LAJMI I FUNDIT:

“Don’t panic, I’m muslim”

Në Prizren, para ca ditësh u krye një akcion i furishëm i policisë i koduar me emrin “Renea” në të cilën morën pjesë 120 policë, me ç’rast prangosën 5 persona të ashtuquajtur ”vehabi” me dyshimin e bazuar” në armëmbajtje pa leje dhe pregaditjes së veprave penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”. ”Dyshohet edhe se të arrestuarit janë anëtarë të shoqatës ”Sinqeriteti” dhe kanë lidhje me ta, dhe se disa prej tyre kanë marrë pjesë në një samit islamik në Bosnjë dhe se mund të jenë të involvuar edhe në sulmin dhe rrahjen e Besim Ajetit, një të konvertuari protestant”.

Mediat e caktuara elektronike dhe të shkruara e përcollën me pompozitet maksimal lajmin, dhe se disa ditë me radhë i informonin lexuesit dhe shikuesit me aksionin e kryer në fjalë. Kjo me dashje, a pa dashje, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes së opinionit të gjerë kombëtar dhe ndërkombëtar nga aktualitetet momentale me të cilët është duke u ballafaquar për momentin Kosova, sikurse që janë, krimi i organizuar, korrupsioni, situata e vështirë ekonomike, e mbi të gjitha situata politike e ndjerë në pjesën veriore të Kosovës, ku Koshtunica me kompaninë e vet bënë fushatë elektorale sikurse të ishte në “bahçe të babës së vet”.


Sjellja e policisë gjatë aksionit në fjalë në momente të caktuara ishte joprofesionale dhe shumë e ashpër, duke ndërhyrë me forcë e demoluar dyert e hyrjes, me ç’rast ka lënë trauma dhe pasoja në mesin e familjarëve, e posaçërisht në bashkëshorten e një të dyshuari, e cila ishte me foshnjën njëmuajshe, poashtu ka pësuar pa pikë faji edhe një kalimtar i rastit i cili në atë moment ishte duke kaluar pranë shoqatës ”Sinqeriteti”, duke mos ditur se ç’është duke ndodhur. Kjo me të vërtetë ka lënë një njollë të keqe në sytë e qytetarëve dhe familjarëve për një shërbim profesional të policisë të Republikës së Kosovës.

Edhe pse gjatë bastisjes tek të dyshuarit është gjetur nga armatimi, një pushkë ajrore, një pushkë gjuetie, një pistoletë, një pushkë e çmontuar karabinë dhe një kallash, pajisje të ndryshme të gjuetisë, thikë, dylbi, jelekë, uniformë, suvenire, etj, edhe pse për disa armë të tilla kanë poseduar leje apo edhe kanë aplikuar për leje. Kjo nuk është hera e parë, por lirisht mund të themi se ka pasur me dhjetëra apo edhe qindra raste të gjetjes së armëve me leje apo pa leje gjithandej Kosovës. Por, krahas tyre janë konfiskuar për momentin edhe CD-ja, DVD të Kur’anit dhe të tjera, si kompjuterë, llaptopa, telefona celularë, si të dyshimtë dhe me rrezikshmëri të lartë, e këto pajisje elektronike mund të gjenden pothuajse në të gjitha shtëpitë, banesat, apo nëpër zyrat, kudo në Kosovë.

Se qenkan anëtarë apo kanë pas lidhje me Shoqatën “Sinqeriteti” na qenka e dyshimtë dhe e rrezikshme, dua të ceki vetëm nenin 3 al.1 të Ligjit për lirinë e asociimit në organizatat joqeveritare të Kosovës, e që si të tilla janë me qindra e mijëra OJQ të regjistruara në Kosovë, ku thuhet: ”Çdo person në Kosovë gëzon të drejtën e plotë për t’u asociuar dhe të themelojë OJQ-në”, apo neni 5 al.2 i cili thotë: ” Shoqata është një organizatë e anëtarësisë. Shoqatën mund të themelojë të paktën 3 ose më shumë persona”. Në rast se qenka e dyshimtë të jesh anëtar i një shoqate atëherë, shumica e kosovarëve si të tillë dalin se janë të dyshimtë, pasi që çdo njeri prej nesh është anëtar i një shoqate çfarëdo qoftë ajo.

Dyshimi se kanë marrë pjesë disa të arrestuar në një samit islamik në Bosnjë, bie ndesh me nenin 13 al.1 e 2 të Deklaratës së përgjithshme mbi të drejtat njerëzore e cila thotë: “Gjithkush ka të drejtën e lirisë së qarkullimit dhe banimit brenda kufijve të çdo shteti. Gjithkush ka të drejtë të largohet nga cilido vend qoftë, përfshirë këtu edhe të vetin, si dhe të kthehet në vendin e vet”. A thua vallë edhe presidenti i Kosovës z. Fatmir Sejdiu i cili sapo u kthye nga një samit ekonomik islamik të mbajtur në Malajzi, apo edhe të nesërmen kur Kosova do të anëtarësohet në Organizatën e Konferencës Islamike, dhe do të ftohet të merr pjesë në samitin islamik të saj kryeministri i Kosovës z.Hashim Thaçi, do të dyshohen për pjesëmarrje të tillë në samite islamike.

Dyshimi se këta të pesë të arrestuar ”vehabi” mund të kenë gisht edhe në rrahjen e Besim Ajetit, një të konvertuari protestant, i cili paska deklaruar se mund të kenë rrahur “ekstremistët islamikë” edhe pse vetë ai nuk i ka parë, sipas fjalëve të tij, del se atë vepër çdo njeri mund të kishte bërë, pa u vërtetua akoma autorësia e kryerësit të një vepre të tillë.

Edhe pse jemi duke jetuar në shekullin XXI, në këto valët e demokracisë, këto dyshime, supozime, insinuata pa pasur prova dhe argumente të tilla, ndërsa procesi i hetimeve dhe sesioni i gjykimit do të vërtetojë se sa janë të qëndrueshme apo jo, këto akuza të tilla, duke marrë parasysh nenin 11 al.1 e 2 e Deklaratës së përgjithshme mbi të drejtat njerëzore e cili thotë: ” Kushdo që është i akuzuar për një vepër penale ka të drejtë të konsiderohet i pafajshëm deri sa të vërtetohet fajësia në bazë të ligjit dhe në një proces publik në të cilin ka pasur të gjitha garancitë e duhura për mbrojtjen e vet. Asnjeri nuk duhet të dënohet për veprime ose mosveprime të cilët nuk përbëjnë një vepër penale, sipas ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, në kohën kur janë kryer”.

Kjo më përkujton vitet e tetëdhjeta, pas demonstratave të vitit 1981, kur çdo shqiptar i Kosovës dhe i trojeve tjera shqiptare të ish Jugosllavisë, prezantohej si i dyshimtë dhe dënohej pa masë nga gjykatat e atëhershme shtetërore, edhe për një fjalë më të vogël të thënë në mbrojtje të kauzolës shqiptare, etiketohej si nacionalist, irredentist, seperatist, kontrarevolucionar, secesionist, armik i përbetuar i vëllazërim bashkimit e lloj-lloj etiketimesh tjera. Tani mjafton të jesh musliman, pjesëtar i fesë islame, dhe je fajtor kujdestar i shoqërisë kosovare dhe shqiptare në përgjithësi dhe je i etiketuar dhe i dyshimtë si ekstremistë, fundamentalist, terroristë dhe si i tillë automatikisht je kundër pushtetit, shtetit, rregullimit kushtetues si armik potencial i tij. Dua të përkujtoj thëniën e të famshmit Hafiz Ali Korça: ”Atdhetar jam, por edhe fetar si duhet. Atdhetari përse turp të ketë tek thotë e dua me shpirt fenë e vet”.

Përse një musliman i mirëfilltë shqiptar që e praktikon dhe e do fenë e vetë, ai patjetër e do dhe ka obligim të dojë shtetin e vetë, atdheun e vetë, qoftë Kosova apo Shqipëria, apo shqiptaria në përgjithësi, dhe se nuk ka as gjasa teorike e lere më praktike të jetë armik i atdheut apo shtetit të vet. Sa për ilustrim do të ceki nenin 18 të Deklaratës së përgjithshme mbi të drejtat e njeriut i cili thotë: ”Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe besimit, kjo e drejtë përfshinë lirinë e ndryshimit të besimit ose bindjeve dhe lirinë që njeriu, qoftë vetë ose në bashkësi me të tjerët, të shfaqë publikisht ose privatisht besimin ose bindjen e vetë me anë të dhënies së mësimeve, kryerjes së kultit dhe ceremonive fetare”, apo nenin 3 të Ligjit për lirinë fetare të Kosovës i cili thotë: ”Të gjithë personat pavarësisht nga besimi ose bindja e tyre, pavarësisht nga përkatësia në ndonjë bashkësi fetare ose pjesëmarrje në ndonjë ceremoni fetare janë të barabartë para ligjit dhe gëzojnë të drejta të njëjta në jetën civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore. Të gjithë personat juridik dhe fizik gëzojnë mbrojtje të njëjtë para ligjit”, apo edhe nenin 2 të Ligjit kundër diskriminimit në Kosovë i cili thotë: ”Parimin e trajtimit të barabartë që nënkupton se nuk do të ketë kurrfarë diskriminimi të drejtpërdrejt apo të tërthortë ndaj personit, në bazë të gjinisë, moshës, gjendjes martesore, gjuhës, paaftësisë fizike, apo mendore, orientimit seksual, kombit, mendimit apo bindjes, religjionit apo besimit, përkatësisë etnike apo sociale, racës, pronës, lindjes ose statuseve tjera”.

Në rastin konkret, si shembull po e cek, nëse Besim Ajeti, paska të drejtë të konvertohet në protestant, e drejta e tij e pamohueshme, edhe pse është për çudi, duke pas parasysh se bashkëkombësit tonë shqiptar të krishterë janë të ritit katolik e ortodoks, e aspak protestant, është diç normale, demokratike, bashkëkohore, ndërsa një musliman në rast se bindjet e veta islame i percepton dhe zbaton apo i aplikon nga një këndvështrim hanefi, nurxhi, selefi, vehabi, shii, teblik etj. automatikisht na del i dyshimtë, jonormal, antidemokratik, i prapambetur etj. E kjo bie ndesh me të gjitha nenet e cekura më lartë për të drejtën e tij personale në bindjen dhe përkatësin e tij fetare.

Por një gjë më shqetësuese që është për shoqërinë tonë kosovare, për një rast të tillë, është një heshtje absolute pikësëpari e shoqërisë civile të Kosovës, që nuk beson fare dhe është vu në heshtje totale, sikur OJQ-të e ndryshme dhe të shumta kosovare, shoqatat e dala nga lufta, këshillat, lëvizjet, klubet e nduarndryshme, të gjithë tog së bashku janë vu në heshtje, sikurse kjo po ndodh në planetin e Marsit, e jo para syve të tyre, ndërsa kur ndodhi rasti i dom Anton Kçirës, një fjalim racist i paparë gjer më sot në shoqërinë shqiptare, u çun peshë të gjithë, pothuajse i vogël i madh, duke e minimizuar apo mbrojtur, duke i dhënë hapësirë maksimale në mediat e shkruara dhe elektronike, për të arsyetuar dhe deklaruar se kinse këtë i kanë montuar, apo ka deklaruar në gjendje afekti, e lloj lloj arsyetime tjera.

Sido që të jetë do ta përmbyll këtë qasje me një slogan në gjuhën angleze i cili ishte i përhapur nëpër botë para ca kohësh: ”Do not panic, I am muslim”, që në gjuhën shqipe do të thotë: ”Mos bëni panik, unë jam musliman”.