LAJMI I FUNDIT:

Dorëheqja e Zoran Zaevit: A po krijohet hapësira për ndikimet malinje?

Dorëheqja e Zoran Zaevit: A po krijohet hapësira për ndikimet malinje?
Ilustrim

I zhgënjyer me rezultatin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Maqedoninë e Veriut, politikani reformator dhe pro-perëndimor, Zoran Zaev, ka dhënë dorëheqjen e tij nga pozita e kryeministrit dhe e liderit të partisë Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM). Edhe pse nuk ishin zgjedhje nacionale, rezultati që mori Zaevi ishte dëshpërues: afër 210 mijë vota më pak në krahasim me zgjedhjet paraprake të vitit 2017, bëri që kjo parti të humbasë 41 komuna, midis të cilave edhe qytetin e Shkupit. Debakli zgjedhor u paralajmërua që në raundin e parë, pas të cilit Zaev publikisht tha se në raundin e dytë shkon “all in”. “Raundi i dytë është referendum edhe për legjitimitetin e kësaj qeverie”, ka thënë ai.

Me dorëheqjen e tij bie e tërë Qeveria, ndërkohë që opozitarja VMRO-DPMNE menjëherë ka filluar krijimin e një shumice të re parlamentare.


Ikja e Zaevit nga skena politike, midis tjerash, hap edhe dilemën e pozicionimit të Maqedonisë së Veriut në rrafshin gjeopolitik.

A mund të jetë pensionimi politik i Zaevit një lajm i mirë për Rusinë dhe Kinën, ndikimi i të cilëve u tkurr që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 2017?

Zaevi e mori LSDM-në në drejtim në vitin 2013, në momentin kur partia ballafaqohej me një krizë të thellë pasi për më shumë se dhjetë vite kishte pësuar disfata të njëpasnjëshme nga rivalja e spektrit të djathtë, VMRO-DPMNE. Gjatë kësaj periudhe, qeveria ishte drejtuar nga dora e fortë e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Ai kishte sjellë VMRO-DPMNE-në në pushtet në vitin 2006 me një plan ambicioz reformash dhe me një vullnet të madh integrimi në strukturat euroatlantike. Vetoja e Greqisë në Samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008, bëri që Gruevski të heq dorë nga ato plane. Maqedonisë së Veriut iu pamundësua të bëhet anëtare e NATO-s bashkë me Shqipërinë, kurse kjo veto i bllokoi vendit edhe nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Së këndejmi, Gruevski vendosi të kërkojë alternativa të integrimit euroatlantik, duke kërkuar partnerë në Lindje – kryesisht në Rusi dhe Kinë. Nga viti 2008 Maqedonia e Veriut filloi të shndërrohet në një shtet atraktiv për oligarkët e shteteve të Lindjes. Me këtë gradualisht rritej edhe ndikimi nga ato shtete.

Zaevi me LSDM-në erdhi në pushtet nëpërmjet një operacioni të rrezikshëm për sigurinë – publikimit të përgjimeve që shfaqnin korrupsionin e nivelit të lartë. Ai kishte për detyrë të kthejë vendin në binarë të integrimit në BE dhe në NATO, nga të cilat kishte devijuar pararendësi i tij. Por, ky tentim bëri që roli i Rusisë në zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut të rritet dukshëm, duke nxitur përkeqësimin e krizës politike në vend. Publikimet e përgjimeve nga ana e Zaevit shkaktuan protesta qytetare kundër pushtetit të korruptuar. Ishte koha kur vendi sapo kishte hyrë në hartën e projektit të gazsjellësit rus “Rrjedha e Jugut” me atë që në vitin 2013 Qeveria e Gruevskit kishte nënshkruar një marrëveshje me gazsjellësin Gazprom. Kjo marrëveshje i siguronte kësaj kompanie shtetërore ruse monopol në furnizimin me gaz, gjë që e bënte Maqedoninë e Veriut të varur nga Kremlini. Andaj, për të finalizuar këtë projekt, Moska ishte shumë i interesuar që të mbante në pushtet VMRO-DPMNE-në e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Maqedonia e Veriut ishte një nga disa shtete të përfshira në projektin “Rrjedha jugore”. Nga Rusia gypat e gazit ishin paraparë të kalonin nëpër Turqi, Greqi, Bullgari, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, prej ku do të depërtonin në BE. Qëllimi i Moskës ishte të bajpasojë Ukrainën në furnizimin me gaz të Evropës, në mënyrë që të bëjë kontinentin drejtpërdrejt të varur nga energjia e saj. Për këtë qëllim, që nga viti 2008 kur Shkupi u ballafaqua me veton greke për në NATO, ishte vërejtur një shtim i kapaciteteve njerëzore në ambasadën ruse në Maqedoninë e Veriut.

Zaevi erdhi në pushtet me mbështetjen e theksuar të Perëndimit. Ai kishte pranuar që t’i qaset seriozisht problemit të emrit me Greqinë që kishte qenë shkak për veton e përdorur nga Athina ndaj integrimit të Maqedonisë së Veriut në strukturat euroatlantike. Kjo do të thoshte edhe anëtarësim i shpejtë i vendit në NATO, një alarm ky për Rusinë. Në qershor të vitit 2018, Zaevi dhe ish-kryeministri grek Alexis Tsipras, në Prespë e nënshkruajnë Marrëveshjen që zgjodhi problemin tridekadësh të emrit. Dy vite më vonë, flamuri i Maqedonisë së Veriut u ngrit në selinë e NATO-s në Bruskel si anëtar i 30-të i Aleancës.

Nga momenti i anëtarësimit në NATO, ndikimi rus shënoi një rënie të dukshme. Stafi në Ambasadën në Shkup u reduktua, kurse institucionet e vendit dëbuan disa diplomatë rusë për shkak të thyerjes së Konventës së Vjenës për lëvizjet e tyre të spiunazhit.

Interesi i Moskës tani është të godasë NATO-n aty ku është më e thyeshme – te anëtaret e reja. Kështu, Maqedonia e Veriut, por edhe Mali i Zi, vazhdojnë të ngelin në sferën e interesit të ndikimit të Rusisë, si pjesë më e dobët e Aleancës. Kjo prani tregon se Ballkani vazhdon të jetë tërheqës për Rusinë për shkak të pozicionit strategjik – daljes në ujërat e ngrohtë në Detin Mesdhe dhe për ndërtimin e “Rrjedhës jugore” të gazit.

Suksesi me NATO-n nuk ndodhi edhe me BE-në. Në vend të hapjes së negociatave ashtu siç ishte premtuar, Shkupi merr edhe dy veto radhazi: më 2019 nga Greqia shkaku i metodologjisë së zhvillimit të negociatave anëtarësuese dhe së fundmi nga Bullgaria – shkaku i mosmarrëveshjeve për historinë dhe gjuhën maqedonase.

Kjo veto bullgare mban më shumë se një vit të bllokuar Shkupin në nisjen e negociatave të premtuara nga BE-ja. Ndërkohë, kjo bllokadë ka rrënuar pozicionet e Zaevit në rrafshin e brendshëm, pasi gjithnjë e më shumë akuzohet se bëri kompromiset për asgjë. Kjo, midis tjerash, ishte edhe arsyeja e humbjes së zgjedhjeve lokale të mbajtura në tetor të këtij viti.

A do të jetë dorëheqja e Zaevit fillimi i zbehjes së ndikimit të Perëndimi dhe i rikthimit të Rusisë?

Është rëndë të thuhet tani. VMRO-DPMNE, si parti që pretendon se ka siguruar shumicën e re parlamentare, është reformuar ndërkohë, duke zgjedhur një lider të ri pro-evropian. Bëhet fjalë për elektroinxhinerin 44-vjeçar, Hristijan Miçkovski. Gjatë periudhës së Gruevskit ishte sekretar i përgjithshëm i partisë. Pas zgjedhjes tha se rrymat pro-ruse nuk do të kenë vend në VMRO-DPMNE, parti kjo e cila që nga themelimi i saj është profiluar si pro-perëndimore. “Nuk mund të lejoj që një pikë fekalesh të ndotë një fuçi me ujë të pastër”, tha ai duke aluduar te një grup i vogël brenda VMRO-DPMNE-së që kanë sentimente pro-ruse.

Miçkovski në zgjedhjet e fundit lokale lidhi një koalicion parazgjedhor me Aleancën për Shqiptarët (ASh) të Ziadin Selës dhe Alternativën e Afrim Gashit. Hapja e tij ndaj shqiptarëve dhe ndryshimi i kursit ndaj ndërkombëtarëve ka rritur kapacitetet e koalicionit me partitë shqiptare. BDI e Ali Ahmetit, ASh, BESA e Bilall Kasamit, Alternativa dhe PDSh e Menduh Thaçit, bashkë numërojnë 36 deputetë dhe janë vendimtarë kur vjen deri te formimi i qeverisë. Të gjitha partitë shqiptare kanë një kusht për bashkëpunim: integrimet euroatlantike. Duket se Miçkovski nuk ka pasur problem ta pranojë këtë.

Sidoqoftë, profili i Zaevit vështirë është të përsëritet. Guximi politik që tregoi me marrëveshjet dypalëshe të nënshkruara me Athinën dhe me Sofjen, por edhe me partitë shqiptare, për gjuhën shqipe, e bëjnë unik atë. Kjo do t’i shkaktojë telashe Perëndimit kur në rend dite do të vijë marrëveshja finale me Bullgarinë. Kjo marrëveshje do t’i hapte rrugë vendit drejt integrimit në BE, ndërkohë që vonesa e integrimit krijon vakum të rrezikshëm gjeopolitik. Miçkovski, megjithatë, duket se nuk e ka atë guxim. /Burimi: The Geopost/

Në trend

Më shumë
25 vjet burgim për Enver Sekiraqën

25 vjet burgim për Enver Sekiraqën

Drejtësi
Skuadrat që përfitojnë më shumë nga fanellat e tyre – askush nuk mund të mposhtë numrin 1

Skuadrat që përfitojnë më shumë nga fanellat e tyre – askush nuk mund të mposhtë numrin 1

Ndërkombëtare
Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Magazina
Dënohet me 24 vjet burgim prizrenasi, kishte dhunuar seksualisht dy vajza nën moshën 14-vjeçare

Dënohet me 24 vjet burgim prizrenasi, kishte dhunuar seksualisht dy vajza nën moshën 14-vjeçare

Drejtësi
Thellohen humbjet e Rusisë: Mbi 100 ushtarë rusë të vdekur nga sulmi i fundit i ukrainasve me ATACMS

Thellohen humbjet e Rusisë: Mbi 100 ushtarë rusë të vdekur nga sulmi i fundit i ukrainasve me ATACMS

Botë
Modric ka një “plan B” në rast largimi nga Reali Madridi, do të luante në Ligën e Kampionëve me fanellën e një gjiganti tjetër

Modric ka një “plan B” në rast largimi nga Reali Madridi, do të luante në Ligën e Kampionëve me fanellën e një gjiganti tjetër

Ndërkombëtare
Kalo në kategori