Dosja e varrosjes së viktimave të COVID-19, burrë e grua marrin tenderët nga SHSKUK në vlerë gjysmë milion euro

Dosja e varrosjes së viktimave të COVID-19, burrë e grua marrin tenderët nga SHSKUK në vlerë gjysmë milion euro
Foto: Ilustrim

Burrë e grua kanë fituar tre tenderët e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK) për varrosjen e viktimave të COVID-19.

Përveç kësaj, shuma e tenderëve që bashkërisht kanë prekur gjysmë milion euro, janë dyfishuar e kanë tejkaluar vlerat e lejuara ligjërisht.

Në hulumtimin e Kallxo.com shihet se viktimat e para të COVID-19 janë varrosur në dy arkivole e që më pas ky veprim ka bërë që vlera e tenderit të parë të dyfishohet.


Të dhënat e dosjes së tenderit tregojnë se kontrata e parë është lidhur në muajin gusht dhe e njëjta është fituar nga kompania “Ngushllimi” me pronar Blerim Nreci, në vlerë prej 210 mijë euro. Muaj më vonë paratë nuk kishin mjaftuar dhe ShSKUK hapi edhe një tender tjetër. Kësaj radhe tenderi u fitua nga një kompani tjetër.

Në dhjetor të vitit 2020, Fahrije Ruhanoviq kishte regjistruar kompaninë “Funerali”. Kjo grua arriti që me kompaninë e re dhe të saporegjistruar të fitojë tenderin e 134 mijë eurosh. Pas tenderit të dytë, ShSKUK hapi edhe një tender tjetër, të cilin e fitoi përsëri kompania e  Fahrije Ruhanoviqit – kësaj radhe tenderi ishte 158 mijë euro.

Në faqen e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve e shohim se këto dy kompani, të cilat në shikim të parë nuk kanë kurrfarë lidhje, megjithatë kanë diçka të përbashkët: të dy këta persona janë po ashtu pronarë të një kompanie të tretë të përbashkët, e regjistruar për të njëjtën veprimtari. Përpos kësaj, na del se Blerim Nreci është pronar dhe drejtor menaxhues në kompaninë “Ngushëllimi”, ndërsa në kompaninë “Funerali”, pronare është Fahrije Ruhanoviq, ndërsa Blerim Nreci është drejtor menaxhues.

Osman Vishaj, drejtor i Komisionit Rregullues të Prokurimit Publik, ka thënë për Kallxo.com se aplikimi në një tender me dy kompani është e paligjshme dhe autoriteti kontraktues, në këtë rast ShSKUK, është dashur t’i shpallë të papërgjegjshme.

“Kjo është në kundërshtim me parimet e prokurimit sepse nuk është trajtim i barabartë. Nëse e marrim si analogji ose si rast, kjo i bie se një kompani, brenda ofertës së saj, ka ofertuar me dy çmime. d.m.th. prish konkurrencën sepse i bie që një operator ekonomik ka dy çmime”, është shprehur Vishaj.

Në dosjen e tenderit shihet qartë se në tenderin e dytë prej 134 mijë eurove, burri (Blerim Nreci) kishte aplikuar me njërën – e gruaja (Fahrija Ruhanoviq) me kompaninë tjetër. Në këtë tender, burri është ankuar në kompaninë e gruas së tij, ku ky vet është drejtor menaxhues, me pretendimin se janë shkelur rregullat e tenderit.

Sipas Nrecit, kompania e gruas së tij është shpallur fituese pa pasur certifikatë për dezinfektim.

Ankesa ishte hedhur poshtë me pretendimin e ShSKUK-së se ishte bërë vonë.

Rreth ankesës portali ka intervistuar Blerim Nrecin, i cili ka thënë se ankesën e ka bërë për shkak të demokracisë, ndërsa me Fahrije Ruhanoviq vetëm bashkëjetojnë dhe se nuk janë të martuar me kurorë.

“Është demokratike dhe shumë normale. Unë e kam paralajmëruar se duhet të ketë certifikatë të dezinfektimit. Ajo s’është pajtuar me parimet dhe ka aplikuar vetë. Është normale, nesër mund të mos jem me të hiç. Në fakt unë bashkëjetoj me të e nesër mund të mos jemi bashkë hiç. Me vdek njëri apo tjetri. S’ka rëndësi parimet, mendimet e interesat i kemi të ndara. Unë kam aksione 49% te kompania e gruas”, ka deklaruar Nreci.

Por, ekspertët e prokurimit publik paralajmërojnë se ankesa në këtë rast është bërë për shkak të kurdisjes së çmimeve.

“Është tentim për me keqpërdor buxhetin e Republikës së Kosovës. Ankesat në këso raste bëhet për të bërë pazare me tenderë. Pazaret me tenderë kanë lulëzuar në kohën e pandemisë kur ne të gjithë jemi fokusuar te shëndeti jonë e familjarët tanë e në anën tjetër dikush ka mendu se qysh me zhvatë buxhetin e Kosovës”, ka thënë Visar Prebreza, njohës i prokurimit publik.

Provat e hulumtimit na tregojnë që paratë shkuan në adresën e njëjtë, pra te çifti Blerim Nreci dhe Fahrije Ruhanoviq.

Kompania e Fahrijes është hapur në muajin dhjetor të vitit 2020 dhe menjëherë pas tre muajsh ka arritur të marrë tender me vlerë prej 134 mijë euro.

Sipas faturave, tenderi ishte shpallë për varrosjen e 500 viktimave të COVID-19 dhe të 500 viktimave të etheve hemorragjike. Por raportet tregojnë që në të vërtetë janë varrosur 1,298 viktima të COVID-19 në kuadër të këtij tenderi. Në momentin kur janë shpenzuar 500 varrime për COVID-19, ShSKUK ka kërkuar që 500 varrimet tjera të planifikuara për vdekje nga ethet hemorragjike të ridestunohen për COVID-19.

Ky ridestinim është bërë me një aprovim të Zyrës së Prokurimit të Shërbimit Spitalor të Kosovës.

Me këtë ridestinim, kompania “Ngushllimi”, me pronar Blerim Nreci ka arritur të fitojë nga ShSKUK dyfishin e kontratës. Pra, kontrata nga 120 mijë euro është rritur në mbi 415 mijë euro.

Për rritjen e çmimit edhe ShSKUK edhe Blerim Nreci janë arsyetuar se për shkak të karburantit të shpenzuar për transportin e viktimave të COVID-19, është arritur shifra e mbi 415 mijë eurove.

“ShSKUK na ka mundësu që rastet me ethe hemoragjike të trajtohen si vdekje të COVID-19, që më pas ka arritur në 1,000 rasteve të COVID-19. Ka tejkaluar njësia e kilometrit. Në rast llogaritet mesatarisht 30 euro, pro ka pasur raste që ka shkuar mbi 100 euro. Përafërsisht te 400-mijëshi, nuk ka pasur diçka tjetër. Kanë qenë 1,298 raste që e ka mbërri shumë prej mbi 400 mijë”, ka dekalruar Nreci për Kallxo.com.

Por, sipas faturave vetëm 37 mijë e 785 euro nga shuma totale e 415 mijë e 145 eurove janë shpenzuar për transportin e kufomave.

Sipas ligjit, kontrata kornizë nuk guxon ta kalojë 30%-in e vlerës së saj.

Kontrata e nënshkruar parashihte disa pozicione, pozicioni i parë ishin varrosja e 500 viktimave të COVID 19 e pozicioni i dytë ishte varrosja e 500 viktimave të etheve hemorragjike. Për shkak se çmimi ka qenë i njëjtë ShSKUK ka vendosur që me kontratën për varrosjen e viktimave të etheve hemorragjike t’i varrosë edhe 500 viktima të COVID-19.

Në lidhje me këtë gjë, portali ka kërkuar nga ShSKUK informacione për dyfshimin e vlerës së kontratës.

“Me rastin e përmbushjes së pozicionit të parë në kontratë respektivisht arritjen e numrit prej 500 kufomave si pasojë e COVID-19, e duke pasur parasysh se nuk kemi pasur raste të viktimave nga pozicioni i dytë dhe meqë çmimi i kontraktimit të këtij shërbimi ka qenë i njëjtë për dy pozicionet, është aprovuar pozicioni i dytë i paraparë në kontratë (ethe hemoragjike) të përdoret për COVID-19, destinimin e pozicionit të 2 të paraparë në kontratë dhe atë pjesë e kemi shfrytëzuar për kufomat si pasojë e Covid-19 e që i bie se në total me përmbushje të dy pozicioneve ashtu si i sqaruam me lartë objekti i kontratës është realizuar saktësisht ashtu siç është nisur, pra 1,000 raste të plota dhe rrjedhimisht nuk ka pasur tejkalim të kontratës. Duhet theksuar po ashtu se implementimi i objektit të kontratës ka ndodhur brenda afatit të paraparë në kontratë. Po ashtu kjo kontratë ka qenë kontratë kornizë dhe sipas legjislacionit përkatës e njëjta mund të tejkalohet respektivisht mos realizohet në nivelin prej +/- 30%”, thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së.

Rikujtojmë se kontrata e parë ishte kryer me negocim dhe pa pasur shpallje në tender publik. Ndërkohë, kur krejt kufizimet e kontratës ishin harxhuar, ShSKUK kishte vendosur të hapë thirrje të re për tender të hapur. Të dhënat na tregojnë se çmimi për një viktimë me tender të hapur ishte më i lirë për 180 euro për një kufomë. Në tenderin e parë janë harxhuar 420 euro për një varrim, ndërsa në tenderin e dytë, i njëjti shërbim ka kushtuar vetëm 240 euro.

Në kontratën e tretë, një varrim ka kushtuar 158 euro, e që në shifra i bie që dallimi në mes të kontratës së parë dhe të tretë është 262 euro.

Rikujtojmë gjithashtu se tenderin e dytë dhe të tretë e ka fituar bashkëshortja e Blerim Nrecit, me kompaninë ‘Funerali” Tenderi i dytë, me kontratë në vlerën 133 mijë e 761 euro, ShSKUK kishte planifikuar të bënte varrosjen e 700 viktimave të COVID-19.

Në bazë të asaj që na ka thanë Blerim Nreci, kjo kontratë ka tejkaluar 30 përqindëshin e vlerës indikative të lejuar me ligj. Por, nuk është saktë kështu.

Nreci ka dekalruar se paratë për tejkalimin e rasteve i ka marrë nga Shërbimi Spitalor përmes procedurës përmbarimore. Këtë gjë e kanë konfirmuar edhe nga ShSKUK-ja.

Portali ka kërkuar nga ShSKUK edhe faturat me kompaninë ‘Funerali’ të cilat i kishte siguruar përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi sikurse në rastin e parë. Në këtë rast, ShSKUK ishte kujdesur që vlera totale indikative të mos kalonte 30%. Në faturat e siguruara shihet se numri i viktimave është rritur për 29.9% apo në limitet finale të cilat i lejon ligji.

Por, kur Kallxo.com ka kërkuar sqarime nga SHSKUK për pretendimet e Nreci se kontrata e dytë ka pasur tejkalim mbi 30%, ky institucion ka deklaruar se mjetet e tjera janë marrë përmes procedurës përmbarimore ndërsa ende nuk ka dhënë detaje se sa ka qenë vlera totale e marrë nga kompania përmes kësaj procedure.

Për këto detaje portali është duke pritur përgjigje që nga data 21 shkurt.

Pra, faktet janë këto: Tre tenderët për varrosjen e viktimave të COVID-19 u fituan nga dy kompani, pronarët e të cilave kanë lidhje të ngushta familjare – pra Blerim Nreci dhe Fahrije Ruhanoviq janë burrë e grua të pakurorëzuar të cilët jetojnë bashkë. Për më shumë, Blerim Nreci, pos që është pronar dhe drejtor menaxhues në kompaninë e vet, është edhe drejtor menaxhues në kompaninë e gruas së tij.

Në tenderin e parë që SHSKUK e ka lidhur me operatorin ekonomik ‘Ngushëllimi’, në pronësi të Blerim Nrecit, e që ka pasur kohëzgjatje 1 vjeçare, varrimi i një viktime mesatarisht ka kushtuar 420 euro. Por, në vend se kjo kontratë të kushtojë 210mijë euro, është rritë vlera për 98% dhe janë paguar pak më shumë se 415 mijë euro. Pra, maksimumi i 30%-shit të lejuar për tejkalim është tejkaluar shumëfish.

Në tenderin e dytë, të cilin e ka fituar gruaja e Blerim Nrecit, Fahrije Ruhanoviq me kompaninë Funerali, i njëjti shërbim ka kushtuar 240 euro, por në vend të 700 rasteve të parapara, janë faturuar rreth 1,300 raste që e kjo shkon shumë më tepër përtej 30%shit të lejuar.

Në tenderin e tretë, të cilin përsëri e ka fituar Fahrije Ruhanoviq, gruaja e Blerim Nrecit, një varrim i rastit me COVID është liruar dhe ka kushtuar 158 euro. Kjo kontratë është ende në fuqi. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Senatori Blumenthal i shkruan Blinkenit: SHBA-ja t'i mbajë sytë kah Kosova sepse rrezikohet nga Serbia

Senatori Blumenthal i shkruan Blinkenit: SHBA-ja t'i mbajë sytë kah Kosova sepse rrezikohet nga Serbia

Lajme
Flet daja i Fitore Pacollit pasi mori grant 100 mijë euro: Fitoren e kam mbesë, kam konkurruar tri herë

Flet daja i Fitore Pacollit pasi mori grant 100 mijë euro: Fitoren e kam mbesë, kam konkurruar tri herë

Lajme
Reagon ish-zv/ministri i LVV-së: Hykmete Bajrami e ka denoncuar publikisht projektin e digjitalizimit mbi 5 milionë euro

Reagon ish-zv/ministri i LVV-së: Hykmete Bajrami e ka denoncuar publikisht projektin e digjitalizimit mbi 5 milionë euro

Lajme
Arrestohet dhe suspendohet një zyrtar policor pasi shkaktoi aksident me fatalitet

Arrestohet dhe suspendohet një zyrtar policor pasi shkaktoi aksident me fatalitet

Lajme
Dy persona dënohen me shtatë vjet burgim dhe 1500 euro gjobë për vjedhje në Teqenë e Madhe në Gjakovë

Dy persona dënohen me shtatë vjet burgim dhe 1500 euro gjobë për vjedhje në Teqenë e Madhe në Gjakovë

Drejtësi
Zogaj flet për vijat e kuqe të LDK-së pas zgjedhjeve: Pa Lumirin kryeministër nuk do të jemi në qeveri

Zogaj flet për vijat e kuqe të LDK-së pas zgjedhjeve: Pa Lumirin kryeministër nuk do të jemi në qeveri

Politikë
Kalo në kategori